Politika

Përmbushja e reformave, Kroacia pro integrimit të Shqipërisë

Pas plotësimit dhe ecurisë pozitive të një sërë reformave integruese, Shqipërisë i shtohet një tjetër zë pro hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Duke vlerësuar ecurinë e reformave në vendin tonë dhe sidomos të Reformës në Drejtësi, Kroacia shprehu mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane, duke premtuar edhe asistencën e një grupi ekspertësh nga Kroacia, për të ndihmuar palën shqiptare.

Mbështetja e Kroacisë për Shqipërinë u konfirmua nga vetë Kryeministri i këtij vendi, Andrej Plenković gjatë një konference të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama.

“Në takimin që patëm pak më parë ramë dakord se raportet mes 2 shteteve janë të shkëlqyera dhe ne jemi aleatë në NATO, por shpresojmë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kroacisë do të mbeten gjithnjë pozitive. Republika e Shqipërisë do të ketë edhe më tutje përkrahjen e Kroacisë në rrugën e saj drejt BE, sidomos pas reformave që janë bërë në Shqipëri, por edhe dinamika e hapave që janë ndërmarrë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në këtë rrugë drejt BE jemi të gatshëm që ekspertët tonë kroatë të ndihmojnë palën shqiptare.

Sa i përket qëndrimit të Kroacisë kam theksuar edhe në mbledhje se Kroacia është pro hapjes së negociatave për Shqipërinë si dhe anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE. Prej qershorit të kaluar, deri në qershorin e ardhshëm, republikat e Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë kaluar një fazë të madhe, kur bëhet fjalë për reformat në drejtësi. Pas zgjedhjeve europiane shpresoj se edhe Shqipëria, edhe Maqedonia do të fillojnë negociatat”, – u shpreh Kryeministri kroat.

I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës së përbashkët për pritshmëritë që ka Tirana nga Brukseli, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se “presim nga Brukseli atë që meritonim të merrnim që këtë qershor, edhe Kroacia këtë kërkon, që të hapim negociatat me BE. Kroacia ka qenë një mbështetëse e përhershme në rrugën tonë drejt BE. Kroacia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij kroat Andrej Plenkovic, Kryeministri Rama vlerësoi marrëveshjen strategjike që u firmos nga dy krerët e qeverive, për të rritur marrëdhëniet tregtare. Kreu i qeverisë i propozoi Kryeministrit të Kroacisë që bashkëpunimi në fushën e ekonomisë të zgjerohej edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Nënshkrimi i marrëveshjes strategjike për partneritet në ekonomi përben një moment të rëndësishëm. Sot ne vumë theksin te nevoja e rritjes së shkëmbimeve tregtare. Vitin e ardhshëm do të zhvillojmë një forum biznesi mes dy vendeve. I propozova Kryeministrit të Kroacisë të rrisim bashkëpunimin me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kroacinë. “Do të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë së kufijve për të ndaluar emigrimin e paligjshëm”, – theksoi Rama.

Duke folur për marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes vendeve, Kryeministri kroat shprehu iniciativën për rritjen e shkëmbimeve dhe marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë.

“Sot bëmë edhe nënshkrimin e deklaratës së Partneritetit Strategjik dhe shpresojmë se edhe kjo deklaratë të jetë një hap përpara për shkëmbimin e mallrave mes Shqipërisë dhe Kroacisë, ku momentalisht vlera e shkëmbimit shkon deri në 60 milionë euro. Shpresoj se marrëdhëniet tona në të ardhmen do të jenë më të fuqishme në bashkëpunimin tonë politik dhe ekonomik. Gjithashtu shpresoj se marrëdhëniet tona do të jenë edhe më intensive kur është në diskutim rajoni Adriatiko-Jonian dhe shpresojmë se kompanitë kroate në Shqipëri do të japin kontributin në ekonominë shqiptare. Çmojmë edhe mundin e shqiptarëve dhe komunitetit të tyre në Kroaci, të cilat japin një kontribut për shoqërinë kroate”, – u shpreh Plenković.

I pyetur mbi situatën mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Rama tha se Kosova ka ndërmarrë një vendim politik, dhe jo me karakter tregtar.

“Nuk di kroatisht, por akuzat e Beogradit i kuptoj edhe në këtë gjuhë. Beogradi dhe Serbia e kanë shkelur në mënyrë të përsëritur marrëveshjen e CEFTA-s, Kosova është ankuar në mënyrë të përsëritur dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje, ti adresohet shqetësimi i saj për  shkeljet që i ka bërë Serbia kësaj marrëveshje. Vendosja e taksës së Kosovës është anormale por edhe situata është anormale. Në situatë normale do te ishte vendim i dënueshëm, por në këto kushte duhet marrë kështu si një klithme i një reagimi politik dhe jo si një reagim tregtar”.

Në fund kreu i qeverisë parashtroi shqetësimin e qytetareve të Kosovës për mos liberalizimin e vizave në zonën Shengen.

“Ka një frustrim të madh në Kosovë për mos liberalizimin e vizave pas marrëveshjes e kufirit me Malin e Zi. Kosova po jeton në një paradoks që nuk mund të pranohet më. Deri dje ishin qytetarë të dorës së dytë nën Beogradin dhe Jugosllavinë dhe lëviznin lirshëm në Europë. Sot janë të vetmit qytetarë të dorës së dytë në Europë. Përsa i përket “Shqipërisë së Madhe”, në Beograd del në sipërfaqe sa herë që shqiptarët kërkojnë disa të drejta evidente dhe sa herë që Shqipëria mbështet Kosovën me të drejtë”, – përfundoi Kryeministri Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button