Opinion

Kosova – kjo bastarde angloamerikane?

Nga: Xhemal Ahmeti

Kosova diskriminohet nga BE: s’ka liri lëvizjeje, s’ka ushtri. Dy privime në një: të drejtën universale të lëvizjes së lirë dhe të drejtën për vetëmbrojtje. Pse BE ka luksin të sillet kështu e Kosova s’ka as të drejtën të ndërtojë veten nga brenda pa u orientuar në këto organizata që e poshtërojnë? Kush e thotë këtë dhe pse duhet ndryshe?

Ajo lindi dhe vdiq. Tom Builder, burri i saj, i kthen shpinën foshnjës dhe ikë. Fëmija ia plas angullimës. Jo se kuptonte diçka nga drama që zhvillohej, porse me siguri nuk duronte acarin e tmerrshëm në pyll. Kjo skenë nga romani mesjetar “Pesë shtyllat e tokës” i Ken Follet shpesh përdoret si metaforë për braktisjen e asaj që konsiderohet e shenjtë, qoftë nga afekti apo nga qëndrimi “racional”. Pse iku gurgdhendësi Tom? Ngase besonte se Agnes-i, gruaja atyreçasteve kufomë, ta kishte lindur fëmijën e dikujt tjetër apo iku siç e arsyeton Ken Follet ngase ishte i bindur se nuk e ushqen dot. Cilindo arsyetim që përdor ai, figura e Follet me pendën e të fundit, nuk i shpëton kurrë shpatës së mprehtë të humanistit që ndanë në dysh kokën e përbindëshit të padrejtë, të ftohtë, bishës së pandjenja pra.

Si e konsideron BE sot Kosovën – si foshnjë që donë ta braktis ngase e konsideron foshnjë të dikujt tjetër apo se nuk donë ta ushqejë një “parazit të korruptuar që s’bëhet dot shtet”. Ne duhet të flasim me transparencë totale nëse duam të kuptojmë sjelljet e fundit të BE-së. Ose të flasim ashtu si na thonë “privatisht” komisarët e BE-së korridoreve të Brukselit, madje ne duhet të flasim edhe për ato që nuk na i thonë nga paguximi por që ua lexojmë nga veprimet. “E gjitha Europa ishte kundër bombardimit të Serbisë. Këtë e di ti shumë mirë. Na detyruan amerikanët dhe britanikët. Duhej të bënim luftë me shoqëritë tona për këtë. Kosova është fëmijë e amerikanëve dhe britanikëve dhe le të merren tash ata me këtë punë”. Kështu ma preu një ish ministër i një vendi perëndimor tash funksionar i lartë në BE. E tha të vërtetën siç ishte, por a duhet ta marrim mendimin e tij si përfaqësues edhe të qëndrimit të BE-së sot karshi Kosovës dhe shqiptarëve?

Devijim: Gjersa shkruaj, lumin e mendimeve ma ndërpret lehja veshëdegjenruese e një qeni. Konduktori i trenit është kapur me një udhëtar që ka qenin me vete. “Për qenin duhet të paguash taksë – sidomos për një që leh kështu dhe tremb udhëtarët që mos futen në tren”. Qeni kokërrumbullkët e hundështypur sikur ta kuptonte gjuhën e konduktorit dhe u çart frikshëm, jargët i shkonin aq lumë saqë dyshemeje u bë shkumë.

II.
Kosova nuk ka as luksin e as fuqinë të rri në konflikt me BE-në. Kjo organizatë gjunjëzon Zvicrën e Britaninë e lere më një vend në konsolidim si Republika e Kosovës. Primateria e Brukselit e di këtë, përndryshe nuk do përdorte gjuhën e ultimatumeve, diskriminimit dhe njëanshmërisë që nuk i bë as ndaj sllovakëve e lere më ndaj britanikëve. Për këtë arsye Kosovës i duhet një zgjuarsi e dyfishtë. Dhe atë temporale dhe taktike. Një strategji që hapet me hipotezën analitike: “Edhe sa gjatë do të mbijetojë ky klub kështu, një organizatë që për bazë ka dhunimin e kombeve që nuk duan të jenë ose të kyçen aty dhe që keqpërdoron/zhvaten nga ata që janë aty si më të pasurit në favor të rasteve sociale si Franca, Italia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Bullgaria e plotë të sojit? Si duhet të sillet Kosova kur diskriminimi në favor të gjenociduesit të saj është kaq eklatant dhe i dukshëm, pa rrezikuar aleancat qofshin ato kryekëput utilitariste?”.
Sigurisht jo duke krijuar aleanca erotike me primatë fashistë të Lindjes a Perëndimit, si këta të tipit polak e hungarez apo si ata popull- e lirivrasësit e Arabisë a Turqisë.
Një recetë është kjo e një amerikani shërbimesh senzible që ma tha disa minuta pasi më tmerroi funksionari i BE-së: “Kosova duhet të përqendrohet totalisht brenda. Katalogjet e BE-së t’i shfrytëzojë për vete e jo për në BE, NATO apo diku tjetër. Kosova duhet të bëhet shtet dhe pastaj të dal në tregun e këtyre organizatave supranacionale me oferta”. Pra me oferta jo me lutje lypësish për mëshirë. A është e mundshme kjo me një pozitë dhe opozitë siç i ka Kosova aktualisht? A është e mundshme kjo me një opozitë që kërkon pushtetin pikërisht duke u djegur “kasolla” dhe me një pozitë të çarë në dysh – që serbët e konsiderojnë si lojën e milicit të mirë dhe të keq poqë në fakt nuk është ashtu.

III.
Mungon Njeriu i Tretë – qoftë ai i Aristotelit e qoftë ai i Graham Greene-it. Mungon një elitë, fabrikë mendimi e strategjish, që do nxirrte Kosovën triumfuese si shtet dhe projekt. Sidomos atëherë kur klubi primar i kontinentit siç është BE vepron diskriminueshëm kundër saj. Është kundër ngase lobi ruso-serb ka kapur këtë mekanizëm. Nuk e themi ne por gjithë ata që kanë ikur apo mezi presin ta demolojnë atë. Është koha kur Kosova jo vetëm me taksa por edhe me shumëçka-tjetër vendos ta bëjë veten dhe ta lë garën për në organizatat ndërkombëtare, qoftë edhe duke suspenduar kërkesat e saja përkohësisht për në BE apo diku tjetër. Pa dinjitet s’ka respekt.

IV.
Devijim II: „Bitte aussteigen“, ju lutemi braktisni trenin tha altoparlanti. Ku mbeti qeni? Atij pronari ia kishte bllokuar turinjtë me një rrjet metalik dhe veç jargë prodhonte e zë hiç.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button