Bota

Koment: Donald Trump mbështet Arabinë Saudite, e jo princin

Deklarata e Trump për Arabinë Saudite mund të ketë pasoja të pakëndshme për princin trashëgimtar. Trump flet për marrëdhëniet amerikano-saudite por edhe për princin Mohammed bin Salman.

Presidenti amerikan Donald Trump është njeri i fjalëve të qarta. Por ai zotëron edhe stile të tjera të rëndësishme delikate. Këtë të paktën e tregon deklarata e tij për pasojat e mundshme pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi. Trump u tregua në deklarimin e tij si mjeshtër i fjalimit diplomatik. Një fjalim ku ai tregon mirësjellje por në thelb përmban edhe një mesazh të qartë. Në esencë thuhet se princi trashëgimtar Mohammed bin Salman nuk është për SHBA-në një njeri i shenjtë. Por Arabia Saudite mbetet për SHBA-në një partner ‚i palëkundur‘, sqaron Trump.

Diçka tjetër nuk mund të pritej. Por një gjë që Trump nuk e tha ishte nëse, princi trashëgimtar Mohammed bin Salman do të mbetet një partner i palëkundur amerikan. Këtë fjali ai e shmangu me kujdes. Me fjalë të tjera, Trump bëri një dallim të madh mes princit dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Mesazhi është shumë i qartë edhe për Riadin zyrtar, sepse Trump thotë se ai nuk qëndron pas trashëgimtarit të fronit mbretëror. Ai mbështet shtetin, por jo patjetër edhe trashëgimtarin mbretëror saudit. Kjo do t’i forcojë ata që princin nuk e konsiderojnë trashëgimtar të përshtatshëm të fronit mbretëror. Pas dyshimeve për vrasjen e Khashoggit, numri i atyre që e kontestojnë princin si trashëgimtar të mbretërisë suadite është rritur jashtëzakonisht shumë. Tani jo çdo udhëheqës i huaj do që t’i shtrëngojë publikisht duart me princin e kontestuar.

Gabimet e Mbretërisë së Bashkuar Arabe

Lista e gabimeve politike të princit është e gjatë. Ajo përfshin operacionin e pamëshirshëm ushtarak në Jemen, bojkotin e emiratit fqinj Katar dhe mbështetjen e përkohshme të kryeministrit libanez Hariri. Kjo listë përfshin edhe reagimin e ashpër ndaj një statusi në twitter të ministrit të Jashtëm kanadez Freeland, i cili kishte kritikuar arrestimin e një aktivisti saudit të të drejtave të njeriut. Si kundërpërgjigje, mbretëria ka tërhequr nga Kanadaja 16.000 studentë sauditë, me shpjegimin se atje shkelen të drejtat e njeriut.

Tani vijnë edhe vlerësimet e Trumpit. A kishte njohuri princi trashëgimtar për planet e vrasjes së Khashoggit, para se të ndodhë vrasja? “Ndoshta e bëri ai, e ndoshta jo”, thotë Trump. Kjo nuk është një shprehje e solidaritetit pa kushte. Trump nuk është i bindur se mund t’ia lejojë vetes këtë solidaritet. Natyrisht edhe presidenti amerikan mund t’i djegë gishtat mbi princin mbretëror saudit.

Largimi nga absolutizmi

Është mjaft e diskutueshme, pra nëse mbreti Salman do mund ta shpëtojë djalin e vet, pas paraqitjes së tij ditën e hënë para Shuras, ku rastin Khashoggi e përmendi vetëm kalimthi. Nuk përjashtohet mundësia që kjo të përshtatet me frymën e heshtjes së qeverisë saudite, e cila po përpiqet që të mos lejojë akuzat ndaj personaliteteve më të larta të vendit. Kjo është “vija e kuqe”.

Tani nuk ka nevojë të bëhen deklarata në mënyrë eksplicite për rastin e Khashoggit. Por a mjafton pohimi se mbretëria po rishikon vazhdimisht ngjarjet që kanë ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll? E gjitha kjo ka hapur edhe shumë çështje të tjera politike, e ndoshta edhe me kompetencën humane të princit. Shpresa se gjërat do të rregullohen me largimin e vëmendjes dhe me kërcënime nuk është e sigurtë. Gazetat arabe thonë se një stil i tillë nuk është i përshtatshëm që nga koha e Revolucionit Arab, i vitit 2011. Vitet e absolutizmit politik në Arabinë Saudite kanë kaluar – pavarësisht se si mund të quhet mbreti i ardhshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button