Home / Kronika / Nikolla kalon pranë protestuesve; Studentët thërrasin: Turp, turp, turp

Nikolla kalon pranë protestuesve; Studentët thërrasin: Turp, turp, turp

Protesta e studentëve vazhdon para godinës së Ministrisë së Arsimit prej rreth 5 orësh dhe nëpërmjet deklaratave, thirrjeve në kor dhe pankartave, ata kanë treguar se nuk do të ndalin “revoltën” e tyre përballë sistemit.
Duke qenë se protesta nuk ka organizatorë apo drejtues të mirëfilltë, kërkesat e tyre janë shtuar në numër, pasi studentët e çdo fakulteti përpiqen të ngrejnë kauzat e tyre.

Përveç 8 kërkesave primare që ia kanë drejtuar ministres Lindita Nikolla, e për të cilat thonë se mund të hyjnë edhe në grevë urie, studentët sot kanë kërkuar edhe “Vetting për pedagogët”, madje duke nxjerrë një listë me emra të atyre që kërkojnë ryshfet në këmbim të provimeve.

Në një moment gjatë protestës, ministrja e Arsimit ka dalë nga zyra e saj duke tentuar të hyjë në mes të turmës, e shoqëruar nga disa bodigardë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, por është pritur me ovacione dhe ulërima pakënaqësie, çka ka bërë që të tërhiqet sërish brenda godinës për të shmangur tensionin dhe përplasjet.

Studentët nuk kanë pranuar negociata, por vetëm zgjidhjen direkte të kërkesave të tyre, ndaj në momentin kur ministrja e Arsimit tentoi të fliste me ta, ata kanë thirrur: “Turp! Turp! “.

Gjithashtu kanë brohoritur dhe i kanë rënë vuvuzelave duke nënkuptuar se e refuzonin Nikollën mes tyre, pasi ministrja ka dalë me truproja dhe këtë e cilësojnë si tentativë provokimi.

“Erdhi me truprojet e saj të kalojnë mes turmës dhe nga ne u mor sikur erdhi për të nxitur dhe për të thënë që jemi vandalë. Ministrja të vijë këtu pasi të ketë plotësuar kërkesat. Nuk ka negociata”, u shpreh një student.

Leave a Reply

%d bloggers like this: