Home / Kosova / Reagon Ambasada Amerikane pas dështimit të Kosovës në INTERPOL

Reagon Ambasada Amerikane pas dështimit të Kosovës në INTERPOL

Pas dështimit të Kosovës për t’u pranuar në Interpol përmes një komunikate për media ka reaguar edhe Ambasada Amerikane duke thënë se fushata e Serbisë kundër Kosovës iu ka bërë presion disa vendeve për të votuar kundër, shkruan Gazeta Express.

Në këtë komunikatë thuhet se Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore.

Gjithashtu thuhet se do të vazhdojnë të mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE’së. E për të arritur këtë duhet të shmanget provokimet e mundshme.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore. Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL kurrë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim.

Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet ti shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE. Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit. Për ta arritur këtë, i nxisim të dy vendet që ti shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie.

Leave a Reply

%d bloggers like this: