Politika

Ngritja e KLGJ-së, ‘qeveria’ e gjyqësorit shkrin Këshillin e Lartë të Drejtësisë

Epoka e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka marrë fund. Pas shumë skandalesh dhe qokash, ky institucion ditën e djeshme është shkrirë zyrtarisht.

Me ngritjen e organeve të reja, merr fund edhe roli i presidentit si kryetar i KLD-së

Gjyqtarët votuan qeverinë e tyre që quhet Këshilli i Lartë Gjyqësor, në të cilin ata do të përfaqësohen nga gjashtë anëtarë të të gjitha shkallëve.

Një ditë pas konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë zgjedhur edhe gjashtë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke hedhur kësisoj një tjetër hap të rëndësishëm në finalizimin e zbatimit të reformës në drejtësi. 360 gjyqtarë kanë zgjedhur përmes votimit të fshehtë Ilir Toskën, Brunilda Kadin, Dritan Hallunajn, Marcela Shehun, Brikena Ukperajn dhe Medi Bicin anëtarë të KLGJ

Shpërndahet KLD  

Këshilli i Lartë Gjyqësor zëvendëson zyrtarisht Këshillin e Lartë të Drejtësisë, një nga institucionet më të kritikuara të drejtësisë për qoka dhe mbrojtjen e abuzimeve të gjyqtarëve. Pika 1 e nenit 277 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon që mandati i anëtarët të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfundon në ditën kur zgjidhet anëtari i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pika e 4 e këtij neni përcakton se ditën e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të gjitha dosjet dhe dokumentacioni në administrim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kalojnë KLGJ. Zgjedhja e 6 anëtarëve të KLGJ ka shënuar fundin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetari i KLD Ilir Meta, së bashku me anëtarët Xhezair Zaganjori, Etilda Gjonaj, Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Gjin Gjoni, Vangjel Kosta, Brunilda Kadi, Eneida Civici, Petrit Çomo, Gerd Hoxha, Neritan Cena dhe Ridvan Hado, nuk mund të mblidhen për të marrë vendime. Mandati i tyre konsiderohet i ndërprerë. Kompetencat e KLD tashmë do t’i ushtrojë KLGJ. Sipas ligjit, KLGJ emëron, ngre në detyrë dhe shkarkon gjyqtarët, përfshi edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjykata Speciale

KLGJ dhe KLP janë dy organet më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri, përcaktuese për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme, Gjykatave Speciale si dhe për qeverisjen në tërësi të drejtësisë së re. Këto institucione janë projektuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, si dhe çdo akuzë penale kundër funksionarëve të lartë shtetërorë. Sipas pikës 4 të nenit 135 të Kushtetutës, gjyqtarët e gjykatave të posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Tashmë procedurat për ngritjen e organeve të reja kundër korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet do të nisin brenda tre muajve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button