Home / Rajoni / Ana Brnabiq: „Ende nuk jemi të përgatitur për BE“

Ana Brnabiq: „Ende nuk jemi të përgatitur për BE“

Intervistë  e Deutsche Welles, me Ana Brnabiq, kryeministre e Serbisë, në Conflict Zone. Brnabiq u përball me pyetje shumë të pakëndshme për Kosovën, reformat, perspektivën e Serbisë.

Tim Sebastian (DW): Një prej kushteve që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është normalizimi i obligueshëm i raporteve me Kosovën, të cilën ju nuk e njihni. Negociatat po vazhdojnë kohë pas kohe, por ndonjëherë edhe po ndërpriten. Pse BE duhet të merret me këto grindje? A nuk jeni ju një problem tepër i madh për BE?

Ana Brnabiq: Mendoj se sa është i madh interesi ynë që t’i bashkohemi BE-së, aq i madh është edhe interesi i BE për zgjerim në Ballkan. BE është në radhë të parë një projekt paqësor dhe i suksesshëm, sepse për herë të parë në Evropë kemi një paqë afatgjate.

TS: Mirë ky është mendimi juaj, por BE ka thënë qartë se nuk do të importojë probleme të reja bilaterale. Jean Claude Juncker e ka thënë këtë vitin e kaluar. Kjo është e qartë apo jo?

AB: Po e qartë është.

TS: Pra nuk do ta importojë problemin tuaj me Kosovën.

AB: Kjo është absolutisht e qartë…

TS: Nëse nuk e zgjidhni këtë problem, nuk do të futeni në BE, apo jo?

AB: …kjo është për mua normale. Mendoj se kjo është në natyrën e punës. Sikur të isha BE edhe unë do të kërkoja të njëjtën gjë.

TS: Por ju nuk do të dakordoheni shpejtë, këtë e keni pranuar vet. Pra nuk do të keni ndonjë perspektivë të futjes në BE, në një të ardhme të shpejtë?

AB: Këtu nuk pajtohem tërësisht me ju, sepse termini më i afërt i anëtarësimit të mundshëm në BE për ne është viti 2025. Ndaj mendoj se ekziston mundësia që deri në vitin 2025 të nënshkruajmë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e raporteve me Prishtinën.

TS: Por në këtë moment, nuk duken gjërat kështu.

AB: Nuk e them se kjo do të ndodhë. Them se Serbia ëshë e përkushtuar për këtë. Kjo nuk varet vetëm nga Serbia, varet edhe nga Prishtina dhe aleatët tanë. Ndaj mendoj se ne po shkojmë drejt BE-së. Për mua është me rëndësi që t’i implementojmë të gjitha reformat me qëllim që shoqëria jonë të jetë politikisht dhe ekonomikisht e pjekur për BE.

TS: Kështu thoni ju, por BE nuk është aspak e kënaqur me gjendjen e reformave dhe për këtë do të flasim pak më vonë. Javën e kaluar BE…

AB: As këtu nuk do të pajtohesha me ju. Së pari… në strategjinë e BE-së, Serbia dhe Mali i Zi janë shënuar si dy vende lidere. Do të thosha se kjo është larg dëshpërimit me reformat që po zbatojmë.

TS: Por BE po ngopet ngadalë me ju. Në Samitin e Sofjes në maj dhe më vonë në Londër është bërë e qartë se ka një raport të vakët ndaj gjashtë vendeve ballkanike që duan në BE. Nuk flitet për afate anëtarësimi, ndërkohë që opozita e futjes në BE është e fuqishme, në krye me presidentin francez Macron. 

AB: Më lejoni të them: Mendoj se nuk keni të drejtë të thoni se BE është e ngopur me ne. Kjo nuk është diplomatike. Dhe mendoj se këtë nuk mund ta pohoni në emër të BE.

TS: Shikoni se çfarë ka thënë Macroni.

AB: Sikur BE të ishte ngopur me ne, nuk do të hapeshin kapituj të ri në negociata. E ne në mënyrë konstante jemi duke hapur kapituj të rinj që do të thotë se trendi i ecjes drejt BE po vazhdon.

TS: Kjo nuk është në harmoni me atë që thotë presidenti Macron, i cili ka thënë se zhvillimet e 15 viteve të fundit e kanë dobësuar BE-në. “Nuk mendoj se vendeve kandidate u bëjmë shërbim, por as neve, me këtë mekanizëm pa rregulla, ku shkohet gjithmonë drejt zgjerimit më të madh”, ka thënë Macron. Kjo nuk tingëllon si mirëseardhje.

AB: Jam dakord me presidentin Macron 100%. Nuk mendoj se zgjerimet në të kaluarën kanë qenë në veçanti të suksesshme. Mendoj se…

TS: E nuk duket se do të ishte i suksesshëm as në rastin tuaj.

AB: …mendoj se kjo është pasojë e një anëtarësimi të këtillë, sepse vendet që anëtarësohen nuk kanë ekonomi konkurrente, që vlen edhe për bujqësinë. Ato vuajnë nga ikja masive e njerëzve të shkolluar dhe në këtë mënyrë dobësohet e gjithë BE.

TS: Po pse pra nuk po e ngrini idenë për anëtarësim? Ndaloni të merrni para nga fondet e BE, zgjidhni problemet bilaterale me Kosovën dhe gjithë të tjerët…

AB: Çfarë fonde? Si mendoni “ti ngrijmë”?

TS: Sa para merrni nga BE? Me qindra miliona…

AB: Marrim… shumë më pak se kjo shumë. Ekzistojnë fondet e e destinuara për vendet kandidate, që janë shumë më të vogla se ato të vendeve anëtare të BE.

TS: Por krijohet përshtypja se këtë e bëni vetëm për para, apo jo?

AB: Kjo është tërësisht e pavërtetë.

TS: Presidenti juaj Vuçiq…

AB: Mund të flas unë, apo ju do të bëni intervistw me vetveten? Dua të them diçka… Së pari, gjithmonë u kemi thënë qytetarëve tanë se BE nuk e shikojmë si një arkë me para. Kualiteti i jetës, vendet e punës dhe rrogat më të mira duhet të vijnë nga vet ne, nga fuqia e ekonomisë sonë. Duam të jemi pjesë e BE,. sepse ky është një projekt paqësor dhe ndajmë të njëjtat vlera me BE-në.

TS: Nëse kjo është e vërtetë, pse Vuçiqi kur ka qenë kryeministër, ka deklaruar në Tiranë: “Mjaft me seminare. Na duhen para nga fondet e BE-së. Atëherë do të shihni buzëqeshjen në fytyrat tona.” Kjo është shenjë e qartë se ai interesohet vetëm për para.

AB: Do të thosha se këtë deklaratë e keni nxjerrë tërësisht nga konteksti, nëse është e vërtetë. Mua nuk më kujtohet një deklaratë e këtillë.

TS: E vërtetë është. E kanë emetuar agjencitë tuaja të lajmeve.

AB: Nëse presidenti Vuçiq ka thënë diçka, që nga koha kur ka qenë kryeminsitër, ajo është se BE-në nuk e shikojmë vetëm si një arkë me para. Duhet të kujdesemi për ekonominë tonë, për vendet e punës, për infrastrukturën. Serbia në BE shkon me një qëllim tjetër. Një çështje tjetër është nëse ajo do të jetë e gatshme që të anëtarësohet në BE deri në vitin 2025. Nëse më pyesni mua, sikur BE të thoshte mund të anëtarësoheni nesër, unë do të përgjigjesha “jo” sepse nuk jemi të gatshëm! Në të kundërtën do të kishim një situatë të keqe për Serbinë dhe BE-në. Ne jemi më shumë të interesuar për reforma.

TS: Kryeministre, kur flitet për Kosovën, ju tërë kohën po i ngrini stekën. Thoni se duhet të arrihet marrëveshje e përgjithshme, duke përfshirë të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, bashkëpunimin ekonomik, mësimin e dy gjuhëve, trashëgimia kulturore… Kështu keni deklaruar së fundi në një intervistë.

AB: Absolutisht. Po pse kjo është “ngritje e stekës”? Kjo është një marrëveshje gjithpërfshirëse, çfarë ngritje steke?

TS: Për këtë ju duhet shumë kohë, të paktën 10 vjet. Pse BE duhet të presë kaq gjatë?

AB: Kush po thotë se BE do të presë kaq gjatë? Nëse kjo zgjatë 20 vite, kjo do të thotë se nuk do të anëtarësohemi fare në BE. Askush nuk thotë se BE duhet të presë kaq gjatë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: