Home / Rajoni / Maqedonia / Gruevski kërkoi ndihmën e BE-së para arratisjes në Hungari

Gruevski kërkoi ndihmën e BE-së para arratisjes në Hungari

Ish-kryeministri maqedonas në arrati, Nikola Gruevski, raportohet të ketë kërkuar ndihmën e personaliteteve me më shumë ndikim në Bashkimin Europian për të shmangur dënimin e tij me burg, përmes një letre dërguar atyre më 16 tetor, përpara se të arratisej përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, për në Hungari, ku edhe ka aplikuar për azil politik.
Në letër, Gruevski i shkruan komisionerit europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, komisioneres për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç dhe kryetarit të Partive Popullore Europiane (PPE), Joseph Doll.

Letra është publikuar nga një medie e afërt me VMRO-DPMNE-në opozitare, televizioni “Alfa”, ndërkohë që përmes saj, Gruevski kërkon që në Maqedoni të dërgohen gjykatës ndërkombëtarë ose mision ndërkombëtar, pasi nuk beson në pavarësinë e gjyqësorit.

Sipas tij, për vendimin e marrë ndaj tij janë mbledhur materialet e përgjuara në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që nuk është lejuar që atyre t’u bëhet ekspertiza.

Më 13 nëntor, Gruevski njoftoi përmes “Facebookut” se ishte larguar nga Maqedonia për në Hungari, për shkak të kërcënimeve politike. Edhe pse MPB-ja lëshoi urdhërarresti ndërkombëtar ndaj tij, Hungaria nuk po e ekstradon, por po merr në shqyrtim kërkesën e tij për azil.

Gruevski rezulton i dënuar me dy vite burg nga Gjykata e Shkupit, për çështjen e njohur si “Tanku”, që ka të bëjë me blerjen për 600 mijë euro të një automjeti Mercedes.

Leave a Reply

%d bloggers like this: