Kryeartikull

Nacionalizmi xanxar i shqiptarëve dhe Europa e shurdhët

Nga Skënder Minxhozi

Dy ditë më parë qeveria gjermane njoftoi se i ka akorduar Shqipërisë 164 milion euro për dy vitet e ardhshme, me qëllim që të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe disa projekte konkrete rajonale. Kjo shumë jo e vogël parash ra në sy dhe pati jehonë në media, megjithëse mesa u pa sot në mbledhjen e qeverive shqiptare e kosovare, nuk e ka bindur deri në fund shefin e ekzekutivit shqiptar Edi Rama, i cili deklaroi se “miqtë tanë europianë të mos na tregojnë shumë përralla, ndërsa Serbinë vazhdojnë dhe e përkëdhelin në një formë të papranueshme”. Duke hequr një paralele me Beogradin, Rama lëshoi një tiradë kritikash ndaj europianëve, një gjest i përsëritur ky në vitet e fundit, kur kryeministri shqiptar ka kritikuar Brukselin për hezitimin në heqjen e regjimit të vizave ndaj Prishtinës, por edhe ndaj sjelljes europiane në përgjithësi ndaj shqiptarëve.

Ky nacionalizëm verbal që fokusohet tek kundërvënia shqiptaro-serbe (ne na mbani me shpresa ata i përkëdhelni), nuk ka ndonjë bazë çfarëdo në atë që është gjendja e marrëdhënieve sot mes BE dhe palëve në fjalë në Ballkanin Perëndimor. Rama e di fort mirë se europianët dhe amerikanët hodhën bomba ndaj serbëve në njërën anë, duke u investuar skajshëm për krijimin e të dytit shtet shqiptar në gadishullin tonë në anën tjetër. Përkëdhelia, siç shihet, qëndron kryekëput në krahun tjetër! Ky realitet historik mund të neglizhohet e harrohet kudo, përveçse në një tryezë të përbashkët shqiptarësh, siç është mbledhja e dy qeverive!

Karta e Europës ka sot valenca të ndryshme mes shqiptarëve. Ende një element me peshë në realitetin kosovar, kryesisht për shkak të pamundësisë së lëvizjes së lirë në zonën Shengen, kjo kartë ka ardhur duke e mpakur rëndësinë e saj në mjedisin politik e social të Shqipërisë. Kryeministri Rama e di këtë rrethanë dhe ndaj i mëshon pa gajle fjalorit të ashpër ndaj Brukselit. Perspektiva e integrimit të Shqipërisë nuk është më as një armë elektorale dhe as një “heshtë” fatale në meidanin politik të Tiranës. Ka kohë që jemi mësuar me burokratizimin dhe ngadalësinë e një procesi që pakkush nga shqiptarët e thjeshtë e kuptojnë.

Megjithatë, kur fjala vjen për të treguar dhëmbët në mënyrë të ashpër, duhet bërë edhe llogaria e thjeshtë e asaj që fitohet në rrafshin e marrëdhënieve konkrete me vendet e BE. Bashkimi Europian e ka treguar më shumë se një herë se nuk influencohet nga sulmet verbale të vendeve të vogla që presin rradhën për të kaluar derën e anëtarësimit. Raporti i thjeshtë i punëve na thotë se jemi ne që aplikojnë dhe ata që vulosin.

Në anën tjetër, e ky duket pikërisht rasti i mbledhjes së sotme, si Rama ashtu edhe Hardinaj e Thaçi e dinë se përballja verbale në distancë me Serbinë dhe ngrysja e vetullave ndaj Europës është përherë një gjest i vogël dhe i lavdërueshëm heroizmi lokal, në sytë e shtetasve të dy vendeve. Ngritja e taksës doganore me Serbinë në njërën anë dhe heqja totale e këtij detyrimi mes Tiranës dhe Prishtinës, duket sikur i ka tërhequr dy kryeministrat drejt një gjuhe më të ashpër e foklorike. Një detaj që Rama, këto kohë të turbullta me protesta informalësh dhe bojkot opozite, duket se e ka marrë seriozisht në llogari.

I vetmi dyshim i kësaj taktike të lavdërueshme në planin e brendshëm, është që dikush në BE të marrë mundimin për t’i lexuar deri në fund “buletinet e lajmeve” që vijnë çdo ditë nga Ballkani. Dhe të na e fusë dikur në faturë edhe këtë sjelljen tonë xanxare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button