Opinion

Një projekt për PD

BASHA-GRUPI-PDFlamur Kuçi

Kuvendi mbaroi dhe i vetmi lajm ishte një ndjesë sipërfaqësore dhe e pasinqertë e kryetarit, ndërkohë që nuk u artikulua asnjë projekt politik për reformimin e PD, projekt që do të duhej të ngjallte besimin e mbështetësve të PD për një performancë dinjitoze opozitare përballë një qeverisjeje defektoze dhe diletante.

Pa dashur të ndalem gjatë, te pseudo-ndjesa të bën përshtypje tendenca e minimizimit të fenomeneve që çuan në disfatën e 23 qershorit. Nga njëra anë, teza politike para Kuvendit ishte që ‘zgjedhjet u humbën për shkak të blerjes së votave’. Nëse teza qëndron, nuk duhet të kishte vend për ndjesë, nëse ndjesa do ishte e sinqertë, do duhej publikisht të pranohej rënia e tezës së zgjedhjeve të blera. Madje paradoksi ishte që pa mbaruar mirë zhurma e ndjesës për korrupsionin dhe humbjen, një pjesë e shkaktarëve e tyre, sipas adresimit të kryetarit, u promovuan në përzgjedhjen e forumit drejtues të PD. Pastaj nuk është për t’u çuditur që ndjesa siguron edhe ‘mbështetjen’ e sallës…

Megjithatë, ajo që shqetëson më tepër mbështetësit e PD, dhe vetëm si i tillë edhe artikullshkruesin, është; a ka një projekt për reformimin dhe ringritjen e PD?

Nuk e kam fjalën për projektin e kryetarit për t’u bërë Kryetar, nuk e kam fjalën për projektin tij për të sunduar më në fund në PD, por për një projekt që jep shpresë për ringritjen e PD përmes principeve dhe rregullave. PD ka histori rënieje dhe ringritjeje, por ajo ka arritur të ringrihet vetëm duke evokuar principe dhe vlera. Do ishte më shpresëdhënëse që PD të ndiqte këtë formulë sesa të ndjekë formulën e PS-së së 2009-s. Është shqetësuese të mendosh që edhe PD mund të kalojë përmes një procesi G99-izimi (mesa duket tundues për kryetarët e partive), vetëm e vetëm sepse në këtë formë nuk vihet në ‘rrezik’ autoriteti i ulët dhe jo shpresëdhënës i kryetarit. Nëse PD duhet të ndjekë një model, më mirë të ndjekë modelin e saj sesa të kopjojë modelin e PS.

Nuk e kam as fjalën për projektin e kryetarit për t’i dhënë PD-së një shtëpi të re, qoftë kjo edhe SHQUP-i, (fatkeqësisht edhe kjo një paralele e frikshme me modelin Rama që ndërronte fasadën e selisë së partisë së tij në emër të reformimit). Por e kam fjalën për një projekt që të mos SHQUP-ëzojë PD-në dhe të mos ta kthejë atë në një vend ahengxhinjsh të rinj që u vë një mikrofon para për të kënduar me sazet e vjetra, apo ku të luajnë tavëll pensionistët që kryetari i ri pretendon se po kërkon të ‘pastrojë’. E kam fjalën për një projekt që synon dekriminalizimin e politikës në tërësi (dhe jo të mjaftohet thjesht duke evidentuar këtë fenomen shqetësues vetëm në bahçen tjetër).

Ndoshta dikush mund t’i lexojë këto radhë si ‘opozitë e opozitës’. Por në fakt, ato janë shqetësimi real i mbështetësve të PD-së që duan ta shohin familjen e tyre politike të shëndoshë. Në fakt, kurrkush më shumë se sa kundërshtari politik nuk do të dëshironte ta shihte PD-në pa një projekt real reformimi dhe pa një perspektivë ringritjeje.

Vendi përballet me një keqqeverisje të dukshme, shoqëria me problematika shqetësuese dhe politika me sfida reale. PD nuk mund të endet me projektin “Do na vijë edhe ne radha e pushtetit, fundja siç i erdhi PS-së”. PD duhet ta bëjë mision të vetin përfaqësimin real të shqetësimeve të shoqërisë për gjendjen ku është sot vendi. PD duhet ta bëjë mision ringritjen përmes vlerave, jo për pushtetin e kryetarit, por për hallin e qytetarit. Për këto PD ka ende nevojë për një projekt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button