Rajoni

Vuçiç pranon: Gruevski kaloi edhe nga Serbia. Nuk e kapëm!

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski ka hyrë në Hungari pasi ka kaluar kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. Lajmi është konfirmuar nga vet presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
“Gruevski, i dënuar me dy vite burg për shpërdorim fondesh gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka arritur destinacionin e tij përfundimtar duke kaluar përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë”, tha Vuçiç për “Happy TV”.

Ai pretendoi se, më 11 nëntor, Gruevski kishte kaluar fillimisht kufirin maqedonas-shqiptar, i shoqëruar nga dy shtetas hungarezë dhe duke përdorur kartën e tij të identitetit.

Nga Shqipëria, Gruevski ka vijuar në Mal të Zi dhe më 12 nëntor ka mbërritur në Serbi, sipas versionit të Vuçiç. Po të njëjtën ditë, ai ka hyrë në Hungari përmes pikës së kalimit kufitar në Horgos, duke përdorur kartën e tij të identitetit dhe një dokument që kishte marrë nga autoritetet shqiptare.

Presidenti serb akuzoi Shkupin se ia kishte dërguar me vonesë Serbisë fletarrestin ndërkombëtar.

“Vetëm më 13 nëntor, në orën 7:35, Interpol Shkupi na ka nisur fletarrestin ndërkombëtar. Çfarë prisnin nga ne, të arrestonim njerëz që nuk janë në kërkim? Për të mos përmendur urdhërarrestin ndërkombëtar… Kjo është e vërteta e arratisjes së Gruevskit”, tha Vuçiç.

Marrëdhëniet mes Vuçiç dhe Gruevskit kanë qenë të ngushta, kur ky i fundit ishte në pushtet. Pas ndryshimit të qeverisë në Shkup, në vitin 2017, marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan.

Javën e kaluar, Sasha Jankoviç, një lider serb i opozitës, ngriti pyetjen nëse Vuçiç e kishte ndihmuar Gruevskin të arratisej.

“A e ndihmoi ai Gruevskin, sepse një vend i tretë ia kishte kërkuar, apo ishte në interesin e tij personal ta ndihmonte? Vuçiç mund të përballet me të njëjtën situatë si Gruevski, së shpejti, dhe ai do të donte të ndihmohej nga dikush”, tha Jankoviç.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button