Home / Ekonomia / Paketa Fiskale 2019, Ahmetaj: 65 % e bizneseve e kanë tatimin e fitimit zero; fokus lehtësitë në bujqësi

Paketa Fiskale 2019, Ahmetaj: 65 % e bizneseve e kanë tatimin e fitimit zero; fokus lehtësitë në bujqësi

Ministri i Financave dhe Ekonomisë prezantoi sot në Komisionin e Ekonomisë Paketën Fiskale 2019.

Sipas Ahmetaj, kush fiton më shumë paguan më shumë, ata që fitojnë më pak paguajnë më pak.

“Kemi ulur barrën fiskale për qytetarët. Qeveria mbetet e angazhuar për konsolidimin fiskal.
Nga viti 2016 dhe në vijim politikat e qeverisë kanë synuar reduktimin e barrës fiskale nëpërmjet uljes së taksave. Masat kanë përmirësuar klimën e të bërit biznes në vend. Për herë të parë u vendos marrëdhënie me sipërmarrjen, ku kjo e fundit ka mundësi të vetkorrigjohet për një periudhë më te madhe se 12 muaj.”- deklaroikreu i financave shqiptare.
Në vijim të raportimit të tij, Ahmetaj rikujtoi se në maj të 2018 nisën diskutimet me grupet e interesit për Paketën Fiskale. “Jemi konsultuar me sipërmarrjen që nga prilli 2018, për të arritur në këtë konkluzion.”- theksoi ministri.

Sipas tij, qëllimi i Paketës Fiskale është ulja e barrës fiskale nepërmjet uljes të të ardhurave tatimore, incentivi i sektorëve nëpërmjet lehtësimit dhe përjashtimeve tatimore. “Paketa e qershorit 2018 që vlet të ritheksohet, nga 15% në 5% për bizneset me të ardhura nga 5 deri në 14 milionë lekë. Pas kësaj mase vetëm 9 % tatohen me normën 15%, 26% e tyre e kanë tatimin 5% dhe 65% e biznesit e kanë tatimin mbi fitimin 0%.”- tha ministri.

Duke listuar përjashtimet, ministri Ahmetaj theksoi se për të nxitur bujqësinë, do të përjashtohen nga tatimi fermerët që punojnë si shoqëri bashkëpunimi.
“ Bujqësia do të jetë një nga sektorët më të mbështetur me fonde, por edhe nga sistemi fiskal. Kemi mundësi që te hedhim në bujqësi mbi 100 milionë dollarë. Kanë hequr pragun prej 5 milionë lekë për përfitimin nga rimbursim. Planifikojmë një stimulim të mëtejshëm të sektorit të agroturizmit.”- tha ministri, duke listuar gjithashtu si pjesë të përjashtimeve nga tatimi edhe panelet diellore.

Në vijim të raportimit të Paketës Fiskale 2019, kreu i financave tha se tatimi mbi dividendin ulet nga 15 në 8%.” Parashikohet stimul per të gjithë fitimet e kapitalizuara. Rritja e kufirit të pagës me taksim 13%. Sipërmarrja do të përfitojë me uljen me 2/3 e ambalazheve plastike dhe 1/3 për ambalazhet e qelqit. Gjithashtu, përjashtim nga tvsh do të kenë makineritë bujqesore për të nxitur fermerët për të investuar. Përjashtimi nga TVSh do të përfshijë edhe nënkontraktorët në sektorin fason. “- tha ministri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: