Politika

Rama me homologun kroat: Bashkëpunime në ekonomi e siguri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë qëndrimit në Kroaci ka deklaruar se Shqipëria synon të intensifikojë akoma më shumë marrëdhëniet me Kroacinë. Sipas tij,  bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe kroatëve ka rrënjë të thella në histori.

Rama njoftoi gjithashtu në një konferencë të përbashkët me homologun e tij, Andrej Plenkoviç se Shqipëria do të bashkëpunojë në fushën e sigurisë, sidomos ndaj emigracionit të paligjshëm.

Shefi i ekzekutivit përmendi kontributin që ka i ka dhënë Kroacia faktorit shqiptar në Ballkan, duke u ndaluar tek pavarësia e Kosovës si dhe ndihma dhënë për Shqipërinë gjatë anëtarësimit në NATO.  Mes tjerash, kryeministri në fjalën e tij tha  se shqiptarët kanë qenë të gjithë tifozë me Kroacinë në Kupën e Botës dhe jo me Francën.

“Faleminderit për mikpritjen e veçantë. Shqipëria ka patur tek Kroacia  një mbështetje të përhershme dhe të pakursyer. Nënshkrimi i deklaratës përbën një moment tjetër, që për Shqipërinë dhe shqiptarët ka qenë strategjike që me krijimin e Kroacisë së re, por më pas në njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe hyrjes së Shqipërisë në NATO dhe më tej.

Nga ana tjetër është gjithmonë për t’u shënuar se lidhjet tona janë më të hershme. Një shqiptare sot përfaqëson komunitetin shqiptar në Parlamentin e Kroacisë. Sot ne po ashtu vumë theksin te rritja e shkëmbimeve tregtare, vitin e ardhshëm do të organizojmë një forum mes bizneseve me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Po ashtu do të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Ne do të bashkëveprojmë më shumë ndaj emigracionit të paligjshëm. I propozova së fundmi kryeministrit, të organizojmë një format bashkëpunimi trilateral me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. Në kampionatin botëror në Rusi, shqiptarët ishin tifozë me Kroacinë dhe jo me Francën.”, tha Rama.

Fillimisht duke i uruar mirëseardhjen kryeministrit Rama në Kroaci, homologu kroat tha para gazetarëve se Shqipëria është një aleate e vyer për shtetin e Kroacisë. Për kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç, ndihma e vendit të tij për Shqipërinë nuk do të kursehet për asnjë moment, ndërsa mes tjerash përmendi edhe rolin e shqiptarëve dhe kontributin e tyre për shoqërinë e Kroacisë.

“Në fillim i uroj mirëseardhjen këtu në Zagreb kryeministrit Rama. Në takimin që e patëm ramë dakord se raportet mes të dyja shteteve janë të shkëlqyera, ne jemi aleatë në NATO. Republika e Shqipërisë do ta ketë më tutje ndihmën e Kroacisë në rrugën drejt BE, sidomos pas reformave që janë bërë në Shqipëri, por edhe nga dinamika e punës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ne këtë rrugë drejt BE-së jemi të gatshëm, që ekspertët kroatë të ndihmojnë palën shqiptare. Sot bëmë  edhe nënshkrimin e partneritetit strategjik, kjo do të jetë një hap përpara në shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve. Kemi momentalisht 60 milionë euro shkëmbime. Shpresojmë se marrëdhëniet mes nesh do të jenë më të fuqishme në bashkëpunimin politik, por edhe në atë ekonomik.

Besoj se marrëdhëniet tona do të jenë më intensive kur është në pyetje rajoni adriatiko-jonian. Gjithashtu çmojmë mundin e shqiptarëve, të minoritetit shqiptar në Kroaci që  japin shumë për shoqërinë kroate. Shpresoj që në të ardhmen, sidomos në ekonomi bashkëpunimi do të jetë më intensiv”, theksoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button