Kosova

Reagon BE pas konfliktit të ri tregtar Kosovë-Serbi

Pas ngritjes nga Kosova të tarifës së importit për Serbinë, zëdhënësja e BE-së ka kërkuar sqarim urgjent dhe tërheqje të vendimit të qeverisë së Kosovës për të shtuar taksat për mallrat serbe.

Zëdhënësja e BE-së për Çështjet e Politikës së Jashtme, Maja Kocijančič, ka kërkuar sqarim urgjent dhe tërheqje të vendimit të së martës të qeverisë së Kosovës, për futjen e tarifave shtesë për produktet e Serbisë dhe ato të Bosnjë e Hercegovinës, një vendim që ka hidhëruar edhe Beogradin zyrtar.

Qeveria e Kosovës, të martën, në mbledhjen e saj të fundit ka ngritur tarifën e importit prej 1 për qind në 11 për qind, një veprim që nga zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, konsiderohet të jetë përgjigje ndaj fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. “Nuk mund të kemi normalizim përderisa Serbia vazhdon sulmet ndaj shtetit të Kosovës përmes fushatave anti-evropiane. Masat në import janë hapi i parë, sidoqoftë, qeveria e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta mbrojtur sovranitetin dhe interesin e vendit,” ka thënë Hoxhaj.

Kosova shkel CEFTA-n

Zëdhënësja e BE-së këto masa i ka quajtur shkelje e pastër e obligimeve të Kosovës në marrëveshjen e tregtisë së lirë rajonale të quajtur CEFTA. “BE pret që Kosova, që tash mban presidencën e CEFTA-së, të plotësojë obligimet e veta tërësisht dhe të heqë masën”, ka thënë ajo në një deklaratë me shkrim. “Vendimi i qeverisë së Kosovës minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në frymën e marrëveshjes së MSA-së”, ka shtuar ajo.

Në vijë me reagimin e Kocijančič ka reaguar edhe shefi i zyrës së qeverisë Serbe për Kosovë Marko Gjuriq, duke paralajmëruar se dialogu nuk do të vazhdojë pa u hequr tarifat shtesë. Ai këtë masë e ka konsideruar si reagim në panik i zyrtarëve të Kosovës “të cilëve po ju shkatërrohet projekti i shtetit”.

Më herët mediat në Kosovë dhe burime në Bruksel, patën paralajmëruar se do të ketë një takim në mes të Presidentit serb Vuçiq dhe atij kosovar Thaqi në Bruksel. Nuk dihet se si do të jenë implikimet e mëtutjeshme të veprimeve të fundit të Prishtinës. Sipas të dhënave zyrtare Kosova dhe Serbia kanë një shkëmbim të lartë tregtar, por të njëanshëm. Kosova vetëm në vitin 2017 ka importuar 447 milionë euro mallra nga Serbia, por ka eksportuar vetëm 47 milionë euro. Me këto shifra Kosova është partneri numër një i Serbisë në tregti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button