Bota

Presidenca rumune e BE-së – Kolaps me pasoja?

Më 1 Janar të vitit 2019, Rumania merr presidencën e radhës në BE. Me gjithë jokompetencën e provuar të disa ministrave, qeveria e Bukureshtit nuk mund të shkaktojë dëme të mëdha, mendon Robert Schwartz.

Dhënie stafefe – Austria dorëzon më 31 dhjetor presidencën e radhës tek Rumania -Sebastian Kurz me kryeministren rumune, Viorica Dancila në Bukuresht

Më ndërrimin e viteve, qeveria e mençur rumune nën udhëheqjen e socialdemokratëve të PSD-së, e me gjoks të fryrë nga krenaria do të pushtojë Brukselin dhe Strasburgun… Në këtë formë, ose pak më ndryshe mund të shkruhen kryetitujt e gazetave në ditët e ardhshme në mediat e ndikuara prej PSD-së në Bukuresht. Kështu disa ministra nën drejtimin e kryeministres, Viorica Dancila shpresojnë se mund të hyjnë edhe në librat e historisë. Me tone nacional-populiste dhe kritike ndaj BE, e urta Viorica Dancila ka zbatuar pa iu dridhur syri urdhrat e atij që tërheq fijet në prapaskenë, të kreut të partisë të dënuar, Liviu Dragnea nga PSD.

Ajo dhe shpura e saj do t’ia tregojnë vendin europianëve të tjerë pa moral dhe hundëpërpjetë, do t’u tregojnë se si bëhet politikë në Rumani dhe për Rumaninë, për këtë janë të bindur përkrahësit. Ajo, Viorica Dancila, rumanishtja e së cilës shfaq boshllëqe të ndjeshme e që gati përditë kthehet në objekt humori në media, ajo, që njohuritë e gjuhëve të huaja i ka ekzistente vetëm në letër, që ngatërron para kamerave, Podgoricën, kryeqytetin malazez me Prishtinën, do t’i tregojë vendin Merkelit, Macronit, Kurzit, e të gjithë të tjerëve, kolegëve europianë, emrat e të cilëve ajo nganjëherë i harron. Të paktën këtë e ka lënë të kuptohet në Bukuresht. E që gjithçka të bëhet me vetëbesim të plotë, pak ditë para ndërrimit të viteve, ajo u kurorëzua nga portali propagandistik rus, si “figura politike rumune e vitit”. Dashakeq kujti i shkon mendja për të keq…

Megjithatë…Dragnea, Dancila e të tjerët nuk i sjellin dot dëme BE-së. Vendimet e mëdha të gjashtëmujorit të parë 2019 e anashkalojnë Rumaninë. Brexit dhe zgjedhjet europiane janë gati të mbyllura, e as nuk mund të ndikohen e as nuk ndërrojnë drejtim nga zhvillime të papritura të presidencës rumune. Edhe sikur ekipi qeveritar të tregohet antieuropian, ka edhe një president, Klaus Iohannis, një europian liberal i bindur, që mund ta kthejë timonin në drejtimin e duhur. Këtë ai e ka bërë disa herë me sukses e do të vazhdojë ta bëjë. Edhe nëse Dragnea e kërcënon me padi për tradhti ndaj atdheut.

Pra nga këndvështrimi i politikës së brendshme, duhet parë se si do të zhvillohet lufta e brendshme mes presidentit të parlamentit, Dragnea dhe presidentit të shtetit. Afrimi është i përjashtuar, po ashtu edhe fundi i mungesës së stabilitetit politik nuk dihet.

E çfarë do të ndodhë me presidencën rumune para këtij sfondi? Në Bruksel, thuhet se ajo mirëpritet. Qeveria në Bukuresht është shumë e zënë me veten, për të thyer porcelanët e kushtueshëm të BE. E lëre më të arrijë të ngrejë më këmbë diçka konstruktive…Para krizës së vazhdueshme alla rumunçe, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Junkcer mund të fillojë të paketojë, e në këtë kohë të shijojë edhe një samit “historik” në Siebenbürgenin piktoresk. Sibiu, vendlindja e presidentit Iohannis, në qendër të medias si epiqendër europiane këto muaj nis edhe rrugëtimin drejt librave të historisë së BE. Me Dragnean, Dancilan e të tjerët si figura episodike, që mund të gëzohen për qilimin e shtruar tek Sputnik e bashkëshoqëruesit…Kështu është falë Europës!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button