Home / Ekonomia / Euro shënoi rënien më të madhe nga viti 2004; Pse 400 milionë eurot e BSH-së nuk bënë asgjë!

Euro shënoi rënien më të madhe nga viti 2004; Pse 400 milionë eurot e BSH-së nuk bënë asgjë!

Monedha e përbashkët po e mbyll vitin 2018, duke u këmbyer në nivelin e rreth 123 lekëve, në nivelin më të ulët që nga tetori i vitit 2008.
Kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a, sipas përpunimit që Monitor u bëri të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Monedha e përbashkët ka shënuar luhatje të mëdha përgjatë këtij viti, ndryshe nga vitet e kaluar kur ajo ishte përgjithësisht stabël me luhatjet më të mëdha përgjatë periudhave sezonale (në gusht dhe dhjetor), sidomos gjatë periudhës 2010-2015, ku u luhat mesatarisht mes 139-140 lekëve.

Pikat kulmore të 2018-s
Pasi arriti në nivelin më të lartë prej 133.97 lekësh në 17 janar, monedha e përbashkët filloi një rënie të pandalshme, duke zbritur me shpejtësi në 129 lekë në fund të muajit shkurt. Pas një rritjeje të lehtë disa ditore, euro iu rikthye rënies, duke arritur në fillim të qershorit në 124.17 lekë, duke vendosur një rekord të ulët të dekadës së fundit.
Menjëherë më pas, Banka e Shqipërisë njoftoi një cikël ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun valutor me synim tërheqjen e valutës së tepërt nga tregu. Banka tha se rënia e euros po cenonte objektivin e saj kryesor, asaj të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, ndaj u detyrua të ndërhynte.
Pas ndërhyrjeve euro u rrit me shpejtësi disa ditë, duke u ngjitur në 128 lekë, por me pas ra sërish, duke u stabilizuar në rreth 126 lekë, duke mbetur e qëndrueshme dhe në periudhën e gushtit, kur janë të pranishme efektet sezonale për nënçmim të monedhës së përbashkët si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve.
Nga fundi i muajit shtator, euro hyri sërish në cikël rënës. Banka e Shqipërisë sinjalizoi tregjet se ajo nuk kishte në plan të ndërhynte më dhe do të linte kursin të lirë. Euro vijoi rënin, që u përshpejtua në dhjetor, e ndihmuar nga efektet sezonale, duke zbritur në 26 dhjetor në 122.69 lekë, niveli më i ulët nga gushti 2008. Në dy ditët e mëpasshme euro rikuperoi, duke e mbyllur javën e fundit të vitit në 123.4 lekë.
Në raport me fillimin e 2018-s, euro u nënçmua me 9.7 lekë, ose me 7.2%.

Por cilat janë arsyet e këtyre luhatjeve të mëdha?
-Së pari, një dukuri e këtij viti ishin konvertimet e kapitalit të disa bankave nga euro në lekë, që erdhi si rrjedhojë e procesit të shkrirjes së disa bankave (Veneto u përthith nga Intesa dhe NBG nga ABI Bank). Këtyre iu shtua dhe disbursimi i një kredie të BERZH për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se këto transaksione përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar, duke ushtruar presion për nënçmimin e euros. Por, nga ana tjetër BSH pranoi se ka blerë mbi 400 milionë euro në total, jo vetëm për efekt të kursit por dhe për arsye të rezervës valutore, (përfshirë dhe konvertimin e kredisë së BERZH) çka duhet të kishte amortizuar efektin e konvertimit të kapitalit dhe kredisë së BERZH.
-Deficiti i llogarisë korente (bilanci zyrtar i hyrjeve dhe daljeve të valutës nga vendi) shënoi për 9 mujorin një përmirësim prej vetëm 63 milionë eurosh, shumë që ka një efekt pothuajse të papërfillshëm, pasi kaq janë vetëm transaksionet e një ditë. Përmirësimi u shënua vetëm në tremujorin e dytë, ndërsa në të parin dhe të tretin ai u përkeqësua, duke mos justifikuar rënien e fortë të euros. Përvoja ka treguar se në Shqipëri përmirësimi i këtij bilanci shpesh nuk lidhet drejtpërdrejt me ecurinë e kursit. Psh në vitin 2010, kur deficiti i llogarisë korente u përmirësua me 35%, që teorikisht duhet të kishte forcuar lekun, ky i fundit ra me 5 lekë ndaj euros. Apo dhe në vitin 2016, kur ndonëse deficiti i llogarisë u përkeqësua, monedha e përbashkët u zhvlerësua me 2.3 lekë. (shih në fund grafikët e bilancit të pagesave). E njëjta dukuri ishte dhe në 2017-n, ku përmirësimi i deficitit të llogarisë korente për gjithë vitin në raport me 2016-n, ishte vetëm 10 milionë euro, ndërsa euro ra ndjeshëm nga 137 në 134 lekë për të njëjtën periudhë.
-Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë shtuar ofertën për valutë që nga gjysma e dytë e vitit 2016, kur filloi dhe rënia e euros është rritja e hyrjes së valutës informale, e cila rezulton se po pastrohet në vend. Në një raport të fundit të MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave. Raporti konstatonte se “Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave”. Raporti theksonte se ndërsa në banka kontrolli është më i lartë, Moneyval i konsideronte me rrezik të lartë sektorët e këmbimit valutor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: