Politika

Brenda pranverës, kufi europian me Kosovën. Kjo do ti propozohet edhe Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi

Kryeministri Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët theksoi se brenda pranverës do të kemi një kufi Shengen, apo europian me Kosovën, me synimin që marrëveshje të tilla të shtrihen me gjithë vendet e Ballkanit. Ai tha se është hedhur tashmë një hap i rëndësishëm me nënshkrimin e marrëveshjes kufitare mes dy ministrave të Brendshëm, por është duke u punuar intensivisht për realizimin e një marrëveshjeje Shengen me Kosovën.

“Janë realizuar të gjithë elementët që e bëjmë funksionale këtë marrëveshje. Qëllimi është që brenda pranverës kufiri të jetë Shengen për nga natyra e kjo kërkon që perimetri i sigurisë të jetë perimetri i dy shteteve që do të thotë që çdokush që hyn në Shqipëri  të jetë njëkohësisht i regjistruar në databazën e Kosovës dhe çdokush që hyn në Kosovë të jetë i regjistruar edhe në Shqipëri”, theksoi Kryeministri Rama.

Ai shtoi se e njëjta marrëveshje do i propozohet nga ana e Shqipërisë edhe Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

“Kuptohet nga ana e Kosovës, ne nuk mund të vazhdojmë me historinë e një kufiri kaq viskoz mes Shqipërisë dhe Kosovës. Përtej të gjitha interpretimeve e konspiracioneve qëndron nevoja njerëzore për të pasur lirshmërinë e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, të kemi një kufi fluid. Duhet të ecim përpara edhe në shkëmbimin e mallrave dhe do garantojmë maksimalisht sigurinë”, tha ai.

“Ne e kemi bërë detyrën tonë të shtëpisë, ia kemi paraqitur palës kosovare dhe në pranverë nuk do kemi më kufirin që kemi po kufi shengen, një kufi europian, kopje e kufirit shengen me të gjitha lehtësitë dhe detyrimet. Vizoni im është që këtë lloj kufiri ta kemi me gjithë vendet e Ballkanit po le ta nisim me Kosovën”, përfundoi kryeministri. 

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button