Politika

Majko: Shqipëria, marrëdhënie speciale me Italinë

Shqipëria ka një marrëdhënie speciale me Italinë. Kjo marëdhënie nuk vjen si qëllim i politikës, por i marëdhënies njerëzore që shqiptarët dhe italianët kanë me njëri tjetrin.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko në konferencën “Integrimi dhe bashkëpunimi i komunitetit shqiptar në Itali, midis sukseseve dhe vështirësive”, organizuar nga Partia Radikale Italiane në Parlamentin Italian deklaroi se, “miqësia italo-shqiptare e thënë nga politika nuk ka ndonjë vlerë të shtuar. Kjo miqësi realisht është një pohim që popujt tanë kanë shekuj që jetojnë me të si realitet”.

Sot, tha Majko, “migracioni shqiptar nuk është ai i mjerimit të post-komunizmit. Brezi i dytë po vjen shpërthyes dhe me kërkesa që duhet të vlerësohen nga niveli i mardhënieve midis dy vendeve. Në marrdhënien midis dy shteteve pas viteve 90-të ka zhvillime cilësore. Njohjes reciproke dhe konfidencën kulturore që shqiptarët kanë me Italinë fqinje i është shtuar edhe migracioni i ri shqiptar”.

Tashmë, theksoi Majko, “Italia është vendi që ka më shumë shtetas shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit. Në universitetet italiane, studentët shqiptarë janë të parët nga numri ndër të huajt që studiojnë në to. Numri i bizneseve shqiptare në Itali është në rritje konstante. Pjesmarrja e shqiptarëve në jetën publike italiane po rritet. Në art shqiptarët e njohur nuk janë më surprizë. Migrantët shqiptarë janë duke marrë shtetësi italiane dhe janë kthyer së bashku me arbëreshët në esencën e pranisë shqiptare në shoqërine italiane. Aty sasia po kthehet në cilësi. Është një cilësi e cila padyshim është një nga shembujt më të mirë të integrimit dhe suksesit të të huajve në Itali”.

Në Itali, vijoi Majko, “shqiptarët kanë edhe probleme. Ato janë pjesë e natyrshme e jetës italiane ku ata jetojnë. Në burgje numri i shqiptarëve po ashtu është i madh. Do të ishte e padrejtë që statusi i tyre të mos përmendej si pjesë e pranisë shqiptare në Itali”.

“Sot në Parlamentin italian falë ndërmjetësimit të Partisë Radikale jam i pranishëm me avokatët shqiptarë të cilët kanë studjuar dhe punojnë në Itali. Kush më mirë se ata ka marrdhënie me të gjitha shtresat e prezencës shqiptare këtu. Jam krenar që falë angazhimit dhe kërkesës së tyre bëmë të mundur që ky rrjet avokatësh, i sapo krijuar, të jetë i pranishëm sot në këto ambjente”, tha Majko.

“Prania e avokatëve shqiptarë është më e rëndësishme se vetë diskutimi. Midis tyre, ashtu si unë në fillimet e viteve 90-të, keni njerëz që nuk do ta harrojnë këtë ditë. Të ndërtosh memorien e një miqësie është më shumë se çdo deklaratë. Eshtë pak t’ju them që jam i kënaqur që ndodhem sot këtu. Ju jam mirënjohës që trajtoni njerëzit e mi me respekt. Ju siguroj që ne shqiptarët nuk harrojmë”, tha ministri Majko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button