Kronika

E krahasuan me Lleshin, kolonel Demiraj: Fake News, isha në lirim

Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka reaguar me një status në “Facebook” pas deklaratave se rasti i dekretimit të Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm është i ngjashëm me të tijin.

Demiraj që gjithashtu vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake, thotë se këto ditë ka pasur shumë “Fake News” në adresë të emrit të tij, të prodhuara sipas tij nga parazitë politikë.

Ai thekson se nuk mund të ketë asnjë paralelizëm ligjor dhe logjik midis rastit të dekretimit të tij si Ministër i Brendshëm nga Presidenti Bujar Nishani dhe kandidatit për MPB Z. Lleshi.

“Në gjykimin tim rastet janë diametralisht të kundërt, ku emërimi im si Ministër i Brendshëm u bë në një kohë të vështirë për vendin dhe politikën shqiptare pra si Ministër Teknik dhe statusi im në atë kohë ishte ushtarak në lirim dhe jo aktiv në Forcat e Armatosura, duke vazhduar jetën familjare dhe akademike në USA, si dhe i pa angazhuar politikisht në asnjë parti politike”, shprehet Demiraj.

Pasi ka fituar gjyqin për t’u rikthyer në FA, ai thotë se më datën 23 prill 2018, me Urdhër të Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka është rikthyer në shërbimin aktiv si kolonel dhe ka qenë në dispozicion të FA për t’u emëruar në një detyrë koloneli.

Por në datën 24.05.2018 në bazë të Urdhrit të Ministres së Mbrojtjes Znj. Olta Xhaçka me urdhrin Nr.718, 24.05.2018, pas kërkesës së tij për arsye parimore e morale ka dalë në rezervë nga FA.

STATUSI I DEMIRAJT
Të nderuar miq!
Një vend i lirë kërkon që qytetarët e saj të marrin informacion për çështje që kanë nevojë për vëmendje për të nxitur demokracinë, qeverisjen e mirë dhe zbatimin e ligjit.
Mediat duhet të veprojnë si një katalizator për demokracinë dhe zhvillimin. Që publiku të besojë se çfarë lexon, dëgjon dhe shikon në mediat e ashtuquajtura të pavarura, “produkti” duhet të jetë i besueshëm.

Fatkeqësisht me keqardhje këto ditë në mediat sociale kam dëgjuar nga shumë “hale-ista magnetizues” politikë që shpërdorojnë fjalën publike duke dhënë “Fake Neës” në adresë të emrit dhe emërimit tim si MPB.

Këto lajme të gënjeshtra, të qëllimshme, të paramenduara me kujdes, janë tregime të shpifura të prodhuara nga parazitë politikë dhe lançuar nga pseudo-gazetarë për të ngatërruar opinionin publik që të besojnë dhe të pranojnë gënjeshtrën e mashtrimin si të vërtetë.
Nëse do të shikojmë pasojat që sjell për një popull, kjo pseudo-media e tejskajshme politizuese, mund të krahasohet me epidemitë vdekjeprurëse të mesjetës (mortajës), ku popullin po e asgjësojnë moralisht, mendërisht, ekonomikisht, fizikisht dhe politikisht.Nisur nga rastet e publikuara sot në media, bëj me dije opinionit publik dhe mediave serioze e të përgjegjshme në vend, se nuk mund të ketë asnjë paralelizëm ligjor dhe logjik midis rastit të dekretimit tim si Ministër i Brendshëm nga Presidenti Z. Bujar Nishani dhe kandidatit për MPB Z. Lleshi. Në gjykimin tim rastet janë diametralisht të kundërt, ku emërimi im si Ministër i Brendshëm u bë në një kohë të vështirë për vendin dhe politikën shqiptare pra si Ministër Teknik dhe statusi im në atë kohë ishte ushtarak në lirim dhe jo aktiv në Forcat e Armatosura, duke vazhduar jetën familjare dhe akademike në USA, si dhe i pa angazhuar politikisht në asnjë parti politike.

Le t’ju njoh me faktet kokëforta për të qenë sa më transparent:
Jam liruar nga Forcat e Armatosura nga Mimi Kodheli me datë 1 Dhjetor 2014.
Jam emëruar Ministër i Brendshëm në bazë të marrëveshjes politike pozite-mazhorance dhe dekretuar me Nr. Dekreti 10356, në datën 22 Maj 2017. Pas përfundimit të detyrës si Ministër i Brendshëm, kam vazhduar angazhimin tim ligjor për të vendosur të drejtën dhe dinjitetin që më kishte mohuar ish-MM Kodheli. Kështu, me Vendim Nr.3564, datë 19.07.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë më është dhënë e drejta e rikthimit në Forcat e Armatosura. Pas këtij Vendimi të Gjykatës të lartëpërmendur jam rikthyer në FA pa u emëruar në ndonjë detyrë, duke pritur për rreth 8 muaj.

Në datën 23 Prill 2018, me Urdhër të Ministres së Mbrojtjes Znj. Olta Xhaçka jam rikthyer në shërbimin aktiv si kolonel dhe kam qenë në dispozicion të FA për tu emëruar në një detyrë koloneli.
Në datën 24.05.2018 në bazë të Urdhrit të Ministres së Mbrojtjes Znj. Olta Xhaçka me urdhrin Nr.718, 24.05.2018, pas kërkesës sime për arsye parimore e morale kam dalë në rezervë nga FA.

Pra siç e vërtetojnë dhe dokumentet në kohën si MPB kam qenë ushtarak në lirim.
Në lidhje me dekretimin e Z.Lleshi, nuk dua të bëhem pjesë e një debati konstitucional, pasi në moralin tim personal dhe profesional mendoj që kjo çështje i takon institucioneve kushtetuese dhe ekspertëve të fushës juridike dhe jo “hallvaxhinjve” që mendojnë si gjithëtëditur.
P.S: Ndjesë për të gjithë ata gazetarë/apo media profesioniste e serioze që janë korrekt dhe pasqyrojnë të vërtetën duke informuar publikun dhe opinionin shqiptar me lajme të vërteta.

  • foto galeri
  • foto galeri

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button