Home / roze / Kush është vajza që frymëzoi shumë nga hitet e “The Beatles”

Kush është vajza që frymëzoi shumë nga hitet e “The Beatles”

Një nga muzat më me ndikim të muzikës rok ishte Jane Asher, ish e dashura e Pol Mekartnit të “The Beatles” – ndikimi i të cilës, mund të gjendet në disa prej këngëve më të famshme të grupit

Erik Klepton, si një anëtar i grupit rok të viteve 1960 “Derek & Dominos”, shkroi këngën “Layla”, si një poezi dashurie për Pati Bojd, gruan e shokut të tij dhe kolegut të tij muzikant Xhorxh Hamilton, dhe që më vonë do të bëhej zonja Klepton.

‘Njeriu i Pianos’, Billi Xhoel shkroi këngën “Uptown Girl”, kushtuar supermodeles së viteve 1980, Kristi Brinkli. Por një nga muzat më me ndikim të muzikës rok ishte Xhejn Asher, ish e dashura e Pol Mekartnit të “The Beatles” – ndikimi i të cilës, mund të gjendet në disa prej këngëve më të famshme të grupit.
Të dy u takuan në vitin 1963, kur Asher 17-vjeçare, e njohur tashmë si aktore, u dërgua të mbulojë si gazetare një koncert të Beatles në Royal Albert Hall për revistën britanike “Radio Times”. Historia e përfunduar, do të shfaqë një fotografi të Asherit që sheh grupin me një shprehje adhurimi, të shoqëruar me fjalët, “Këta janë ata, për të cilët do ta ulërija!”.
Të gjithë në grup e kishin joshur, por ishte Pol ai që do t’i fitonte zemrën. Shumë shpejt, Mekartni dhe Asher nisën të bashkëjetojnë. Një vit më vonë, ai u zhvendos në shtëpinë e prindërve të saj, një banesë tipike londoneze e shekullit XVII-të, duke u sistemuar në një dhomë në papafingo.
Atje, si dhe në një dhomë muzike në bodrum, Mekartni dhe Xhon Lenon shkruan shumë këngë të mirënjohura të The Beatles, duke përfshirë një numër të veçantë që grupi do të performonte në Ed Sullivan Shoë, “I Want to Hold Your Hand”. Asher shërbeu si një muzë për Mekarnin, me marrëdhënien e tyre disi të trazuar, që u bë frymëzim për këngë të tilla si “We Can Work It Out”, “All My Loving”, “And I Love Her”, “Here There and Everywhere”, and “You Won’t See Me”.
Në një intervistë të vitit 1997, Mekartni kujton se si ai shkroi shumë këngë në atë dhomë. “Disa pas ndonjë zënke me Xhejnin. Kishte disa nga ato momente”- kujton ai.

Por ndikimi i Asher do të zgjaste përtej këngëve. Teksa jetonte me familjen e saj, djaloshi i klasës punëtore nga Liverpuli, ishte i ekspozuar ndaj një mënyre jetese krejtësisht të ndryshme dhe të pasur. (Babai i Jane, Dr.Riçard Asher, ishte kreu i departamentit psikiatrik në Spitalin Qendror Midëlleseks në Londër, e ëma, Margaret, profesore e veglës së oboes në Shkollën e Muzikës dhe Dramës së Gilldholl.)
Ndryshimi i mjedisit, e zgjeroi horizontin kulturor të Mekartni, duke e ekspozuar atë ndaj botës së muzikës klasike. Margaret Asher i dha leksione muzike Mekartnit, duke i mësuar të luajë në flaut, një instrument që do të shfaqet në mënyrë të dukshme në këngën “Fool on the Hill”. Mekartni, po bëhej gjithnjë e më shumë eksperimental.
Ai do të futë më vonë muzikën orkestrale në këngët e reja të The Beatles (për shembull, harmonia e violinës dhe violonçelit në hitet “Yesterday” dhe “Eleanor Rigby”, dhe kreshendon dramatike në “Day in the Life”. Tre vjet më vonë, Asher dhe Mekartni morën një shtëpi më vete në Londër. Ditën e Krishtlindjeve në vitin 1967 çifti shpalli fejesën, dhe në shkurtin e vitit të ardhshëm Asher e shoqëroi grupin muzikor në Indi, për të takuar Maharishi Mahesh Yogi, udhëheqësin e famshme shpirtëror, që zhvilloi teknikën e Meditimit Transhendental.
Mjerisht, marrëdhënia e çiftit ishte gjithçka, veçse jo e qetë. Në korrikun e vitit 1968, në premierën e “Yellow Submarine”, Asher nuk u pa askund. Tre ditë më vonë, në një emision në BBC, Asher njoftoi se marrëdhënia mes saj dhe Mekartnit kishte marrë fund.
Se përse u ndanë, kjo mbetet ende një temë e debatueshme. Disa pretendojnë se gjatë pastrimit të shtëpisë një ditë, Asher hodhi aksidentalisht në koshin e plehrave një fletore që përmbante tekste të shkruara me dorë të disa këngëve të hershme të dyshes Lenon-Mekartni, duke e tërbuar këtë të fundit, dhe bërë që marrëdhënies së tyre 5-vjeçare t’i vinte një fund i papritur.
Të tjerë besojnë se Asher ishte lodhur nga tradhtitë dhe stili i shturrur i jetës së Mekartnit. Ka gjithashtu të ngjarë që Asher e pavarur, të ishte lodhur duke u quajtur “Vajza e një pjesëtari të The Beatles”, dhe donte të çlirohej për të rifilluar karrierën e saj të aktrimit.
“Nuk e prisha unë atë marrëdhënie. Por kur gjithçka merr fund, merr fund”- tha Asher gatë asaj interviste. “Unë e di se mund të tingëllojë keq, por ne ende e takojmë dhe e duam njëri-tjetrin, por kjo nuk ka funksionuar. Ndoshta do të jemi sërish fëmijë të çiltër, dhe do të takohemi sërish dhe martohemi kur të jemi rreth 70 vjeç”.
Në fakt nuk ndodhi kështu. Asher u takua me karikaturistin politik Gerald Skarfe në vitin 1971. Ata u martuan 10 vite më vonë, dhe patën bashkë 3 fëmijë. Gjatë viteve, Asher gëzoi gjithashtu një karrierë të suksesshme si aktore, por edhe si shkrimtare (duke shkruar si romane, ashtu edhe libra me këshilla për stilin e jetesës).
Edhe në kulturën e sotme “të thënies së gjithçkaje”, Asher ka refuzuar me vendosmëri të flasë për marrëdhënien e saj me Mekartnin, duke e bërë të qartë se është një kapitull i mbyllur në jetën e saj. “Unë kam qenë e martuar për 30 vjet. Kjo pyetje është fyese!”- është shprehur ajo në një intervistë.
Edhe Mekartni ka qenë po aq gojëkyçur. “Unë gjithmonë ndihem shumë i kujdesshëm kur përfshij Xhejnun në historinë e The Beatles”- tha ai në dokumentarin Antologjia e Bitëllsave. “Ajo nuk ka zbular kurrë asgjë në shtyp mbi marrëdhënien tonë, ndërsa të gjithë të tjerët kanë shitur historinë e tyre”- përfundoi ai.

Leave a Reply

%d bloggers like this: