Rajoni

KS: Seancë mbi vendimin për krijimin e ushtrisë së Kosovës

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur me kërkesë të Serbisë, për të diskutuar mbi vendimin e parlamentit të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.

Vendimi, i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania, ngjalli kundërshtimin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, që vlerësuan se nuk ishte koha e përshtatshme për një gjë të tillë.

Presidenti serb, Aleskandër Vuçiç, shprehu indinjatën mbi votimin e parlamentit të Kosovës, duke e quajtur veprim që rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë rajonit. Në Beograd më parë, ai kishte sulmuar ashpër Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës.

Ai tha në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit se Serbia “po përballet me gjithnjë e më shumë vështirësi në Kosovë dhe jam shumë i brengosur dhe madje i frikësuar jo vetëm për popullin tim dhe Serbinë por edhe rajonin”.

Ai tha se Serbia kë bërë gjithçka për të përmbushur krejt marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa akuzoi Kosovën për mospërmbushjen e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Beogradi u ka tërhequr vërejtjen Prishtinës dhe Bashkimit Evropian se problemet duhet të zgjidhen përmes bisedimeve dhe “mos na fusni në telashe, siç janë përpjekjet për anëtarësimin në INTERPOL”.

“Dhe si kundërpërgjigje vunë tarifën për mallrat serbe. Fillimisht e bënë 10 për qind dhe kur e panë që pati efekt te popullata e vet, e ngritën në 100 për qind. Në kundërshtim me CEFTA-n dhe të gjitha parimet evropiane, duke mbytur çdo marrëveshje tregtare mes Serbisë qendrore dhe Kosovës. A mund ta imagjinoni dikë në shekullin 21 që vë taksë kundër lëvizjes së lirë të mallrave, se nuk u ka pëlqyer një vendim politik i anës tjetër?” Ata, tha ai, “rrezikuan kësisoj tërë komunitetin serb në Kosovë”.

“Por as kjo nuk ishte mjaft. Ata shpallën dëshirën për të krijuar ushtrinë e tyre”, tha ai duke e cilësuar atë si veprim në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, madje sipas tij edhe në kundërshtim me kushtetutën e tyre, që Serbia nuk e njeh.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ushtria e Kosovës do të jetë kontribuuese e qëndrueshmërisë në rajon dhe se vendimi për ushtrinë është i pakthyeshëm.

“Asgjë e jashtëzakonshme s’ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar. Në fakt ajo që ndodhi ishte vendim krejt normal, i drejtë, me mision dhe qëllim. Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur vullnet të mirë nga ata që deri më tani nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por tani Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ka marrë veprim të hapur për ushtrinë. Çka ka të jashtëzakonshme këtu? Asgjë fare”, tha ai.

Duke theksuar se kërcënimi i vetëm për rajonin “janë thirrjet irracionale për konflikt dhe luftë nga fqinji verior”, presidenti Thaçi tha se “si president dhe komandant suprem u them troç se ushtria sjell më shumë paqe dhe stabilitet. Ky hap nuk është mesazh kundër askujt. Ushtria e Kosovës nuk është dhe s’do të jetë kërcënim ndaj askujt. Është dhe do të mbetet profesionale e shumetnike. Mbi 10 për qind e ushtarëve janë nga komunitetet jo shumicë, serbë, malazezë, kroatë, turq, rom, egjiptas, ashkali e të tjerë. Do të mbrojë çdo qytetar në gjithë territorin, pavarësisht gjuhës që flasin në shtëpi”, tha ai.

Ai theksoi se themelimi i ushtrisë nuk është për të dyfishuar misionin e NATO-s në Kosovë, i cili do të vazhdojë të kujdeset për sigurinë që nga hyrja e tij në Kosovë në vitin 1999, për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button