Kronika

Dita 8/ “S’ka dialog”, studentët shtojnë një pikë tjetër në listë

Studentët nuk heqin dorë nga Lëvizja e tyre. Megjithëse ultimatumi i vënë ndaj qeverisë nuk funksionoi dhe nga ana e ministrisë nuk ka përgjigje pozitive për 8 kërkesat e tyre, studentët janë ngritur sërish sot në protesta. Ata janë mbledhur nga të gjitha fakultetet përpara Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit, një objektiv i qëllimtë i tyre duke kërkuar plotësimin e 8 kërkesave.

Në fakt tanimë 9 kërkesa. Kjo pasi studentët shtojnë një pikë tjetër në kërkesat e tyre. Nisur nga procedimi penal i ndërmarrë nga policia për protestën e djeshme ndaj 25 personave, studentët kërkojnë heqjen e procedimeve penale. “Hiqni procedimet penale për studentët”, kanë bërë thirrje ata.

Ndërkohë studentët kanë pasur mendime të ndryshme për të vijuar nesër protestën para kryeministrisë apo edhe para parlamentit. Kishte nga ata që thoshin që nesër të mblidheshin tek Kuvendi, siç kishte dhe nga ata që kërkonin të mos lëshohej sheshi para Kryeministrisë.

“Ditën e nesërme do të protestojmë para parlamentit. Nuk do lejojmë që kazani të diskutojë llogje pa vlerë në atë parlament. Ne jemi përfaqësuesit më të mirë. Nesër vatra e protestës do jetë vetëm një. Do mblidhemi në një vend. Kemi një kauzë me 8 kërkesa.
Nesër do jemi shumë më shumë sepse do bashkohen studentët nga rrethet, do bashkohen maturantët, do bashkohen qytetarët, ata që e duan Shqipërinë si e gjithë Europa”, tha një student.

“Jam dakord që nesër t’i drejtohemi Kuvendit, po ne nuk do të shkëputemi nga këtu. kjo është vatra, kjo është zgjidhja. Nesër do të jemi në shumë pika strategjike, duke parashtruar të njëjtën kërkesë.
Kërkesat janë nëntë në fakt. Hiqni procedimet penale. Ky është turp që ju po përpiqeni të na intimidoni. Ne jemi këtu”, deklaroi një student tjetër.

“Këta e kanë bërë shtetin si firmë private. Këta i japin një personi që punon recepsionist 40 milionë euro dhe nuk kanë 20 milionë për arsimin. Nëse nuk ke arsimin e duhur nuk mund të kesh në dorë tepsinë që ka kryeministrit. Ne nuk kërkojmë lëmosha, por drejtësi dhe barazi.
Ne kemi kauzën tonë dhe ajo përfshin të gjithë shqiptarët. Nëse zgjidh problemin e arsimit ke zgjidhur problemet e shoqërisë. Pankarta më e bukur që kam parë ka qenë ‘Unë dola nga shpella e Platonit,’ prandaj dilni edhe ju nga shpella e Platonit.
Ne jemi këtu. Nuk jemi të përçarë!”, tha një student pas kërkesës së një qytetari që protesta të jetë dhe për shqetësimet e tjera të tyre.

Deklaratës së kryeministrit për dialog, studentët i janë përgjigjur se nuk do të ketë asnjë bisedim por veç plotësim të kërkesave të tyre. “Politika ka 28 vjet që na ka sjellë në këtë derexhe. Kur padrejtësitë bëhen ligj, rezistenca bëhet detyrë.

Nuk ka konsensus, plotësoni kërkesat tona. S’ka dialog, s’ka negociata. Është vetëm një firmë. Mjafton të plotësohen 8 kërkesat, është shumë e thjeshtë”, tha një prej studentëve.

Një tjetër studente para kryeministrisë deklaroi se ata nuk duan dorëheqjen e ministres së Arsimit por të plotësohen kushtet. “Nuk duam dorëheqjen e ministres. Kushdo që të vijë do bëjë të njëjtën gjë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona”- tha ajo.

Ndërkohë ndryshe nga ditët e tjera, sot studentët nuk kanë pasur pankarta por fletë të bardha formati në duar. Nuk ka as fjalime me megafon, as folës.

Studentët kanë bërë thirrje të mos ushtrohet dhunë. Ata kanë theksuar se nuk do të bllokojnë rrugët sepse protesta e tyre është qytetare. Një mesazh i tretë ka qenë thirrja ndaj prindërve të tyre, t’i bashkohen protestës por edhe ndaj qytetarëve të tjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button