Politika

Rama në Vjenë: Liberalizimi i vizave për Kosovën, pas zgjedhjeve evropiane

“Ne kemi përmbushur të gjitha 95 kriteret”, tha Haradinaj, duke shtuar se regjimi pa viza do të ishte një mundësi që Kosova të jetë partner edhe në fushën e ekonomisë me vendet evropiane.

VJENË (AA) – Në Vjenë të Austrisë ka filluar takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, për të diskutuar bashkëpunimin rajonal midis vendeve të këtij rajoni, raporton Anadolu Agency (AA). Pas një takimi me kancelarin austriak dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Ballkani Perëndimor është shumë i angazhuar në bashkëpunimin rajonal. Ai theksoi se ky rajon është shumë mirënjohës për punën tutoriale të përfaqësuesve evropianë, që janë të angazhuar për perspektivën euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai përshëndeti “I jam mirënjohës kancelarit Kurz në emrin tim personal dhe në emrin e popullit shqiptar për qëndrimet e tij shumë të qarta mbi perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit dhe po ashtu për betejën e tij për hapjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, për të cilën shpresoj se do të vijë të paktën pas zgjedhjeve evropiane”, deklaroi kryeministri Rama.

Rama përshëndeti perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se rajoni është duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe se është duke kuptuar se është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe dhuratë, por shprehu bindje se do të jenë në gjendje të tejkalojnë problemet dhe t’u ofrojnë popujve të rajonit “atë që ata meritojnë”.

Haradinaj: Nëse në Evropë nuk ka gatishmëri për liberalizimin e vizave, kjo nuk do të ishte sinjal i mirë për popullin e Kosovës

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova ka arritur progres në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Haradinaj tha se Kosova ka qenë në një fazë më të vonshme në progres në krahasim me fqinjët, duke shtuar se ajo që është e rëndësishme për vendin është regjimi pa viza.

“Ne kemi përmbushur të gjitha 95 kriteret. Ato janë teknike dhe politike, kështu që ne jemi gati dhe jemi vend shumë i përgjegjshëm”, tha Haradinaj, duke shtuar se regjimi pa viza do të ishte një mundësi që Kosova të jetë partner edhe në fushën e ekonomisë me vendet evropiane.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri i Kosovës tha se vendi i tij nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë nga dy fqinjët e saj, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, për shkak të barrierave jo-tarifore, duke thënë se mallrat dhe produktet e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në drejtim të ekonomive të tjera për shkak të këtyre barrierave.

“Megjithatë, ne kemi situatë të mirë me partnerët e tjerë, si Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Jo vetëm që nuk kemi barriera, por nuk kemi edhe probleme me barrierat jo-tarifore. Duhet t’i përmirësojmë marrëdhëniet dhe, po, ne jemi gati për këtë”, tha Haradinaj.

Haradinaj e cilësoi si sinjal jo të mirë për popullin e Kosovës nëse në Evropë nuk ka gatishmëri për regjimin pa viza.

“Dua të them se nëse sot në Evropë nuk ka gatishmëri për të vendosur për regjimin pa viza pas zbatimit të të gjitha kushteve, kjo nuk do të ishte sinjal i mirë për popullin e Kosovës, të cilit i është premtuar nga shumë zyrtarë në Prishtinë se nëse përmbushen të gjitha kushtet, dhe i fundit ishte demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, atëherë do të arrihej marrëveshja për regjimin pa viza”, deklaroi Haradinaj.

Angjushev: Deri në fund të janarit do t’i kalojmë të gjitha amandamentet nga marrëveshje me Greqinë

Ndërkaq, kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, në këtë takim në Vjenë e zëvendëson zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, i cili theksoi se takimi në Vjenë dëshmon angazhimin e fuqishëm të Austrisë për mbështetjen e saj në rrugën euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Maqedonia në periudhën e fundit është e angazhuar për zhvillimin e lidhjeve me fqinjët tanë. Ne kemi nënshkruar marrëveshje miqësore me Bullgarinë, në njëfarë mënyre tejkaluam mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë dhe jemi në fazën përfundimtare për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mendoj se do të jemi në gjendje t’i kalojmë përmes Parlamentit të gjitha amandamentet në Kushtetutë deri në fund të janarit”, deklaroi Angjushev, duke shtuar se shpreson që Parlamenti i Maqedonisë do të bashkojë forcat brenda për të tejkaluar këtë situatë dhe për t’i hapur rrugë integrimit të vendit në BE dhe NATO.

Angjushev tha se vend stabil për vendet e vogla, si Maqedonia, do të thotë i integruar në një siguri më të mirë dhe sisteme evropiane. Në këtë takim në Vjenë, do të diskutohen disa tema për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, përmes digjitalizimit për të zhvilluar bashkëpunimin rajonal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button