Politika

Akuzat e PD-së për përfitime nga tenderat, reagon Gjici: Prej vitesh nuk administroj asnjë biznes

Partia Demokratike i kërkon qeverisë përgjigje pse Safet Gjici mori 1.5 milionë dollarë për një projekt të pakontraktuar nga qeveria. Kështu deklaroi në një dalje për mediet nga selia e Partisë Demokratike,  Dorian Teliti, këshilltar për Ekonominë pranë kësaj partie.

“Me aktin e fshehtë normativ, kryeministri i ka shkurtuar investimet në arsim, por i ka dhënë Safet Gjicit 1.5 milionë dollarë për një punë, për të cilën ai nuk ka lidhur kontratë me qeverinë, por me Universitetin e Durrësit. Nëpërmjet kompanisë “Kevin Construction”, Safet Gjici ka lidhur kontratë prej 5 milionë dollarë me këtë universitet, i cili, sipas dokumenteve të tenderit, duhej të financohej plotësisht nga të ardhurat e vetë Universitetit”, tha ai.

Sipas Telitit, buxhetit të shtetit i mungojnë 122 milionë dollarë.

Ndërkohë, në reagim të kësaj deklarate të PD-së, reagoi ish-kandidati socialist, Safet Gjici, duke thënë se “megafoni i opozitës së dështuar dhe të shkërmoqur, foli sërish!”.

“Nuk çuditem, por mëshiroj çdo kënd, i cili nuk informohet, apo nuk do ta bëjë një gjë të tillë. E kam thënë e rithënë: Prej vitesh nuk administroj asnjë biznes, jo më të përfitoj tendera. Kjo është lehtësisht e verifikueshme!

Sot, u akuzova, se kam përfituar tenderin për Universitetin e Durrësit. Gënjeshtër fund e krye. Tenderi për godinën e Universitetit, është realizuar në fillim të vitit 2013, kur në qeveri ishte Partia Demokratike! Madje, kompania që unë administroja dikur, nuk ka marrë ende as paratë e punës së bërë”, tha Gjici.

Sipas tij, edhe deklarata se përfituar 30 milionë dollarë tendera është shpifje dhe paralajmëron PD-në të vërtetojë akuzat, pasi në të kundërt, “do shihemi në gjyq”.

“Kam vetëm një përgjigje për opozitën e rrjepur e shkërmoqur: Ethet e humbjes u kanë nisur!”, tha Gjici.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button