Home / Bota / Forumi i Paqes në Paris – thirrje për ruajtjen e paqes në botë

Forumi i Paqes në Paris – thirrje për ruajtjen e paqes në botë

Forumi, një nismë e presidentit Macron, pasoi ceremoninë e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, që u mbajt në sheshin e Harkut të Triumfit në Paris. Në ceremoni morën pjesë dhjetëra udhëheqës shtetesh, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump dhe atë rus, Vladimir Putin.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në hapje të forumit, se ardhmëria e paqes është në duart e kombeve të botës.

“Historia pa dyshim do të kujtojë një tablo, atë të 84 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive, të bashkuar – edhe pse dje, ata përfaqësonin kombe në luftë, – që u mblodhën nën Harkun e Triumfit në paqe. Por, ajo që mbetet e pasigurt në të ardhmen, është mënyra se si do të interpretohet ky imazh. A do të jetë simboli ndriçues i një paqeje të qëndrueshme midis kombeve, apo, përkundrazi, fotografia e një çasti përfundimtar të unitetit, para se bota të zbehet në një çrregullim të ri?”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se paqja e sotme nuk mund të merret si e natyrshme dhe duhet punuar për të. Ajo tha se është brengosëse që disa synojnë të mbrojnë vetëm interesat e tyre dhe injorojnë lidhjet që kanë mbajtur paqen që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Shumë nga sfidat e sotme nuk mund të zgjidhen vetëm nga një komb, por së bashku. Prandaj na duhet një qasje e përbashkët. Nëse izolimi nuk ishte zgjidhje 100 vjet më parë, si mund të jetë sot në një botë kaq të ndërlidhur”, tha ajo.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se “shumë gjëra sot duket se marrin diçka nga fillimi i shekullit të 20-të (para Luftës së Parë Botërore) dhe viteve të ’30 -ta, duke nxitur frikën se mund të ketë zhvillime të paparashikueshme”.

Thaçi: Koha për marrëveshje historike më Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte në forum, tha se një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore me Serbinë, vetëm sa do ta promovojë paqen dhe sigurinë në rajon.

“Cila është alternativa e dialogut dhe marrëveshjes? Dhe kush nga ne, që jemi këtu, dëshiron të mendoj për pasojat afatgjate në rast se nuk arrijmë marrëveshje. Ndoshta luftëra, tragjedi dhe rritje të populizmit e të nacionalizmit. Prandaj, unë konsideroj që nuk duhet të presim që të kalojë edhe një gjeneratë tjetër, pa arritur një marrëveshje historike, paqësore Kosovë – Serbi. Ky është ‘momentumi’, tani duhet të veprojmë. Ky është kuptimi i thirrje sime”, tha presidenti Thaçi.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve dhe gjatë verës presidenti i Kosovës dhe ai Serbisë, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje që do të mund të përfshinte edhe prekjen e kufijve.

Por, këto ide, që janë shmangur në ligjërimin politik të ditëve të fundit nga të dy presidentët, nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të Ballkanit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: