Energjia nga dielli, Gjiknuri pezullon aplikimet për parqe fotovolatike deri në 2MW pas bumit të kërkesave
Përmes një kuadri specifik ligjor të miratuar në vitet 2015-2018 Ministria e Infrastrukturës u caktua si autoriteti që shqyrtonte aplikimet dhe që mund të miratonte në rastet kur ato konsideroheshin fizibël vetëm me firmën e ministrit pasi HEC-et deri në 2MW dhe parqet fotovoltaikë në po të njëjtën fuqi të instaluar nuk konsiderohen koncesione tipike.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në zbatim të Ligjit Nr. 7/2017 datë 02.02.2017 “Për nxitjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, VKM-së Nr. 822, datë 07.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni”, e ndryshuar dhe Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë (PKVBRE) 2018–2020, miratuar me VKM-në Nr. 179, datë 28.03.2018, është autoriteti kompetent që shqyrton aplikimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike fotovoltaike deri në 2 MW.
Për sa më sipër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka konstatuar se kërkesa për ndërtimin e centraleve fotovoltaike deri në 2 MW, tejkalon kapacitetet gjeneruese të parashikuara në Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, duke sjellë si domosdoshmëri rishikimin e kuadrit ligjor.
Bazuar në sa më sipër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me Urdhër të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Nr. 774, datë 05.11.2018 “Për ngritjen e grupit të punës për rishikimin e kuadrit Ligjor të rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike nga Dielli”, ka pezulluar shqyrtimin e aplikimeve për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike fotovoltaike deri në 2 MË, deri në hartimin dhe miratimin e kuadrit ligjor të rishikuar” thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Pas miratimit të ligjit për nxitjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme gjatë vitit 2017 në ministri publikoheshin deri në 2 aplikime në javë për parqe fotovoltaikë kryesisht të pozicionuar në zonën e Lushnjës dhe Fierit por edhe në rajone të tjera edhe pse në nivel më të ulët.
Leverdishmëria e investimit në parqe fotovolltaikë ka joshur investitorët pasi kthimi i investimit sipas ekspertëve kërkon një kohë më të shpejtë sesa në rastet e investimit në hidrocentrale. Kjo kohë mund të shkojë në skenar optimist 8 vite dhe në atë pesimist 10-12 vite ndërkohë që prodhimi zgjatet në 25 vjet.