Home / Politika / Karta e Adriatikut, Shqipëria merr kryesimin në 2019

Karta e Adriatikut, Shqipëria merr kryesimin në 2019

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të SHBA – Karta e Adriatikut (Shqipëri, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni dhe Bosnje – Hercegovinë), takim i mbajtur në Budva (Mali i Zi). Shqipëria, përmes Ministrisë së Mbrojtjes do të marrë kryesimin e A-5, pas më pak se dy muajsh.

Ministrja Xhaçka, në cilësinë e mikpritëses së takimit të ardhshëm në Tiranë, i ftoi homologet e vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, që të mbështesin nismën e Shqipërisë, për t’i hapur dyert edhe për vende të tjera që aspirojnë të jenë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Ka ardhur koha që përpara se t’i kërkojmë NATO-s të hapë dyert e veta, duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të hapim dyert për njeri – tjetrin, pikërisht këtu në shtëpinë tonë. A-5 duhet të bëhet A-6 dhe vitin e ardhshëm, gjatë të cilit Shqipëria do të kryesojë A-5, të gjithë duhet të mirëpresim Kosovën për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative, pararendëse për integrimin e rajonit në NATO”,- deklaroi ministrja Xhaçka gjatë takimit.

Ajo gjithashtu nënvizoi se duhet forcuar bashkëpunimi dhe dialogu politik dhe se ka ardhur koha për më shumë qartësi dhe vizion afatgjatë për objektivat e përbashkëta. “Shqipëria do të mbetet gjithmonë e angazhuar mbi vlerat dhe parimet bazë të Kartës së Adriatikut duke vazhduar dialogun politik dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet anëtare të A5”, – tha ministrja e Mbrojtjes.

Pjesëmarrësit në takim, mes të cilëve edhe zëvendësasistentja e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper vlerësuan rolin pozitiv të Shqipërisë në rajon, veçanërisht sa i takon politikës së dyerve të hapura. Në përfundim, ministrat e Mbrojtjes të Kartës së Adriatikut nënshkruan një deklaratë ku angazhohen për të bashkëpunuar në mbrojtjen nga kërcënimet e përbashkëta.

Leave a Reply

%d bloggers like this: