Home / Ekonomia / “Unaza e Re”, Gjiknuri: Zgjidhje e njëanshme e kontratës, në rast se verifikohet falsifikimi

“Unaza e Re”, Gjiknuri: Zgjidhje e njëanshme e kontratës, në rast se verifikohet falsifikimi

“Kompania e kontraktuar për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe në Tiranë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit, dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentet e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike”.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri reagoi sot lidhur me debatin e krijuar pas pezullimit të punimeve në njërin prej 3 loteve të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmentit nga Pallati me Shigjeta te Sheshi Shqiponja.

“Atyre që duan të bëjnë politikë me Unazën e Re dhe kujtojnë se gjetën shtegun e revolucionit, pasi u katandisën me 100 protestues profesionistë të Bashkisë Kamëz nga mbrapa, u them se ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën”, tha Gjiknuri.

Ai nënvizoi se ARRSH ka pezulluar projektin për lotin nr.1, ndërsa në cilësinë e ministrit i është drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media.

Gjiknuri paralajmëroi se “në fillimjavën e ardhshme, pritet përgjigjja e autoriteteve amerikane”. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë Gjiknuri konfirmoi se “padiskutim do të reagojmë menjëherë me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë”.

“Ky është dallimi i madh mes nesh dhe jush. Ne nuk i fshihemi asnjë përgjegjësie shtetërore dhe as kemi gjë për të fshehur. E thënë ndryshe, shqetësimi juaj është si të shisni baltë për të mbuluar të kaluarën tuaj, ndërsa qëllimi ynë është si të hapim rrugët e zhvillimit të Shqipërisë që ju rrënuat”, theksoi ministri Gjiknuri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: