Kronika

Ish-ushtarakët shqiptarë në misione me trauma psikike

Në vitet 1996 – 2017 mijëra ushtarakë shqiptarë të Forcave të Armatosura kanë qenë pjesë e misioneve paqeruajtëse në botë.

Vitet e fundit ka pasur raste të ushtarakëve në rezervë ose të liruar nga detyra të përfshirë në ngjarje kriminale në Shqipëri.

Studimi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim rendit 26 raste kriminale, grabitje bankash, vrasje, përfshirje në organizata terroriste. Vërehen edhe raste vetëvrasjesh.

Redion Qirjazi, nga ky institut, ka hulumtuar rreth stresit post-traumatik tek kjo kategori.

“Rreth 78 % të individëve të intervistuar ishin dakord që anëtarët që kthehen nga misionet, sidomos ato luftarake, kishin ndryshim të sjelljes së tyre dhe kjo ndodhte shpesh me ta”, thotë autori i studimit.
Vetë ai, ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura për 8 vite dhe ka marrë pjesë në një mision paqeruajtës në Afganistan. Sot ai është kapiten në rezervë.

“Risku në rastin e përfshirjes së ushtarakëve në aktivitete kriminale, sidomos pas daljes nga ushtria, është më i lartë se i personave të zakonshëm, për disa arsye bazë. Së pari, ushtarakët janë të trajnuar në nivelin e tyre për përdorimin e armëve, dhe kjo rrit besimin e tyre tek vetja, që mund të jenë të suksesshëm në kryerjen e një aktiviteti kriminal”, thotë Qirjazi.

Por komandanti i Forcës Tokësore pranë Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Nazmi Cahani i cilëson këto raste të izoluara.

“Mendoj që armata e madhe e ushtarakëve në rezervë apo në lirim është pjesa më e shëndoshë e shoqërisë shqiptare. Nuk do të mendoja që është tendencë që kushdo që mbaron shërbimin ushtarak, aq më pak komando apo specialë, është një kontigjent i mundshëm për t’ju bashkuar botës së krimit. Unë besoj që ato janë raste shumë sporadike që nuk tregojnë një tendencë”, thotë Cahani.

Nënoficeri i Forcave Komando, Maringlen Bramati u vetëvra pesë vite më parë. Ai kishte shërbyer në 5 misione paqeruajtëse, dy në Irak, një në Çad dhe dy në Afganistan.

Në Afganistan në vitin 2012, ai përjetoi vrasjen e shokut të grupit, kapitenit Veti Vogli.

“U sëmur, me ndihmesë ata e çuan afër familjes. Këtu erdhi si..a ju bë halla, a ku di unë, dhe ka bërë vetëvrasje. Nuk e di çfarë kishte, shfaqte shenja depresive, mërzitje”, shprehet Muhamet Bramati, babai i tij.

“Ne i nxisim të gjithë efektivët tonë që edhe gjatë kohës që janë në mision të shkëmbejnë me njëri-tjetrin problematika, të njohin tek njëri tjetri rastet kur ata shfaqin depresion, apo shfaqin forma të tjera të stresit gjatë misionit, gjithashtu i nxisim që të jenë gjithmonë në kontakte me familjarët për t’i qëndruar pranë”, thotë Gjeneral Major Nazmi Cahani.

Studiuesit kritikojnë mentalitetin e frikës dhe mos transparencës për shkak të frikës së ndëshkimit.

“Mendoj se duhet ndryshuar brenda institucionit mentaliteti ndëshkues që ekziston aktualisht.
Shumë ushtarakë mendojnë se nëse ata do të zbulohen që kanë stres post-traumatik apo që janë të ndikuar psikologjikisht nga pjesëmarrja në mision do të ndëshkohen duke u larguar nga puna duke mos u graduar”, shprehet hulumtuesi Redion Qirjazi.

“Më ka ngelur merak, që mirë të kishte ardhur me shokët, ta kishin trajnuar, mos ta veçonin, se i thonë që një që e vecojnë nga kopeja, e ha ujku, atij ju bë hak se u sëmur, dhe pse u veçua erdhi para kohe. Ngjarja e Feti Voglit i bëri përshtypje se ka qenë prezent e ka ngritur”, – kujton mes lotësh babai i tij.

Për nënën është akoma edhe më e vështirë. Ajo mezi flet për shkak se kujtimet për të birin nuk i ndalin lotët.

“Në Rinas vajti e mori djali i madh, dhe na tha kur erdhi, është sëmurë marigleni, epo thamë ne e kalon se nuk ka ndonjë gjë të madhe”, tregon nëna.

Albana Telhai është psikologe e menaxhimit të ankthit dhe traumave. Përreth 3 vite ajo drejtoi Qendrën Psiko-Sociale të Forcave të Armatosura.

“Është e rëndësishme që të dallojnë shenjat e para të agresivitetit tek familjarët e tyre. Nëse shohin kërcitje dhëmbësh, lëvizje të axhituara të personit, të familjarit të tyre, ose qoftë edhe shprehje të folur me zë të lartë, të përpiqen ta ulin, mos të kthehen me të njëjtën rrymë agresiviteti, por të qetësojnë situatën. Nëse familjarët e menaxhojnë mirë, instruktohen, ose marrin informacion për këtë pjesë, kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe për ushtarakët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button