Kosova

Trump: Koha për një marrëveshje Kosovë – Serbi

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre.

Në një letër drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që mban datën 14 dhjetor, presidenti Trump përmend takimin në Paris gjatë shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

“Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe qëndrueshmërinë për gjithë Evropën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”.

Në letrën që u shpërnda nga zyra e presidentit Thaçi, presidenti Trump, bën thirrje që “të gjithë udhëheqësit e Kosovës, ta shfrytëzojnë këtë moment unik, të flasin me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbahen nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. “Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet. Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila pasqyron në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë, t’ju mirëpres ju dhe presidentin Aleksander Vuçiç, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Por, tash e shtatë vjet, të dyja vendet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimet evropiane.

Aktualisht bisedimet kanë ngecur për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja palëve, të cilat u shtuan muajin e kaluar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind nda mallrave nga Serbia, si kundërpërgjigje ndaj sic është thënë, fushatës agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.

Serbia kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen kësaj tarife, për anulimin e së cilës kanë bërë thirrje edhe Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar Serbia reagoi me zemërim ndaj vendimit të parlamentit të Kosovës për themelimin e ushtrisë së saj, një vendim që u mbështete nga Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button