Ekonomia

OST nis procedurën për sekuestrimin e 3,4 milionë eurove të “DH Albania”

Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë nisur zyrtarisht procedurat për të konfiskuar sigurimin e kontratës të kompanisë DH Albania në të dy tenderat respektivë, atë të linjës Burrel-Peshkopi dhe tenderin e Unazës së Re.

Përmes një shkrese që mban datën 11 dhjetor, Operatori i Transmetimit i është drejtuar zyrtarisht kompanisë Sigma Interalbania duke i kërkuar të konfiskojë shumën prej 144.7 milionë lekë që DH Albania ka depozituar për sigurimin e kontratës në tenderin e linjës së transemtimit Burrel-Peshkopi.

Ndërsa Autoriteti Rrugor i është drejtuar bashkarisht kompanisë Sigma Interalbania dhe Sigal Unika Grup, pasi për shkak të vlerës më të madhe në tenderin e unazës, sigurimi i ofertës prej 269.5 milionë lekësh ka qenë i ndarë në dy kompani.

Në total, garancia financiare që DH Albania ka qenë e detyruar të depozitojë për të dy tenderat është 414.2 milionë lekë ose rreth 3.4 milionë euro. OST dhe ARRSH janë të bindura se sigurimi i kontratave do të konfiskohet plotësisht, por në të kaluarën ka patur disa raste kur pas mashtrimit në tendera nuk është arritur të konfiskohet as garancia financiare si në rastin e Albpetrol.

Kontratat e lotit të parë të Unazës së Re dhe linjës elektrike Burrel-Peshkopi u zgjidhën në mënyrë të njënashme nga shteti kur u publikua skandali i Dunwell Haberman, kompania mëmë e DH Albanias, kishte falsifikuar dokumentat dhe bilancet për të fituar dy tenderat me vlerë totale 30 milionë euro.

Skandali i mashtrimit ka vënë në lëvizje dhe autoritetet amerikane. Departamenti i Shtetit në Delaëare iu përgjigj Top Channel se menjehërë pasi u njoh skemën e mashtrimit ia ka përcjellë të gjitha dokumentat Departamentit të Drejtësisë për hetime të mëtejshme dhe tani çështja është në dorën e hetuesve amerikanë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button