Home / Kosova / Qeveria norvegjeze përkrah Kosovën në zbatimin e MSA-së

Qeveria norvegjeze përkrah Kosovën në zbatimin e MSA-së

Sot, me një ceremoni, para medieve, u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Europian dhe Qeverisë Norvegjeze, në këtë takim u nënshkrua Projekti përkrahës për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në zbatimin e MSA-së. Qeveria e Norvegjisë, përmes kësaj marrëveshjeje ia ka deleguar Ministrisë së Integrimit Europian zbatimin e këtij projekti.

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad, theksoi rëndësinë e procesit integrues si dhe zbatimin e MSA-së, proces ky tejet i rëndësishëm që bën përafrimin e Kosovës me BE-në. Ata ofruan përkrahje të mëtejme për këtë proces, duke besuar fort se Kosova është brenda axhendave integruese si dhe vlerave të këtij integrimi.

Siç ka treguar përvoja e të tjerëve, procesi i Integrimit Europian është kompleks dhe kërkon reforma thelbësore, theksoi ministrja Hoxha. Kapacitetet njerëzore, theksoi ajo, luajnë një rol vendimtar në të. Për këtë qëllim, ne kemi identifikuar një numër fushash prioritare për të ndërtuar kapacitetet tona për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit dhe avancimin në procesin e pranimit, vuri në dukje ministrja Hoxha.

Ministrja falënderoi qeverinë norvegjeze dhe stafin e MIE për kontributin e tyre në zhvillimin e këtij projekti.

Ministrja Hoxha ka cekur fushëveprimin e projektit – 9 kapituj të acquis-së (legjislacioni i BE-së) për zbatimin e MSA-së, si Kapitulli 4, Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 9, Shërbimet financiare, Kapitulli 10, Shoqëria e informacionit dhe mediet, Kapitulli 15, Energjia, Kapitulli 18, Statistikat, Kapitulli 19, Politikat sociale dhe punësimi, Kapitulli 27, Mjedisi, Kapitulli 28, Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit publik si dhe Kapitulli 32, Kontrolli financiar.

Projekti zgjat tri vjet, 2019 – 2021, ndërsa buxheti i planifikuar është rreth 1,4 milion euro.

“Qëllimi i projektit është mbështetja e administratës publike të Kosovës në zbatimin e MSA-së dhe përgatitjen e institucioneve publike për anëtarësim në BE në kapitujt e sipërpërmendur të acquis-së”, theksoi Ministrja.

Objektivat e projektit janë forcimi i kapaciteteve institucionale në fushat e acquis-së si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për përafrimin e legjislacionit në fushat e acquis-së.

Përfitues të këtij projekti janë Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Financave, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Infrastrukturës, Komisioni i Pavarur për Media, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit për Energji, Agjencia Kosovare për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë si dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: