Kosova

Shtetet që e kanë njohur Kosovën e që votuan kundër për INTERPOL

Dështimi i Kosovës që të bëhet pjesë në INTERPOL u kurorëzua me publikimin e listës së shteteve që sot votuan kundër anëtarësimit në INTERPOL. Aty del se diplomacia kosovare përveçse dështoi të siguronte vota të tjera, humbi përkrahjen e disa prej shteteve që e kanë njohur Kosovën, shkruan Gazeta Express.

Ministria e Punëve të Jashtme i deklaron 116 njohje. Disa prej tyre nuk dihet nëse qëndrojnë akoma, mirëpo në votimin që u bë dje në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it u vërtetua se disa edhe mund të kenë kaluar në krahun tjetër – atë të Serbisë.

Se Kosova nuk e ka përkrahjen e të gjitha shteteve që e kanë njohur, tregon dështimi i djeshëm kur doli në votim anëtarësimi i saj ose jo në organizatën ndërkombëtare të Policisë.

Nga 116 shtete që e kanë njohur Kosovën, diplomacia kosovare kishte bërë pak që ato t’i bindte që të merrnin pjesë në Asamblenë në Dubai për ta ndihmuar Kosovën kundër fushatës së egër të Serbisë nga ana tjetër.

Anëtarësimin e Kosovës në rundin e dytë të votimit, që është vendimtari, e votuan vetëm 65 shtete.

Përveçse Kosova nuk i bindi shtetet që nuk e kanë njohur ta përkrahin në anëtarësimin e saj në INTERPOL, diplomacia e saj dështoi ta ruajë votën e disa shteteve që e kanë njohur.

Dje në Dubai kundër anëtarësimit të Kosovës votua 56 shtete kundër – prej tyre, tetë shtete që e kishin njohur pavarësinë e saj.

Guinea e ka njohur Kosovën në vitin 2011, ndërsa sot bënte pjesë në shtetet që nuk e duan Policinë e Kosovës pjesë të INTERPOL-it.

Mes shteteve që votuan kundër është edhe Grenada nga Karaibet, që e kishte njohur Kosovën në shtator të 2013-s.

Edhe Ishujt Solomon e kanë njohur Kosovën, ndërsa në Dubai u rreshtuan kah shtetet që e kundërshtuan anëtarësimin.

Në listën e shteteve që nuk e votuan sot anëtarësimin në INTERPOL është Lesotho. Shteti afrikan e ka njohur Kosovën në shkurt të 2014-s, mirëpo së fundmi ishte raportuar se e ka tërhequr njohjen.

MPJ-ja e pati mohuar këtë tërheqje të njohjes, mirëpo nga vota e Lesotos sot në Asamblenë e Përgjithshme dëshmon se i është bindur Serbisë.

Listën e tetë shteteve që e kanë njohur Kosovën e që e kundërshtuan anëtarësimin e saj, janë Malajzia e Republika Dominikane.

Muaj më parë është raportuar se Surinami, shtet i Amerikës Jugore, e ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Në listën zyrtare të MPJ-së, nuk ka lëvizur Surinami. Megjithatë, ky shtet dha sinjal se nuk është mik me Kosovën. Surinami dha votën kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button