Home / Ekonomia / Blerja e Societe nga hungarezët e OTP, Konkurrenca miraton kalimin e 89% të aksioneve

Blerja e Societe nga hungarezët e OTP, Konkurrenca miraton kalimin e 89% të aksioneve

Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë një tjetër miratim lidhur me përqendrimet e realizuara në tregun e shërbimeve bankare dhe këtë herë bëhet fjalë për kalimin e aksioneve të Societe Generale Albania sha nga Societe Generale tek hungarezët e OTP.  Në një njoftim të fundit ky autoritet bëri me dije se Komisioni i Konkurrencës ka marrë vendim për autorizmin e këtij përqendrimi në 22 nëntor 2018.

“Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 571, datë 22.11.2018 “Mbi Autorizimin e përqëndrimit të rezlizuar nëpërmjet shitblerjes së aksioneve prej 88.89% të Societe Generale Albania SHA nga Societe Generale tek OTP Bank Nyrt”, autorizoi përqëndrimin e realizuar në tregun e shërbimeve bankare.

OTP Bank Nyrt është shoqëri aksionare hungareze.  Aktivitetet e saj janë ndërmjetësimi monetar si dhe qira financiare, aktivitete të tjera të shërbimeve financiare; brokerimi I kontratave të letrave me vlerë; konsulencë fiskale; qiradhënia dhe operimi i pasurive të paluajtshme në pronësi ose me qera” thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Më herët Monitor ka raportuar se kalimi i aksioneve të Societe Generale Albania tek OTP u ndoq nga një seri negociatash lidhur me aksionet që zotëronin disa sipërmarrës vendas që ishin  11.11 për qind. Këta të fundit fillimisht deklaruan për një shprehje interesi për të qenë parablerës të pjesës së aksioneve të Societe. Më pas ishte Societe ajo që do të bënte ofertë për sipërmarrësit vendas që të merrte 100 për qind të aksioneve në pronësi të saj, por transaksioni nuk është zyrtarizuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Duket se për të përshpejtuar procesin, Banka ka kërkuar autorizimin te Konkurrenca për pjesën e saj të aksioneve.

Banka Societe hyri në Shqipëri përmes blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007, duke shënuar një nga shitjet më të suksesshme të një banke, teksa u shit me gati katër herë mbi kapitalin. Banka Popullore ishte një investim i 32 sipërmarrësve shqiptarë, e hapur në vitin 2004.. Pjesa më e madhe e aksionerëve hoqën dorë tërësisht nga aksionet dhe vetëm disa prej tyre mbajtën një minorancë në 2007-n, kur u realizua shitja tek Societe.

Në fund të 9-mujorit 2018, Societe Generale ishte banka e pestë më e madhe në vend, me 5.7% të totalit të aseteve (në rënie nga 5.9% në fund të 6 mujorit). Banka ka 8.9% të stokut të kredive (e pandryshuar nga 6 mujori) dhe 6.2%  të depozitave (në rritje të lehtë nga qershori), sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin, Societe deklaroi një fitim prej 691 milionë lekësh. Banka ka 419 punonjës.

Sistemi bankar ka hyrë në një fazë intensive të shitblerjeve. Numri i bankave ka zbritur aktualisht në 14, pas përthithjes së Veneto Bank nga Intesa Sanpaolo dhe blerjes së NBG Bank nga ABI Bank në gjysmën e parë të vitit. Pak javë më parë u bë e ditur po nga Konkurrenca se Union Bank ka aplikuar për pranimin e transaksionit të lidhur për blerjen 100% të aksioneve të International Comercial Bank (ICB) Albania. Pas blerjes së ICB nga Union Bank, sistemi bankar pritet të ketë 13 banka.

Grupi shqiptar  Balfin ndërkohë ka nënshkruar marrëveshje me Bankën e Pireut në gusht për blerjen e Tirana Bank.

Leave a Reply

%d bloggers like this: