Rajoni

Serbia bojkoton punimet e CEFTA-s në Prishtinë

Importi i deklaruar i mallrave serbe në Kosovë brenda vitit kap shifrën 450 milionë, ndërsa Kosova në Serbi brenda vitit eksporton vetëm 20 milionë euro.

Që nga vendosja e taksës doganore prej 10% dhe ngritjes së kësaj takse 100% ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina bojkotuan takimet e grupeve punuese që po zhvillohen në Prishtinë në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s. Këto takime të grupeve punuese i paraprijnë takimit të gjashtë dhjetorit në Prishtinë, ku takohen ministrat e Tregtisë dhe Industrisë së vendeve anëtare të CEFTA-s, në përfundim të kryesimit të kësaj organizate nga Kosova.

Mospjesëmarrjen në këtë takim tashmë e ka konfirmuar ministri i Tregtisë në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, i cili tha se “Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk do të marrin pjesë në takimin në Prishtinë”.

Vendosja e taksës doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, ka tensionuar raportet Kosovë-Serbi, ndërsa, ka acaruar edhe raportet ndërmjet deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës dhe qeverisë Haradinaj. Lista Srpska ka në kuvendin e Kosovës 10 deputetë dhe ky subjekt është në koalicion qeveritar në Kosovë.

Kryetari i Listës Srpska Goran Rakiq, deklaroi se “masat e Kosovës për vënien e taksës 100 për qind në mallrat që vijnë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina, kërcënojnë të shkaktojë krizë humanitare për serbët”.

“Pasojat e këtij vendimi tashmë po ndjehen. Alternativa tregtare të tjera nuk ka dhe prodhimet serbe janë më të lira dhe më mirat. Serbët jetojnë shumë vështirë tash e nesër kërcënon edhe kriza humanitare”, citon RTS Goran Rakiqin. Sipas tij, Lista Srpska nuk do të përkrahë me asnjë vendim të koalicionit qeverisës në Prishtinë, ndërsa, njoftoi se sot ata do të takojnë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, për të diskutuar hapat e mëtejmë.

Kosova dhe Serbia kanë shkëmbim tregtar, jo të barabartë. Është zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës Fatmir Limaj, i cili tha se “importi i deklaruar i mallrave serbe në Kosovë brenda vitit kap shifrën e 450 milion eurove, ndërsa, kjo shifër jozyrtarisht sipas tij, është dyfish më shumë. E sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Serbisë, “eksporti vjetor i Serbisë në Kosovë është 450 milionë euro, ndërsa i Kosovës në Serbi është vetëm 20 milionë euro”.

Më së shumti nga Serbia në Kosovë, eksportohen prodhimet bujqësore dhe ushqimore.

Por, si e shohin ekspertët e ekonomisë vendosjen e taksës doganore prej 100% për mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Naim Gashi, ekspert i ekonomisë i tha DË-së, se Serbia dhe Bosnja vazhdimisht e kanë shkelur marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA, duke përdorur masa tarifore dhe jo-tarifore në raport me Kosovën.

“Çdo prodhim i Kosovës që provon të eksportohet në Serbi duhet të bëjë një rivlerësim të mallit, sepse Serbia nuk i njeh institucionet shtetërore të Kosovës që bëjnë kontrollin e produkteve. Serbia prej vitesh ka bllokuar transportin tranzit të mallrave të Kosovës që kanë destinacion tregun e Bashkimit Evropian. Ndërsa, nga ana tjetër, bizneset nga Serbia kanë përfituar mbi 100 kontrata publike në Kosovë, disa prej tyre shuma tepër të mëdha në Korporatën Energjetike të Kosovës, ndërsa kompanitë kosovare as që kanë të drejtë të marrin pjesë në prokurimet publike në Serbi, për shkak se nuk njihen certifikatat dhe dëshmitë tjera të biznesit”, thotë Naim Gashi.

Z. Gashi thotë se “Serbia e bllokon Kosovën, në funksionalizimin e autostradës së energjisë me Shqipërinë, Beogradi ka vënë veto në anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Energjisë dhe në këtë mënyrë humbje ekonomisë së Kosovës i shkaktohen 30 deri në 40 milionë euro”.

Por, cilat mund të jenë pasojat për Kosovën pas ngritjes së taksës 100% për të gjitha mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës? Naim Gashi, thotë se presioni ndërkombëtar do të vazhdojë ndaj Kosovës.

“Unë pres një presion të partnerëve ndërkombëtarë në raport me Kosovën, ndërsa sa i përket ndikimit të këtij vendimi në treg, besoj që është i papërfillshëm, pasi që vetëm 14% e importit në Kosovë vjen nga Serbia. Tregtarët kosovarë kanë me dhjetëra alternativa të furnizimit të tregjeve, kryesisht ato duhet të orientohen në tregjet e BE-së”.

E presioni ndërkombëtar në raport me Kosovën tashmë po ndodh. Është shefja e diplomacisë evropiane Federika Mogherini dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, të cilët i kërkuan qeverisë së Kosovës që të tërheq taksën për mallrat serbe.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për të rritur tatimin mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në 100 % është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të revokojë menjëherë këto vendime”, u tha në reagimin e zyrës së Mogherinit, vetëm disa orë pasi qeveria e Kosovës e mori vendimin e saj. Në të njejtën linjë u shpreh edhe komisionari i BE-së për zgjerim Johanes Hahn.

“Ky akt, që dëmton edhe konsumatorët dhe bizneset e Kosovës, duhet të kthehet prapa menjëherë. Kosova mban kryesimin e CEFTA-s dhe për këtë ka përgjegjësi të veçantë. Së shpejti do të marr pjesë në javën e CEFTA-s në Prishtinë dhe pres që kjo të zgjidhet deri atëherë”, ka shkruar në Twiter Johanes Hahn.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button