Home / Rajoni / Sfidat e sigurisë dhe progresi i Shkupit në takimin e NATO-s

Sfidat e sigurisë dhe progresi i Shkupit në takimin e NATO-s

Shefi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se këtë javë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s takohen këtë javë për të trajtuar një gamë të gjerë sfidash të sigurisë, duke përfshirë sjelljen destabilizuese të Rusisë, ekstremizmin e dhunshëm në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut si dhe paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në Afganistan”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.

Komentet e kreut të NATO-s erdhën para takimit dy-ditor që do të fillojë gjatë ditës së nesërme në Bruksel.

Stoltenberg bëri të ditur se aleatët do të takohen të martën me partnerët e NATO-s, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, duke shtuar se, “Ata së bashku përballen me sfida serioze të sigurisë nga Rusia dhe ne do të vazhdojmë t’u japim të dy vendeve mbështetje praktike dhe politike”.

Siç tha ai, ministrat do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi Traktatin e Forcave të Armëve Bërthamore të Mesme (INF), që u nënshkrua në vitin 1987 ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik të atëhershëm.

“Ky traktat eliminoi një kategori të tërë armësh, por ajo është vënë në rrezik nga Rusia”, u shpreh Stoltenberg.

Më 21 tetor, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, paralajmëroi synimin e tij për t’u tërhequr nga traktati.

Sipas Stoltenberg, Rusia ka zhvilluar, prodhuar dhe vendosur një raketë të re, e cila “mund të arrijë qytetet evropiane me pak ose pa paralajmërim”.

Sekretari shtoi se Washingtoni është në përputhje të plotë me Traktatin e INF-së, duke shtuar se, “Nuk ka raketa të reja amerikane në Evropë, por ka raketa të reja ruse”.

Progresi i Ballkanit Perëndimor

Stoltenberg më tej theksoi se ministrat të mërkurën do të mbajnë një takim për Ballkanin Perëndimor, ku do të jetë e pranishme edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

“Ata do të diskutojnë progresin e Shkupit drejt anëtarësimit në NATO dhe hapat e ardhshëm në zhvillimin e marrëdhënieve të Aleancës me Bosnjë e Hercegovinën”, njoftoi Stoltenberg.

Ai vuri në dukje se Aleanca është e gatshme të nënshkruajë protokollin për pranimin e Maqedonisë në NATO kur të zbatohet marrëveshja për emrin me fqiun jugor, Greqinë.

“Ne po ndjekim progresin e Shkupit për t’u bërë anëtare e 30-të e NATO-s, mbetet te autoritetet e Shkupit të zbatojnë marrëveshjen e emrit. Posa kjo të përfundojë, ne do të mund të nënshkruajmë protokollin e pranimit”, theksoi Stoltenberg.

Shefi i NATO-s bëri të ditur se ministrat po ashtu do të mbështesin gatishmërinë për të pranuar programin e parë vjetor kombëtar të Bosnjë e Hercegovinës.

“Ky është një mjet i rëndësishëm, i cili mund të ndihmojë shtetin të zbatojë reformat politike, ekonomike dhe të mbrojtjes”, tha ai.

Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut

Shefi i NATO-s tha se ministrat po ashtu do të diskutojnë sfidat që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

“Ne do të diskutojmë për Irakun, ku po ndihmojmë në trajnimi e forcave lokale dhe ekspertët tanë po ndihmojnë në ngritjen e strukturave të edukimit të mbrojtjes”, tha Stoltenberg.

Ai tha se një mbledhje e të gjithë kombeve që kontribuojnë në misionin e trajnimit të Mbështetjes së Përhershme në Afganistan do të përfundojë në seancën e së mërkurës.

“Ne duhet të vazhdojmë të sigurojmë që vendi të mos bëhet më një strehë e sigurtë për terroristët ndërkombëtarë”, tha Stoltenberg.

Leave a Reply

%d bloggers like this: