Opinion

Humbje që nuk vlerësohet si humbje

Nuk ka favor më të madh për Ramën dhe për qeverinë e tij se sa kjo lloj opozite. Jo vetëm pse po bën bojkot të Kuvendit dhe institucioneve, porse nuk di dhe nuk lejohet, nga ish kryetari i saj, që të vlerësojë humbjen si humbje për të gjetur rrugën e mundimshme të suksesit. Sepse Berisha i ka deleguar pasardhësit vetëm përgjegjësinë për humbjen e nesërme, por jo vendimmarrjen. Dhe sepse, po të analizohej humbja dhe përgjegjësia e humbjes, si do të vepronte çdo parti e përgjegjshme, e lirë dhe demokratike, kjo do të rrezikonte të parin atë, ish kryetarin…Ja  përse kongresi provoi edhe njëherë tjetër se partia shërben më shumë si bunker, se sa si një organizatë e lirë, e hapur dhe e çliruar nga “idhujt pa krena”. 

 

Nga Kiço Blushi

Njeriu i mençur humbjen nuk e vlerëson si katastrofë, si fundin e botës (më saktë të vetes), si fatkeqësi e mynxyrë, por di të nxjerrë prej saj përfundime e, pse jo, edhe përfitime; duke i gjykuar objektivisht e rreptësisht e një për një mangësitë, gabimet, rrugën, vendin dhe kohën e gabuar, aleancat, mjetet, qëndrimet, sjelljen dhe lajthitjet e bëra…, vetëm kështu humbja ka gjasë të mos përsëdytet. Se një humbje e dytë është ku e ku më e hidhët e më e rëndë se e para. Nëse fitorja të deh, ta mpin arsyen e sadokudo t’i djerr e t’i mpak energjitë, ndërsa humbja të kthjellon, të motivon e të mobilizon. Ka burra të mençur që thonë se nga humbja, pra, kush di të gjykojë si më sipër, di dhe mund të përfitojë nesër më shumë se nga një fitore. Vetëm kështu humbja të çon drejt suksesit të merituar.
Kjo aksiomë vlen ca më tepër për partitë dhe politikanët. Rrotacioni në demokraci është shpikur dhe funksionon pikë së pari për organizimet shoqërore, konkretisht për partitë dhe krerët e tyre që detyrohen të hyjnë herë pas here në garë; në një garë ku ka humbës sikundër ka dhe fitues. Gara shërben jo vetëm që të fitojnë më të mirët, por edhe që këta të mos e humbasin vetëkontrollin, të jenë përherë të përgjegjshëm, në provë, nën kontroll të opinionit publik, pasi, duke qenë përballë rrezikut të humbjes, automatikisht e rrjedhimisht këta detyrohen të mos dehen e të mos marrosen nga mbipushteti, si diktatorët e vetëshpallur të përjetshëm. Vështruar me këtë sy, humbja e pushtetit dhe rënia në opozitë nuk është katastrofë, nuk lipset të vlerësohet si fatkeqësi kombëtare, partiake, as klanore dhe, sigurisht, as vetjake, por si një proces i nevojshëm dhe mëse i domosdoshëm i funksionimit  normal të demokracisë.
Por a e gjykoi kështu PD dhe udhëheqësja e saj humbjen e 23 qershorit të shkuar në kongresin e parapakditshëm? Çfarë përfundimesh u nxorën nga humbja? A pati reflektim, program, apo ndonjë platformë për të ndrequr e për të garantuar anëtarësinë dhe zgjedhësit e nesërm se PD e sotme nuk do të përsëritë më gabimet e bëra në dy mandatet e kaluara? Le t’i shohim një për një vendimet e marra nga kongresi në fjalë.
U legjitimua edhe një herë kryetari i ri, Basha, pas dorëheqjes së kryetarit historik, themeluesit, Berishës. U ndryshua statuti me votim unanim. U zhvillua kongresi më madhështor në historinë tonë të pluralizmit, me 7500 delegatë. U zgjodhën dhe u përzgjodhën mbi 30% anëtarë rishtarë në Asamble, në forumin më të lartë të partisë. Të gjithë nën moshën 30 vjeç, gjë që në propagandë u përcoll si rinovim e rifreskim i paparë i radhëve të partisë. U kërkua për herë të parë ndjesë nga kryetari në detyrë (por jo nga ish kryetari historik) për gabimet dhe për arrogancën e disa drejtorëve dhe ministrave (por pa dhënë emra e shembuj konkretë) në vitet e fundit të qeverisjes 8-vjeçare…Habitërisht lajm qendror e parësor për mediat dhe për publikun u bë: kush qau dhe përse qau, teksa Berisha shqiptoi, i mallëngjyer, fjalinë: “edhe dy jetë sikur të kisha…”
Këto ishin, në vija të trasha, ç’ka na përcolli ky kongres i cilësuar madhështor. Besoj se nuk do të kem  harruar ndonjë vendimmarrje tjetër më të rëndësishme; besoj gjithashtu se ia vlen të analizohen të gjitha sa përmendëm, pasi bëhet fjalë për partinë më të madhe të opozitës, e cila synon të rimarrë shumë shpejt pushtetin, para fundit të mandatit të kësaj “qeverie kriminale”, me zgjedhje të parakohshme (si deklaroi i vendosur dhe mëse i bindur Berisha).
***
Nëse për çdo parti statuti quhet kushtetuta e partisë, dmth mjeti që bashkon  anëtarësinë dhe organizon jetën e brendshme dhe hierarkinë e partisë, ne pamë se si për disa minuta u miratuan, njëzëri, të gjitha ndryshimet statutore, të cilat, si na u kumtua zëplotë, do të demokratizonin dhe njësonin edhe më tepër PD-në me partitë e djathta evropiane. Nuk u shpjegua se cilat ishin këto ndryshime dhe përse do të sillnin përmirësimin e demokracisë së brendshme, madje as nuk u diskutuan, por u votuan njëzëri, me duarngritur, pa debat, pa asnjë kundërshti apo sugjerim, qoftë edhe formal, si dhe pa numërim të votave. Por më e rëndësishme se përmbajtja dhe se thelbi i neneve të ndryshuara mbetet fakti se si u votuan këto ndryshime statutore.
Kështu, nëse ishin 7500 delegatë, në sallë votuan, duke ngritur dorën, jo më shumë se 1500 delegatë, pasi salla nuk mund të merrte më tepër se kaq. Kjo do të thotë se në votimin live dhe unanim nuk morën pjesë gati 5000 delegatë, dmth shumica dërrmuese. Nuk ka dyshim se, po të zhvillohej votimi në një stadium ku mund të ishin të pranishëm të 7500 delegatët, të gjithë do të votonin po njësoj,  unanimisht, me dorën ngritur pas çdo numri që shqiptonte Halimi…Por kjo ama a nuk e bën votimin e ndryshimeve statuore kryekrejt formal, sa për sy e faqe?
U quajt sukses dhe mbështetje e madhe për partinë fakti që kishte 7500 delegatë. Por në cilindo vend të Evropës një kongres i tillë “madhështor” (ndoshta përveç atij të partisë komuniste kineze), bëhet i paadministrueshëm dhe mëse formal me një prurje kaq të madhe delegatësh. Prandaj edhe synimi për t’u mburrur me shumësinë e paparë të delegatëve, nuk dëshmon për mbështetje më të madhe, as për demokratizimin e brendshëm të partisë, aq më pak për dashurinë e rifituar të zgjedhësve të humbur e të zhgënjyer të 23 qershorit…Kjo përpjekje, tekefundit, është e njëjtë me ngulmin e propagandës shtirake që e rrit artificialisht numrin e mitingashëve nëpër fushatat zgjedhore.
Afërmendsh, në një sallë të kësollojtë, të rrëmbushur me klakerë nuk mund të diskutohet e nuk mund të rrihen mendime alternative, se nuk të dëgjon kush edhe sikur të të japin fjalën…Në një të tillë kongres “masiv” nuk dëgjohet asnjë zë tjetër, “ndryshe”, përveç krerëve kryesorë (kryetarit de jure dhe ish kryetarit de fakto) si dhe ca rioshëve karrieristë e çupërlinave në 30 vjeç që brohorasin ose  recitojnë hartime të shkruara nga të tjerët.
U quajt risi që u kërkua, më në fund, ndjesë publike nga Basha. Madje pati dhe  asish që pohuan se ja,  edhe tek ne po krijohet, më në fund,  ”kultura e ndjesës”. Sigurisht që ndjesa nuk erdhi prej ndikimit të Papa Françeskut, pasi ishte mirëfilli politike. Duke qenë se ndjesa ishte më së pari politike e më pas edhe morale, detyrimi numër një ndaj publikut do të kishte pas qenë të thuhej konkretisht e saktësisht ku është gabuar, kush ka gabuar, cili është dëmi që i është shkaktuar shoqërisë nga keqqeverisja…Një “ndjesë” e tillë quhet dobësi. Por analiza e një kongresi normal  do të duhej të sillte, pas ndjesës, shpjegimin e qartë dhe bindës përse nuk do të përsëriten më gabimet e së kaluarës që i kushtuan aq rëndë shoqërisë, derisa kjo votoi kundër në shumicë dërrmuese. Dhe më kryesorja: Cili ishte përgjegjësi kryesor i humbjes?
Asgjë e tillë nuk u dëgjua. Dy fjalimet  e dy kryetarëve, i pari propagandistik, i dyti orientues, e kërkuan fajin “jashtë gardhit”, te armiku i partisë, te qeveria aktuale e Ramës, si “më mafiozja e më kriminalja në Evropë e madje edhe në botë” që i gënjeu dhe i mashtroi qytetarët shqiptarë…Si rezultat të gjithë ish ministrat si dhe shumica e ish drejtorëve që në fund të mandatit nuk u sollën mirë me popullin, u rizgjodhën duke u nakatosur, për të ndrequr imazhin, me rioshët nën 30 vjeç, “operacion” ky që në fakt u bë nga Rama, para se të vinte në pushtet…
Si rrjedhim i gjithë ky kongres, i cilësuar madhështor, sosi te ky merak mbarëpopullor: qau dhe përse qau filan deputete, teksa fliste Berisha? Iku dhe përse iku nga salla zonja Topalli, teksa fliste Basha? E gjithë kjo farsë kongresuale tregon se humbja nuk është vlerësuar si humbje, gjë që do të thotë se PD ka për ta lënë vendin dhe shoqërinë gjatë me një opozitë që rreh ujë në hava me gogolin e komunizmit, me denoncimin e përditshëm të “bijve të etërve”, me demaskimin e rrjeteve mafioze e kriminale në qeveri, si dhe me faktin se përse u prish monumenti i dy gishtave në Kavajë…Dmth me llogje Kavaje, të cilat nuk i ha më kurrkush, ngaqë janë të stërpërdorura e të konsumuara për gati një çerek shekulli nga goja e të njëjtit njeri.
Nuk ka favor më të madh për Ramën dhe për qeverinë e tij se sa kjo lloj opozite. Jo vetëm pse po bën bojkot të Kuvendit dhe institucioneve, porse nuk di dhe nuk lejohet, nga ish kryetari i saj, që të vlerësojë humbjen si humbje për të gjetur rrugën e mundimshme të suksesit. Sepse Berisha i ka deleguar pasardhësit vetëm përgjegjësinë për humbjen e nesërme, por jo vendimmarrjen. Dhe sepse, po të analizohej humbja dhe përgjegjësia e humbjes, si do të vepronte çdo parti e përgjegjshme, e lirë dhe demokratike, kjo do të rrezikonte të parin atë, ish kryetarin…Ja  përse kongresi provoi edhe njëherë tjetër se partia shërben më shumë si bunker, se sa si një organizatë e lirë, e hapur dhe e çliruar nga “idhujt pa krena”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button