Home / Sporti / Serbia pranon vetëm tifozët që kanë pasaportën shqiptare

Serbia pranon vetëm tifozët që kanë pasaportën shqiptare

Debati

Rregullorja nuk e parashikon, por kërkesa bazohet mbi parimin e UEFA-s për ndeshje të rrezikshmërisë së lartë

Tifozat Kuq e ZiNdërsa mendohej se tifozët shqiptarë mund të ndiqnin lehtësisht ndeshjen Serbi-Shqipëri në Beograd, Federata Serbe e Futbollit ka dërguar në FSHF një kërkesë që mund të ndalë udhëtimin për shumë ultras të kuqezinjve. Federata Serbe, e bazuar në faktin se kjo cilësohet një ndeshje e rrezikshmërisë së lartë, pretendon që 1000 biletat e caktuara për tifozët e Shqipërisë, t’u kalojnë vetëm atyre që janë të pajisur me pasaportën shqiptare.

Një fakt i tillë u pranua dje nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili sqaroi se pala serbe ka vendosur disa kushte për pranimin e tifozerisë shqiptare në stadiumin “Partizani” të Beogradit. “Federata Serbe do të pranojë me kushte tifozët shqiptarë. Ata kërkojnë që të gjithë tifozët që do të futen në stadium të kenë pasaportë shqiptare. Biletat do të jenë vetëm për ata që kanë pasaportë shqiptare. Nuk e di nëse mund të kundërshtohen këto kushte”, konfirmoi Duka në një prononcim për “Top Channel”. FSHF-ja nuk i ka dhënë ende një përgjigje përfundimtare kërkesës së palës serbe, por qartësisht është në një pozicion shumë të vështirë, pasi dihet që një pjesë e madhe e ultrasve që ndjekin rregullisht kombëtaren, vijnë nga Kosova e Maqedonia, pa harruar ata që jetojnë në vende të ndryshme të Europës Perëndimore.

Ndonëse kjo kërkesë nuk bazohet specifikisht në asnjë rregullore aktivitetesh të UEFA-s apo FIFA-s, burime të gazetës “Shqip” pranë FSHF-së, kanë shpjeguar arsyetimin që është bërë nga Federata Serbe. “Kërkesa e tyre bazohet mbi faktin se UEFA e cilëson këtë një ndeshje të rrezikshmërisë së lartë. Në këto raste, udhëzimi i parë i ndërkombëtarëve është që prioritet të marrë siguria dhe kriteret e sigurisë në çdo shtet i njohin dhe i përcaktojnë më mirë organizatorët. Në këtë rast është Serbia, ndërsa pas një viti do të jemi ne në të njëjtën situatë. Kësisoj, pala serbe ka bërë këtë kërkesë të veçantë, me arsyetimin se luan ndaj Shqipërisë dhe tifozët që do të shkojnë në stadium si udhëtues, duhet të vërtetojnë nëpërmjet dokumenteve se janë shqiptarë. Të gjitha kërkesat janë të bazuara mbi kriteret e sigurisë që Federatës Serbe ua ka kërkuar policia, e cila në fund të fundit është ajo që garanton sigurinë. Kjo situatë është padyshim shumë e veçantë dhe e vështirë për FSHF-në, pasi kombëtarja shqiptare është ndoshta unike në llojin e saj, sepse ka një bazë të gjerë tifozësh që vijnë nga vende të tjera për ta ndjekur dhe jo të gjithë kanë pasaportë shqiptare”.

Në situatën e krijuar, FSHF-ja ka hezituar të japë një përgjigje përfundimtare dhe po mundohet të negociojë me Federatën Serbe. Por ekziston rreziku që në rast të një tjetër debati me palën serbe, për të zgjidhur çështjen mund të ndërhyjë UEFA. Kjo e fundit preferon thuajse gjithmonë që në stadiume të ketë sigurinë maksimale ndaj mund të urdhërojë që sfidat mes Serbisë dhe Shqipërisë të zhvillohen pa tifozë udhëtues. Ky është skenari që FSHF-ja po mundohet të evitojë me çdo kusht, pasi dëshiron që në shkallët e stadiumit “Partizani” të Beogradit të ketë tifozë kuqezinj. Ndaj, në ditët në vijim, do të ketë kontakte të tjera me Federatën Serbe, para se të fillojë regjistrimi i emrave të tifozëve që do të ndjekin kuqezinjtë në rrugëtimin e tyre.

Masat

Bileta nominale dhe kontrolle nga hyrja në kufi deri në stadium

Zvogëlohet stadiumi, do të jenë vetëm 20 mijë tifozë

Federata Serbe e Futbollit ka zvogëluar kapacitetin e stadiumit “Partizan” të Beogradit në 20 mijë tifozë për ndeshjen kundër Shqipërisë si masë shtesë për sigurinë. Kjo do të thotë njëkohësisht, se është zvogëluar edhe numri i biletave të caktuara për tifozët shqiptarë, pasi rregullat parashikojnë që ata të jenë vetëm një mijë.

Oficeri i Sigurisë në Federatën Serbe të Futbollit, Milivoj Mirkov, ka bërë të qartë për mediat serbe, se si ai kishte prej kohësh kontakte me Ministrinë e Brendshme, duke u përgatitur për çdo skenar të mundshëm rreth kësaj ndeshjeje. “Do të jemi gati për të siguruar tifozët udhëtues, pasi në takime me ministrinë kemi hartuar një plan për të dy skenarët, me apo pa tifozë”, tha ai për “Novosti”. “Ndeshja me Shqipërinë dhe “Parada e krenarisë” së homoseksualëve që u zhvillua kohët e fundit, kanë gjëra të përbashkëta vetëm për sa i përket sigurisë, ndaj do të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Siguria do të jetë e lartë, edhe për faktin se dy ditë pas ndeshjes do të mbërrijë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Ne si shtet dhe federata gjithashtu, nuk duam të krijojmë përshtypje të gabuara, ndaj do të ndërmarrim masa të larta sigurie, në mënyrë që të tregojmë përsëri që jemi një shtet serioz”. Më pas, Mirkov ka shpjeguar edhe masat e sigurisë, të cilat pritet të ndërmerren për këtë ndeshje të veçantë, duke filluar nga reduktimi i kapacitetit të stadiumit.

“E kemi zvogëluar kapacitetin e stadiumit deri në 20 mijë tifozë, që do të thotë se shqiptarët do të marrin rreth një mijë bileta. Për shkak të situatës specifike, ne kemi të drejtë të kërkojmë që një person të jetë zotërues i vetëm një bilete. Shqiptarët duhet të na pajisin me një listë të plotë me të gjitha të dhënat, të cilat ne do t’ua kalojmë agjencive tona shtetërore dhe ata do të vendosin se kush do të hyjë në vendin tonë. Në hyrjen në Serbi, të gjitha të dhënat e njerëzve duhet të përputhen me atë të listës origjinale dhe çdo emër i ri do të kthehet në vendin e tij. Kontrolle të njëjta do të zhvillohen edhe jashtë stadiumit. Do të kërkojmë edhe që vetëm shtetasit shqiptarë të pajisen me këto bileta, ndërsa do të implementohen edhe shumë masa sigurie”, tha Mirkov.

Leave a Reply

%d bloggers like this: