Home / Kronika / Gjykata lë në burg pedagogun Shoraj, angazhohej edhe me politikë

Gjykata lë në burg pedagogun Shoraj, angazhohej edhe me politikë

Dritan Shoraj ka qenë i dënuar nga Gjykata e Apelit e Venecias me 4 vite për trafik droge. Shoraj ushtron profesionin e pedagogut në Universitetin e Ekonomisë në Tiranë. Masa e arrestit me burg u la për faktin se ai do të ekstradohet drejt Italisë.

Doktori i shkencave Dritan Shoraj, lektor në Fakultetin Ekonomik në Tiranë dhe në Universitetin e Durrësit, u kap nga forcat Operacionale pas një kërkese të autoriteteve italiane. Shoraj ishte lektori i lëndës për Menaxhim të Bizneseve dhe Koorporatave

Ai prej vitesh jepte leksione në auditorët e universiteteve, por në të njëjtën kohë, emri i tij gjendej në listën e të kërkuarve për çështje të trafikut të narkotikëve. Emri i doktorit Dritan Shoraj i është përcjellë Shqipërisë përmes Interpolit dy ditë para se ai të arrestohej. Sipas të dhënave zyrtare të Fakultetit Ekonomik, që prej vitit 2014, Shoraj mban titullin Doktor Shkencash në Ekonomi.

Ndërsa mësohet se ai angazhohej edhe pranë strukturave të Partisë Demokratike, për çështjet e ekonomisë. Në fotot e tij, të postuara në rrjetet sociale, Shoraj rezulton se është një ekspert ekonomie që në jo pak raste ka qenë i ftuar në disa media shqiptare. Megjithëse mund të ketë qenë në dijeni të një dënimi në Itali, për aq kohë sa vendimi i formës së prerë ishte dhënë nga Gjykata e Apelit të Venecias, sërish ai ka qenë aktiv në rrjetet sociale, ku herë pas herë publikonte fotografi të ndryshme, herë i rrethuar nga libra, gjatë orëve të leksioneve, apo edhe gjatë udhëtimeve të tij jashtë Shqipërisë.

Më 22 shkurt të vitit 2016, Dritan Shoraj u filmua gjatë protestës së PD-së në Tiranë, ku kishte lënë orët e mësimit në auditor dhe kishte qëlluar me shkelma mbi një qytetar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: