Home / Rajoni / Maqedonia / Ruçi në Shkup: Shqipëria mbështet fuqimisht integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë

Ruçi në Shkup: Shqipëria mbështet fuqimisht integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë

Rritja dhe zgjerimi i shkëmbimeve ndërparlamentare, si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin cilësor të marrëdhënieve midis të dy vendeve, për shkëmbimin e përvojave parlamentare, bashkëpunimin e koordinimin parlamentar në aktivitete rajonale e ndërkombëtare, ishte në fokus të takimit që kryeparlamentari Gramoz Ruçi zhvilloi me homologune tij maqedonas, Talat Xhaferi. Ruçi po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoni me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë.

Xhaferi informoi z.Ruçi për prioritetet e Parlamentit dhe Qeverisë së Maqedonisë duke theksuar se “prioritetet mbetet integrimi euroatlantik dhe përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinjë”.

Ai e informoi Kryetarin e Kuvendit edhe për aktivitetet më të fundit në parlamentin maqedonas dhe për rolin që ai është duke luajtur në përmbyllje të reformave shumë jetike për demokratizimin e funksionalizimin e shoqërisë multietnike në Maqedoni, përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit dhe ndryshimeve kushtetuese të parapara për përdorimin e gjuhëve e të emrit të vendit, që do votohen së shpejti.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, vlerësoi reformat substanciale që parlamenti, qeveria dhe partitë politike kanë ndërmarrë. “Këto reforma po sjellin ndryshime dinamike në procesin e demokratizimit të Maqedonisë, të shtetndërtimit, të garancive për funksionalitetin e një shoqërie të vërtetë multietnike, mbi bazën e respektit e të barazisë të dy komuniteteve kryesore etnike të vendit, maqedonasve e shqiptarëve”, vuri në dukje Ruçi.

Ruçi dhe z. Xhaferi vlerësuan rolin konstruktiv dhe shumë aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në këtë proces, si dhe besnikërinë e popullsisë shqiptare në interes të Maqedonisë.

Kryeparlamentarët Ruçi dhe Xhaferi përshëndetën arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe përpjekjet e parlamentit dhe qeverisë maqedonase për të përmbyllur çështjen e ndërrimit kushtetues të emrit të Maqedonisë dhe që do të hap rrugën e anëtarësimit të shpejtë të saj në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor 2019.

Të dy kryeparlamentarët dhe bënë thirrje që të vazhdoj dialogu politik midis Serbisë dhe Kosovës, ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare e me garanci zbatimi midis të dy vendeve.

Ruçi dhe Xhaferi vlerësuan angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian, SHBA, NATO, për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe theksuan nevojën e një investimi e pranie më të madhe të tyre për të frenuar ndërhyrjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë me peshë që kanë hyrë në rajon dhe që përpiqen të shfrytëzojnë hapësirat e krijuara.

Të dy palët çmuan Procesin e Berlinit, iniciativën e zonjës Merkel, që në këto katër vitet e fundit e ka bërë Bashkimin Evropian më të pranishëm në rajonin tonë me projekte konkrete.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u prit edhe nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Ruçi vuri në dukje se Shqipëria mbështet fuqimisht integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë dhe vlerëson hapat konkretë për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët dhe përpjekjet për te investuar në një vizion pozitiv për rajonin, si një rajon i ankoruar në strukturat Euro-Atlantike.

Presidenti Ivanov falenderoi Kryetarin Ruçi për mbështetjen që Kuvendi i Shqipërisë i jep bashkëpunimit me Maqedoninë. “Jam i lumtur të pres Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë në celebrimin e 25 vjetorit të marrëdhënieve midis të dy vendeve sepse parlamentet janë nxitës të fuqishëm të këtyre marrëdhënieve. Unë kam pasur dhe kam marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë presidentët e Shqipërisë dhe këtë inkurajoj edhe për institucionet e tjera të të dy vendeve. Ne duhet të bashkëpunojmë më shumë dhe të jemi më të hapur me njeri-tjetrin. Tregjet çlirojnë mendjet tona dhe mendjet hapin tregjet”, nënvizoi Presidenti Ivanov, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtar midis të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit u prit gjithashtu nga Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Ruçi vlerësoi planin e ri të qeverisë Zaev, i njohur si Plani 18 dhe shprehu besimin në çuarjen para të reformave në të gjithë sektorët, me prioritet gjyqësorin, shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës, administratën publike e qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se pavarësisht se lidhjet tregtare janë zgjeruar dhe vëllimi i tregtisë është rritur, të dy vendet tona janë ende larg shfrytëzimit të potencialeve të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, turistike, kulturore midis tyre.

“Midis Maqedonisë the Shqipërisë po zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë, miqësor, i sinqertë dhe produktiv. Ne i jemi mirënjohës Shqipërisë sepse është një mike e madhe e Maqedonisë si edhe për mbështetjen ndaj pakicës maqedonase në Shqipëri dhe nga ana jonë po bëjmë më të mirën për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, vuri në duken Kryeministri Zaev.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilloi një takim edhe Grupin parlamentar të Kuvendit te Maqedonisë për bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, Ruçi dhe delegacioni që e shoqëron vizituan Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës. Kryeparlamentari vlerësoi lart figurën e Nënë Terezës, si një ndër simbolet më të fuqishme dhe përbashkuese të kombit shqiptar dhe nënvizoi se fryma e ligjeve që miratojnë parlamentet tona duhet të përshkohet me shumë nga mesazhet e veprimtarisë, të jetës dhe kontributit të Nobelistes shqiptare, Shën Nënë Tereza. Ai vendosi një kurorë në monumentin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Shkup.

Kryeparlamentari Ruçi zhvilloi takime edhe me drejtues të partive shqiptare parlamentare në Maqedoni ndërsa sot do të takohet edhe me Hristijan Mickoski, Kryetar i Partisë VMRO-DPMNE.

Gjatë takimeve, Kryetari i Kuvendit përgëzoi drejtuesit e partive politike shqiptare dhe nëpërmjet tyre të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, për rolin konstruktiv në jetën politike e shoqërore të Maqedonisë, sidomos për mbështetjen e tyre gjatë zhvillimeve të fundit, të cilat janë thelbësore për të ardhmen dhe integrimin euroatlantik të shtetit maqedonas.

Ruçi u bëri thirrje partive politike të shqiptarëve në Maqedoni që të angazhohen dhe kontribojnë më shumë për zbatimin e Deklaratës së Partive Parlamentare Shqiptare. Ai kërkoi më shumë vullnet politik për funksionimin e mekanizmit monitorues dhe bashkëpunimit të përfaqësuesve politikë shqiptarë në Maqedoni.

Leave a Reply

%d bloggers like this: