Kronika

Rivlerësimi, shkarkohet Kryetari i Kushtetueses

Në Shqipëri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja nuk mundi t’i mbijetojë procesit të rivlerësimit. Kolegji i Apelimit vendosit sot shkarkimin e tij. Zoti Dedja e kaloi me vështirësi dhe testin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku tre anëtarët që shqyrtuan dokumentacionin e tij u ndanë në vlerësim, për shkak të problemeve të vërejtura me pasurinë e gjyqtarit. Relatori i çështjes hodhi hije të forta dyshimi mbi tre apartamente të blera nga zoti Dedja një në Tiranë në vitin 1997, një tjetër në Golem, i deklaruar në përdorim, dhe apartamenti i tretët i blerë në vitin 2013 në Tiranë së bashku me një garazh, për një vlerë prej 180 mijë eurosh.

Ndonëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e rikonfimoi zotin Dedja në detyrë në muajin qershor, me dy vota pro dhe një kundër, pak javë më pas, Komisioneri Publik e ankimoi vendimin. Për blerjen e apartamenteve zoti Dedja kishte deklaruar se përveç kredive kishte marrë dhe hua pa interesa nga të afërm të familjes, të cilët sipas Komisionerit Publik nuk ishin në gjendjen financiare për të bërë një gjë të tillë, pasi nuk i justifikonin me të ardhurat që merrnin.

Gjykata Kushtetuese prej disa muajsh është jashtë funksionit duke qenë se shumica e 9 anëtarëve të saj ishin dorëhequr ose u rrëzuan gjatë procesit të rivlerësimit. Me vendimin e sotëm të Kolegjit të Apelimit, i vetmi anëtar i konfirmuar është gjyqtarja Vitore Tusha e cila ndërkohë ka kandiduar për të marrë drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button