Kryeartikull

Mendimi në prag të ‘Luftës së Madhe’…

Nga: Perparim Kabo   

U mbushën 100 vite nga përfundimi Luftës së Parë Botërore. Faktet historike janë dëshmitë dhe statistikat gjithë po aq. Kur ajo mbaroi, ata që e shpunë botën në luftë u përpoqën të justifikoheshin se kishin luftuar për të mbrojtur atdheun dhe interesat e tij. Në fakt, ky ishte një shfajësim që donte të daraviste përgjegjësitë. “Lufta jo vetëm që shkatërroi pjesën më të madhe të trashëgimisë europiane si dhe miliona njerëz të saj, por ajo egërsoi dhe shumë prej atyre që mbijetuan. Pasionet nacionaliste… çuan gjithashtu në vrasje mizore të civilëve, qoftë nga gjermanët në Belgjikë, rusët në Galici, apo austriakët në Bosnjë… Pas luftës, në pjesën më të madhe të Europës, politikat karakterizohen nga dhuna, me vrasje të shpeshta dhe beteja jo të ndershme midis partive opozitare. Ideologjitë e reja totalitariste si fashizmi dhe komunizmi i stilit rus e nxorën organizimin dhe disiplinën e tyre nga ushtarakët dhe në rastin e fashistëve, ata frymëzimin e tyre e morën nga vetë lufta”. Si edhe u parashikua në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 – pas 20 vitesh do kishte luftë sërish. Dhe ashtu ndodhi. Nga kjo panoramë dritësohet një fakt, njerëzit që e çuan botën në Luftë e Parë Botërore me vendimmarrjen apo me mosveprimin e tyre, a mund të ndaleshin? Shkencat si antropologjia, filozofia, sociologjia, psikologjia, por edhe artet, kultura pse u treguan kaq të pafuqishme. A mos vallë nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte, nuk mundeshin, apo e ishin të pazonjat?

Më ka ngacmuar gjithnjë fakti që në prag të ‘Luftës së Madhe’, mendimi ishte në një vlag zhvillimi dhe përmbysjesh, pra dukej që ushqente një shoqëri të paqes dhe prosperitetit, përse nuk mundte pra së paku t’u thoshte njerëzve, civilizimit të kohës, se këta “burra shteti” që drejtojnë po na shpien në luftë. As një ngjarje e rëndësishme në historinë botërore, aq më tepër një luftë e këtyre përmasave, nuk mund të vijë një ditë krejt papritur në pragun e njerëzimit pa parahistorinë e vet. Si po zhvillohej mendimi në prag të “Luftës së Madhe”. “Historia e njerëzimit është pjesë përbërëse e historisë së natyrës” shkruante Edward Tylor, i cili është një nga baballarët e antropologjisë moderne…” dhe mendimet tona, vullnetet dhe veprimet përputhen me ligjet po aq të përcaktuara sa ato që drejtojnë lëvizjet e dallgëve, kombinimin e acideve dhe bazave si dhe rritjen e bimëve dhe të kafshëve”. Ky besim në shkencë quhej pozitivizmi… Edward Burnett Tylor (2 tetor 1832-2 janar 1917) ishte një antropolog anglez, themeluesi i antropologjisë kulturore. Idetë e Tylorit karakterizojnë evolucionizmin kulturor të shekullit të 19-të. Në veprat e tij, “Kultura Primitive” (1871) dhe “Antropologjia” (1881), ai përcaktoi kontekstin e studimit shkencor të antropologjisë, bazuar në teoritë evolucionare të Charles Lyell. Ai besonte se kishte një bazë funksionale për zhvillimin e shoqërisë dhe fesë, të cilën ai e përcaktoi se ishte universale. Tylori pohonte se të gjitha shoqëritë kaluan nëpër tri faza themelore të zhvillimit: nga egërsia, përmes barbarizmit në civilizim. Tylori është një figurë themelore e shkencës së antropologjisë sociale dhe veprat e tij shkencore ndihmuan në ndërtimin e disiplinës së antropologjisë në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe fillim shekullin XX. Ai besonte se “hulumtimet në historinë dhe parahistorinë e njeriut… mund të përdoren si bazë për reformën e shoqërisë…”. Tylori rimori sërish termin animism (besim në shpirtin individual ose anima e të gjitha gjërave dhe manifestimet natyrore) në përdorim të përbashkët. Ai e konsideronte animizmin si fazën e parë të zhvillimit të feveEvolucionizmi dallonte nga një besim tjetër, difuzionizmi, duke përcaktuar përhapjen e kulturës nga hapësirat e inovacionit. Nocioni i kulturës te Tylori përshkruhet më së miri në veprën e tij më të famshme, “Kultura Primitive” me dy vëllime. Vëllimi i parë, titullohet “Origjina e Kulturës” dhe trajton etnografinë duke përfshirë: evolucionin social, gjuhësinë, mitin. Vëllimi i dytë, titullohet “Feja në Kulturën Primitive” dhe merret kryesisht me interpretimin e animizmit.

Kultura ose qytetërimi, marrë në kuptimin e saj të gjerë etnografik është ajo tërësi, e cila përfshin: njohuri, besim, art, moral, ligj, zakon çdo aftësi dhe zakone të tjera të fituara nga njeriu si anëtar i shoqërisë. Në 1881 Tylor botoi një vepër të quajtur “Antropologji”, (për antropologjinë kishte folur edhe Aristoteli dhe Kanti) një nga të parat me atë emër. Në kapitullin e parë ai theksoi atë që do të bëhej një lloj deklarate kushtetuese për fushën e re, të cilën ai nuk mund të dijë dhe nuk kishte ndërmend në atë kohë: “Historia, për aq sa ajo kap nga e shkuara, tregon artet, shkencat dhe institucionet politike që fillojnë në shtete të varfra dhe bëhen në rrjedhën e epokave, më inteligjente, më sistematike, më të rregulluara ose të organizuara, për t’iu përgjigjur qëllimeve të tyre”. Tylori argumentoi se njerëzit e kishin përdorur fenë për të shpjeguar gjërat që ndodhën në botë, se animizmi është thelbi i fesë, se ai përshkruhet si besimi në shpirtrat që banojnë dhe animojnë qeniet, ose shpirtrat ekzistues te gjërat. Sipas tij, fakti që praktikuesit fetarë modernë vazhduan të besonin te shpirtrat tregonte se këta njerëz nuk ishin më të avancuar se shoqëritë primitive. Për të, kjo nënkuptonte se praktikuesit fetar modernë nuk i kuptojnë mënyrat e universit dhe se si funksionon vërtet jeta, sepse ata e kanë përjashtuar shkencën nga kuptimi i tyre i botës. Tylori e perceptoi besimin fetar modern në Zot si një “mbijetesë” të injorancës primitive. Megjithatë, Tylori nuk besonte se ateizmi ishte fundi logjik i zhvillimit kulturor dhe fetar, por në vend të tij pranonte një formë shumë minimaliste e deizmit monoteist. Kështu, Tylori paraqiti një përshkrim antropologjik të “eliminimit gradual të paganizmit” dhe zhgënjimit, por nuk mbërriti te sekularizimin.

Në 1871, Tylor botoi “Kulturën Primitive”, duke u bërë iniciatore e antropologjisë kulturore. Metodat e tij ishin etnografia krahasuese dhe historike. Ai besonte se një “uniformitet” ishte manifestuar në kulturë, e cila ishte rezultat i “veprimit të njëtrajtshëm të shkaqeve uniforme”. Ai i konsideronte shembujt e tij të koncepteve dhe praktikave etnografike paralele si tregues të “ligjeve të mendimit dhe veprimit njerëzor”, evolucionist. Për këtë arsye, detyra e antropologjisë kulturore, sipas tij është të zbulojë “fazat e zhvillimit apo evolucionit”. Por ja që lufta tregoi se e ndalon zhvillimin evolutiv, ndalon rrjedhat dhe e nxjerr instinktin shpagues në fushat e betejës. Vetëm në betejën e Verdunit u vranë po thuaj 1 milion burra. Shpesh studiuesit iu kthehen shifrave dhe ato gjithnjë kanë ardhur duke u shtuar. Luftimet u zhvilluan nga 21 shkurt deri më 18 dhjetor 1916. Ishte beteja më e madhe dhe më e gjatë e Luftës së Parë Botërore Frontin Perëndimor midis ushtrive gjermane dhe franceze. Në fushën e filozofisë, në fundshekullin XIX dhe fillimshekulli XX dallohet Herbert Spenceri si filozofi më i lexuar në atë kohë…i cili argumentonte se “ligjet e evolucionit zbatoheshin në shoqëritë njerëzore po ashtu si zbatoheshin te speciet…”. Spencer zhvilloi një koncept gjithëpërfshirës të evolucionit si zhvillim progresiv të botës fizike, organizmave biologjikë, mendjes njerëzore, kulturës dhe shoqërive njerëzore. Si një studiues shumëplanësh, ai kontribuoi në një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë etikën, religjionin, antropologjinë, ekonominë, teorinë politike, filozofinë, letërsinë, astronominë, biologjinë, sociologjinë dhe psikologjinë. Gjatë jetës së tij, ai arriti një autoritet të jashtëzakonshëm, kryesisht në botën akademike anglishtfolëse. “Filozofi i vetëm anglez që ka arritur një popullaritet kaq të përhapur ka qenë Bertrand Russell dhe kjo do të ndodhte në shekullin e 20-të”. Spencer ishte “intelektuali i vetëm europian më i famshëm në dekadat e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë”, i njohur për shprehjen “mbijetesa e më të fortit”, të cilën ai e formuloi te studimi tij “Parimet e Biologjisë” botuar në (1864), pas leximit të Çarls Darvinit mbi origjinën e specieve. Ky term sugjeron fuqishëm përzgjedhjen natyrore, ndërsa Spenceri e zgjeroi evolucionin në sfera sociologjike dhe etike.

Libri i dytë i Spencerit, “Parimet e Psikologjisë”, botuar në 1855, e hulumtoi nga bazat fiziologjike psikologjinë. Spenceri synonte të pajtonte psikologjinë shoqërore me atë të ‘Logjikës’ së John Millit dhe më tej me nocionin se mendja njerëzore u ndërtua nga ndjesitë atomike të mbajtura së bashku nga ligjet për shoqërizimin e ideve, si dhe dukshëm  me teorinë shkencore të frenologjisë, e cila lokalizon në mënyrë specifike funksionet mendore me  pjesët e trurit. Psikologjia, besonte ai, do të bënte për mendjen njerëzore atë që Isak Njutoni kishte bërë për lëndën. Spencer jetoi gjatë një periudhe që koincidonte me ngritjen dhe rënien e liberalizmit politik – ose atë që Spencer e quajti liberalizëm të vërtetë, dhe që sot njihet si liberalizmi klasik. Kjo filozofi politike, e cila kishte bërë hapa të mëdhenj për të sjellë liri më të madhe individuale në fe, tregti, fjalim dhe zona të tjera… Duke e parë zhvillimin si një formë e re të organizimi shoqëror, “bashkëpunimi vullnetar” i krijuar mbi një “regjim të kontratës”, që zëvendësoi pjesën më të madhe të një forme më të vjetër të organizimit shoqëror bazuar në “bashkëpunim e detyruar” si një regjim statal. Kur Spencer botoi “Njeriun kundrejt shtetit” në 1884, ai argumentoi se “liberalizëm i ri e kishte braktisur parimin e tij origjinal qendror që mbështeste lirinë individuale kundrejt shtrëngimit të shtetit”. Spencer e shihte këtë mosmarrëveshje si një dallim, por pa një ndryshim thelbësor: “Çështja e vërtetë është nëse ndërhyhet më shumë në jetët e qytetarëve. “Një person nuk është më pak i detyruar dhe të drejtat e tij nuk janë më pak të shkelura thjesht sepse kufizimet e padrejta në liritë e tij vendosen nga një shumicë, (parlamentare) më shumë sesa nga një sundues i vetëm dikur(mbreti). Dhe ashtu ndodhi, parlamentet votuan për kreditimet e luftës. Por në beteja dhe në trashen e luftës vritet njeriu, individi.

Në vitin 1900 Europa ishte krejt ndryshe nga një shekull më parë, më e begatë dhe shumë më e qëndrueshme… në këtë vit hapet ekspozita e madhe e Parisit, në të cilën u zhvilluan 130 evente, ku përfshihen: diskutimet mbi gjendjen dhe të drejtat e grave, socializmin, shuarjen e zjarreve, vegjetarizmin, filozofinë. U zhvillua kongresi i 9 universal i paqes, i cili fitoi dhe çmimin e madh të ekspozitës së Parisit. Shkrimtari, dramaturgu dhe gazetari i shquar austriak Stefan Zweig shkruante: “E për çfarë do të ndërpritej kjo rritje, kush do t’ia zinte udhën energjisë që nxirrte vazhdimisht fuqi të reja prej hovit të saj? Europa nuk kishte qenë kurrë më e fortë, më e pasur, apo më e bukur, kurrë nuk kishte besuar me më zjarr për një të ardhme më të mirë”. Është me rëndësi arsyetimi që bën profesoresha Margaret MacMillan në studimin e saj të thellë titulluar “Lufta që i dha fund paqes”, kur shprehet: “Ne duhet të përpiqemi të kuptojmë ata njerëz të një shekulli më parë… se çfarë kishin në mëndje, çfarë u thoshte mendja, çfarë kishin frikë, apo çfarë shpresonin dhe cilat ishin hamendësimet e tyre të pashprehura, bindjet dhe vlerat, për të cilat ata nuk shqetësoheshin që t’i diskutonin, sepse i kishin të njëjta? Përse nuk i panë rreziqet që po grumbulloheshin rreth tyre në vitet drejt 1914-s”? Nga fundi shekullit 19-të, fillimshekulli 20-të kishte dy bindje të dallueshme përparimi dhe pozitivizmi… Ideja ishte se shkenca mund të zgjidhte problemet, por nocione të tilla gjithmonë sulmoheshin. Albert Einstein dhe fizikantë të tjerë po diskutonin për grimcat atomike dhe ato nënatomike dhe po sillnin përmbysje me kahje mosparashkueshmërinë si dhe dyshimin në lidhjen shkak -pasojë… Ishte vënë në diskutim realiteti dhe racionaliteti. Psikologët dhe sociologët mëtonin se njerëzit ndikoheshin më shumë nga forcat e nënvetëdijes se sa ishte hamendësuar… Në Vjenë u botua libri i Zigmund Freud (1900 në të njëjtin vit të ekspozitës) “Interpretimi i Ëndrrave”. Eksplorimi i pafund i Freud për të pandërgjegjshmen nëpërmjet ëndrrës është dhënë qartë dhe saktësisht. Duke përfshirë dhjetëra raste konkrete dhe analiza të detajuara të ëndrrave të vërteta. Interpretimi i ëndrrave mbetet një mjet i paçmuar për të na ndihmuar që të gjithë të zbulojmë të vërtetën për veten tonë.

Koha mbajti si të sakta shumë nga përfundimet e tij. Zbulimi i Freud se ëndrra është mjeti me të cilin mund të hulumtohet e pandërgjegjshmja është padyshim hapi më revolucionar përpara në tërë historinë e psikologjisë. Ëndrrat, sipas teorisë së tij, përfaqësojnë përmbushjen e fshehtë të dëshirave tona të pandërgjegjshme. Freud paraqiti në punimin e tij shumë koncepte kyçe, që më vonë do të bëheshin thelbësore në teorinë e psikoanalizës. Ëndrrat, sugjeroi ai, janë dëshirat tona të pandërgjegjshme në maskim. Interpretimi i ëndrrave shënoi fillimin e psikoanalizës dhe libri në fjalë është një tekst interesant, që vuri në dukje talentin unikal të Freud si shkrimtar dhe teoricien kërkues. Si e mendonte Freud fenë? Në studimin e tij titulluar “E ardhmja e një iluzioni”, Freud shkroi se: “Feja është e krahasueshme me një neurozë të fëmijërisë”. Ndërsa te libri i tij i titulluar: “Moisiu dhe monoteizmi”, që ishte një nga veprat e fundit para vdekjes së tij, ai sugjeroi që të pranonim se: “Feja është një përpjekje për të marrë kontrollin mbi botën shqisore, në të cilën ne jemi vendosur, me anë të botës së dëshirës dhe të cilën ne kemi zhvilluar brenda nesh si rezultat i nevojave biologjike dhe psikologjike. Nëse dikush përpiqet t’i caktojë fesë vendin e vet në evolucionin e njeriut, ajo duhet parë si një paralele me neurozën që individi i civilizuar duhet të kalojë në rrugën e tij që nga fëmijëria deri në maturim”. Disa nga komentet e tij më kritike mund të gjenden në tekstin e tij “Qytetërimi dhe pakënaqësitë e tij”. “E gjithë gjëja është kaq e ëmbël, aq e huaj për realitetin, se për këdo që ka një qëndrim miqësor ndaj njerëzimit, është e dhimbshme të mendosh se shumica e njerëzve nuk do të mund të ngrihen mbi këtë pikëpamje të jetës”, sugjeroi ai.

Gustave Le Bon, një tjetër emër i kohës tronditi me librin e tij, “Mbi psikologjinë e Turmës”. Shqetësimi tij ishte nëse arsyeja dhe njerëzimi mund të bashkëjetonin në shoqërinë e gjerë. Libri tij “Mbi psikologjinë e Turmës” përdoret mes librave të tjerë ende në ushtrinë amerikane. Charles-Marie Gustave Le Bon 7 maj 1841-13 dhjetor 1931 ishte një studiues francez shumëplanësh, fushat e tij të interesit  përfshinin antropologji, psikologji, sociologji, mjekësi, shpikje dhe fizikë. Qëllimi i këtij studimi është të shpjegonte se turmat nuk janë shuma e pjesëve të tyre individuale, por një entitet i ri psikologjik, karakteristikat e të cilave janë përcaktuar nga “pavetëdija” e turmës. Në të njëjtën kohë, ai krijoi teoritë e tij psikologjike dhe sociologjike, kryente eksperimente në fizikë dhe botonte libra të popullarizuar mbi këtë temë, duke parashikuar ekuivalencën mes masës dhe energjisë dhe duke profetizuar epokën atomike. I injoruar ose trajtuar me keqdashje nga seksionet e strukturave akademike dhe shkencore franceze gjatë jetës së tij, nga politikat konservatore dhe reaksionare, Le Bon ishte kritik për demokracinë dhe socializmin. Punimet e Le Bonit kanë ndikim në personalitete të tilla të ndryshme si Theodore Roosevelt dhe Benito Mussolini, Sigmund Freud dhe Jose Ortega y Gasset, Adolf Hitleri dhe Vladimir Lenini. Le Bon teorizoi se ky entiteti i ri, pra “turma psikologjike”, si edhe e emërton ai, e cila del nga trupëzimi i popullsisë së mbledhur jo vetëm që formon një strukturë të re, por gjithashtu krijon një “pavetëdije” kolektive. Ndërsa një grup njerëzish mëtonte Le Bon mblidhen së bashku dhe bashkohen për të formuar një turmë, ekziston një “ndikim magnetik i dhënë nga turma” që transformon sjelljen e çdo individi derisa të qeveriset nga “mendja e grupit”. Ky model trajton turmën si një njësi në përbërjen e së cilës, bëhet rob çdo anëtar individual ndaj mendimeve, vlerave dhe besimeve të tyre; Siç thoshte Le Bon: “Një individ në një turmë është një kokërr e rërës mes kokrrizave të tjera, ku vullneti është era që i ngre”. Le Bon detajoi tri procese kyçe që krijojnë turmën psikologjike: i) Anonimitetin. ii) Përmbajtjen dhe iii) Ndikueshmëria. Anonimiteti u siguron individëve racional një ndjenjë të pathyeshmërisë dhe humbjen e përgjegjësisë personale. Individi kështu bëhet primitiv, i paarsyeshëm dhe emocional. Kjo mungesë e vetëkontrollit i lejon individët t’i “jepen instinktit” dhe të pranojnë disqet instinktive të “pavetëdijshmes”. Për Le Bon, turma i ndërron vendin ligjit të evolucionit të Darvinit. Kontaminimi i referohet përhapjes në turmën e sjelljeve të veçanta dhe individët sakrifikojnë interesin e tyre personal për interesin kolektiv. Ndikueshmëria është mekanizmi përmes të cilit arrihet infeksioni; turma të bashkohet në një mendje të vetme, sugjerimet e bëra nga zërat e fortë në turmë krijojnë një hapësirë të tillë që ata të vijnë në krye dhe ta udhëheqin sjelljen e turmës. Në këtë fazë, turma psikologjike bëhet homogjene dhe e lakueshme ndaj sugjerimeve nga anëtarët më të fuqishëm të saj. “Udhëheqësit për të cilët flasim – thotë Le Bon, – zakonisht janë burra të veprimit sesa të fjalëve.

Ata nuk janë të talentuar me largpamësi të fortë … Ata janë rekrutuar posaçërisht nga radhët e atyre personave nervozë, gjysmë të çrregullt që janë në kufi me çmendurinë”. Një parashikim i tillë të habit dhe sot, është për këtë arsye që teoria e turmës së Le Bon ende studiohet. Adolf Hitler është i njohur të ketë lexuar turmën dhe në Mein Kampf merret me teknikat propaganduese të propozuara nga Le Bon. Benito Musolini gjithashtu bëri një studim të kujdesshëm të Le Bon. Ai gjithashtu ndikoi Vladimir Leninin dhe bolshevikët. Luftës i duhen turmat dhe nacionalizmi manipulues që të shkojnë në luftë. David Émile Durkheim(15 prill 1858 – 15 nëntor 1917) ishte një sociolog francez. Ai formalizoi disiplinën akademike dhe bashkë me W. E. B. Du Bois, Karl Marxin dhe Max Weberin – përmendet zakonisht si arkitekti kryesor i shkencës shoqërore moderne. Pjesa më e madhe e punës së Durkheim kishte të bënte me mënyrën se si shoqëritë mund të ruanin integritetin dhe koherencën e tyre në periudhën e modernitetit, një epokë në të cilën lidhjet tradicionale shoqërore dhe fetare nuk janë më në drejtim sepse janë krijuar institucione të reja shoqërore. Puna e parë e madhe sociologjike titulluar “Ndarja e Punës në Shoqëri” u botua më 1893. Më 1895, ai botoi “Rregullat e Metodologjisë Sociologjike” dhe krijoi departamentin e parë europian të sociologjisë, duke u bërë profesor i parë i sociologjisë në Francë. Në 1898, ai krijoi revistën L’Année Sociologique. Monografia Durkheim-it, Suicide (1897), një studim i shkallës së vetëvrasjeve në popullatën katolike dhe protestante, shpreh fillimin e kërkimeve moderne sociale dhe shërbeu për të dalluar shkencën shoqërore nga psikologjia dhe filozofia politike. “Format fillestare të Jetës Fetare” (1912) paraqitën një teori të fesë, duke krahasuar jetën shoqërore dhe kulturore të shoqërive aborigjene dhe atyre moderne. Sociologu Emil Durkeim shqetësohej për humbjen e bashkësive të vjetra të qëndrueshme, ndërkohë që njerëzit transferoheshin në qytete e mëdha… Durkheim ishte gjithashtu thellësisht i preokupuar me pranimin e sociologjisë si një shkencë legjitime. Ai përsosi pozitivizmin e vendosur fillimisht nga Auguste Comte, duke promovuar atë që mund të konsiderohet si një formë e realizmit epistemologjik, si dhe përdorimin e modelit hipotetik-deduktiv në shkencat shoqërore. Për të, sociologjia ishte shkenca e institucioneve, nëse ky term vlerësohet në kuptimin e tij më të gjerë si “bindjet dhe mënyrat e sjelljes të krijuara nga kolektiviteti” dhe qëllimi i tij është të zbulojë faktet strukturore shoqërore. Durkheim ishte një përkrahës kryesor i “funksionalizmit strukturor”, një perspektivë themelore në të dyja shkencat sociologji dhe antropologji. Sipas mendimit të tij, shkenca shoqërore duhet të jetë thjesht holistike. E tillë është sociologjia dhe ajo do të duhet të studiojë fenomenet që i atribuohen shoqërisë në përgjithësi, sesa të kufizohet në veprimet specifike të individëve. Ai mbeti një forcë dominuese në jetën intelektuale franceze deri në vdekjen e tij në vitin 1917, duke prezantuar leksione të shumta dhe duke botuar vepra për tema të ndryshme, përfshirë sociologjinë e dijes, moralit, shtresëzimit social, fesë, ligjit, arsimit dhe devijimit. Terma të tillë Durkheimian si për shembull “ndërgjegjja kolektive” që nga ajo kohë hynë në leksikun popullor.

Gjatë gjithë karrierës së tij, Durkheim ishte i shqetësuar kryesisht me tre objektiva: Së pari, krijimi i sociologjisë si një disiplinë e re akademike. Së dyti, për të analizuar se si shoqëritë mund të ruanin integritetin dhe koherencën e tyre në epokën moderne, kur gjëra të tilla si përkatësia fetare dhe etnike e përbashkët nuk mund të pranoheshin më si të vërteta. Për këtë qëllim ai shkroi shumë për efektin e ligjeve, fesë, arsimit dhe forcave të ngjashme mbi shoqërinë dhe integrimin social. Së fundi, Durkheim ishte i shqetësuar me implikimet praktike të njohurive shkencore. Durkheim gjithashtu këmbënguli se shoqëria ishte më shumë se shuma e pjesëve të saj. Një tjetër element kyç për “teorinë e njohjes” së Durkheimit është koncepti i tij i përfaqësimeve kolektive, e cila është e përshkruar në studimin e tij për “Format Elementare të Jetës Fetare”. “Kolektivët e përfaqësimit” janë simbolet dhe imazhet që vijnë për të përfaqësuar idetë, besimet dhe vlerat e përpunuara nga një kolektivitet dhe nuk mund të reduktohen nga zgjedhësit individualë. Ato mund të përfshijnë fjalë, slogane, ide, apo ndonjë numër materialesh që mund të shërbejnë si simbol, si një kryq, një shkëmb, një tempull, një pendë etj. Siç shtjellon Durkheim, “kolektivat e përfaqësimit” krijohen përmes veprimit të ndërsjellë dhe janë produkte të aktivitetit kolektiv. Si të tilla, këto përfaqësime kanë aspektin e veçantë dhe disi kontradiktor që ato ekzistojnë jashtë nga individi (pasi ato krijohen dhe kontrollohen jo nga individi, por nga shoqëria në tërësi), por njëkohësisht brenda çdo individi të shoqërisë (nga virtyt i pjesëmarrjes së atij individi në shoqëri). Kaq ide dhe disiplina paraprin, por pse mendimi shkencor nuk tha lufta po vjen, ajo është në prag?! Do doja të parashtroja disa argumente hipotetike… Mbase duhen kuptuar simbolikat deduktive të mendimit shkencor, evolucionizmi dhe triumfi i më të fortit, turmat, kolektivimi përfaqësues, lufta për ekzistencë, pafuqia individuale, apo e pavetëdijshmja.

Mendimtarët, shpesh për të mos thënë gjithmonë, janë larg shtabeve ushtarake, apo kulisave ku flitet për interesa bankare, monetare e financiare. Edhe nëse ata e anticpojnë atë që pritet të ndodhë si edhe është lufta, ata bllokohen ta parathonë… Mundet që atelieja e tyre e hulumtimit nuk pengohet edhe gjatë luftës. Edhe sot ka mendimtarë e shkencëtarë… por edhe sot ka luftëra të pjesshme. Rasti jo human është kur me bindje shkencëtari i vë idetë në shërbim të luftës, rrallë por edhe ndodh… Keqinterpretimet e mendimit shkencor janë dhunim i shkencës nga propaganda, e cila shpie te lufta. Tek e fundit shtabet ushtarake, kredite bankare para, gjatë dhe pas luftës, si dhe industria e armatimeve, kanë shumë më tepër peshë në vendimmarrje se mendimtarët e lirë, bota kujtohet për ta pasi lufta ka mbaruar. Veç duhet pohuar me zë të lartë se: “Lufta sjell viktima, ndërsa shkenca ushqen jetën dhe prosperitetin”! 100 vite pas Luftës së Parë Botërore, është e drejtë të mbajmë parasysh se: “Ndoshta, tragjedia përtej shkatërrimit, vuajtjes dhe dhembjes është siguria se do të vijë një luftë tjetër. Dhe një tjetër, dhe një tjetër. Edhe, kur konfliktet nuk quhen luftëra sipas ligjeve të kombeve, luftimet dhe vrasjet vazhdojnë. Pse? Sepse njeriu është mëkatar dhe përdor vullnetin e lirë për të zgjedhur luftën. Pashmangshmëria e njeriut që zgjedh të keqen që është çdo luftë i dha siguri shekullit të vazhdojë deri në ditët tona. Ai jep siguri për kohën që do të vijë. Do të ketë luftë”? Ky me sa duket është paganizmi shpagues që e shoqëron njeriun në të gjitha kohërat. Mendimi do të duhet ta bëjë njeriun dhe vendimmarrjen më të arsyeshme, kjo është sfida sa kohë që ende kudo luftohet dhe humben jetë njerëzore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button