Bota

Shefja financiare e Huawei mbetet prapa grilave, pritet vazhdimi i gjyqit

Dita e dytë e gjykimit të hënën nuk solli asnjë zgjidhje për pyetjen nëse drejtoresha e çështjeve financiare e gjigantit teknologjik kinez Huawei do të lirohet me kusht, ndërsa seanca e radhës pritet të vazhdojë ditën e sotme.

Arrestimi i zyrtares së lartë të kompanisë Meng Wanzhou më 1 dhjetor në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit ishte me kërkesë të qeverisë amerikane. SHBA dëshiron që Meng, vajza e themeluesit të Huaweit dhe shefit ekzekutiv Ren Zhengfei, të ekstradohet në SHBA për t’u përballur me akuzat për mashtrim.

Seanca dëgjimore për lirimin e saj me kaucion u shty për të hënën dhe Meng kaloi fundjavën në burgun kanadez.

Huawei dyshohet për operimin e një filiali që Meng e ka mbajtur si firmë të veçantë dhe më pas e ka përdorur për të bërë biznes ilegal me Iranin duke shkelur sanksionet amerikane ndaj këtij vendi.

Avokati i saj, David Martin, argumentoi të hënën se edhe pse kishte qasje në shuma të mëdha parash, ajo nuk do përbën rrezik për t’u arratisur, sepse klienti i saj “është një grua me karakter dhe dinjitet” dhe “thellësisht respekton sundimin e ligjit”.

Ai tha gjithashtu se Meng nuk do të ikte, sepse kjo do të turpëronte qeverinë kineze.

Martin propozoi që nëse Meng do të lirohej, ajo do t’i nënshtrohej monitorimit elektronik dhe se një ekip privat i sigurisë do ta ndiqte dhe ajo vetë do t’i paguante shpenzimet. Ai gjithashtu tha se ajo do të qëndronte në shtëpinë e saj në Vankuver gjersa rasti i saj vazhdon.

Arrestimi i saj në Vankuver të shtunën shkaktoi reagim të rreptë nga qeveria kineze.

Ngjarja gjithashtu shkaktoi rënien e aksioneve pas shqetësimeve se incidenti do t’i jepte fund armëpushimit të përkohshëm tregtar të arritur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping.

Kryeministri Justin Trudeau tha para gazetarëve të enjten se politika nuk ka luajtur asnjë rol në arrestimin e Meng për ekstradim të mundshëm në SHBA.

Tensionet me Pekinin kanë bërë që Kanadaja të përgatitet për një sulm të mundshëm kibernetik nga Kina në rrjetin e saj të komunikimit.

Huawei është furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve të rrjetit të telekomunikacionit dhe prodhuesi i dytë më i madh i smartfonëve pas Samsung.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button