Kosova

Foggo: Krijimi i ushtrisë – vendim sovran i Kosovës

Komandant i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, tha të mërkurën në Shkup se “transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran, që duhet ta marrin deputetët e Kosovës”.

Ai i bëri këto komente pas takimit me ministren maqedonase të Mbrojtjes, Radmila Shekerinska.

“Kosova është shtet demokratik, siç jeni ju dhe siç është edhe Serbia. Në demokraci ju zgjidhni njerëz që do të marrin vendime në emrin tuaj. Transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës është një vendim sovran që duhet ta marr parlamenti i Kosovës”, citojnë mediet maqedonase të ketë thënë ai, duke nënvizuar se “ne jemi të përgatitur për cilindo vendim që do ta sjellë Parlamenti këtë javë. Ne jemi atje për të garantuar sigurinë Kosovës”, ka thënë ai duke përgjigjur në pyetjen mbi qëndrimin e Aleancës rreth planeve të Kosovës për miratimin e ndryshimeve ligjore që mundësojnë shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj.

Parlamenti i Kosovës pritet që të mblidhet për të miratuar këto ndryshime të premten më 14 dhjetor.

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”.

Sekretari Stoltenberg tha se ky proces po ndodhë në një “periudhë të papërshtatshme. Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s, dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimet e ardhshme euroatlantike të Kosovës”.

Ai tha që nëse Kosova përmbyllë transformimin e Forcës së Sigurisë, atëherë “NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”, por për këtë tha ai, duhet të vendosë Këshilli i Aleancës Veri-atlantike.

Ndërkaq ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të enjten se shndërrimi i i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran e i pavarur të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, ai tha se “Uashingtoni vazhdimisht e ka mbështetur zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj në Forcë të Armatosur. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë para; kemi kaluar shumë kohë në trajnime; kemi bërë shumë shkëmbime ndërmjet FSK-së dhe ushtrisë amerikane. Mendojmë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran, i pavarur që të ketë aftësi vetëmbrojtëse”.

Të mërkurën edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se vendi i tij mbështetë krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Paralajmërimi i votimit të premten ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit. Madje kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, tha se javën e kaluar se “përdorimi i ushtrisë” është një nga mundësitë nëse Kosova vazhdon me planet për formimin e ushtrisë së saj”, për të cilën Beogradi pohon se qëllim kryesor e ka “që të marr veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe të dëbojë serbët prej andej”.

Pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga Prishtina. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se krijimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka të bëjë me militarizim të vendit, por kjo sipas tij është një propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë.

“Nuk i dedikohet krijimi i ushtrisë sulmit në veri. Është gënjeshtër e tyre ashtu siç dinë t’i bëjnë dhe bëjnë gabim që frikësojnë popullin serb. Ne do të ndërmarrim veprime sqaruese për serbët e Kosovës”, tha mes tjerash ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë të armatosur lehtë.

Autoritetet në Kosovë pohojnë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth mijë trupa, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

NATO-ja u vendos në Kosovë në vitin 1999 në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes, në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj por është përfshirë në një proces normalizimi marrëdhëniesh me Kosovës si kusht për integrimet evropiane. Por bisedimet për këtë normalizim kanë ngecur dhe një krizë e re i ka përfshirë ato pas vendimit të Kosovës për t’u vendosur një tarifë prej 100 për qind mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj siç thuhet, fushatës agresive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button