Kosova

Wieland në Prishtinë: Një marrëveshje me ndryshim kufijsh jo ide e mirë

Zëvendës-presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, tha në Prishtinë se arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes ndryshimit të kufirit nuk është ide e mirë. Në këtë mënyrë ai e kundërshton idenë e ndryshmit të kufirit, përmend qëndrimin e kancelares gjermane Angela Merkel kundër ndryshimit të kufirit, por mbështet dialogun Kosovë-Serbi si të vetmen zgjidhje ndërmjet dy vendeve. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, takoi në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe gjatë ditës viziton komunën e Drenasit në Kosovën qendrore, e cila vitin e shkuar e shpalli qytetar nderi zëvendës-presidentin e Parlamentit Evropian.

“Ne nuk mendojmë se është një hap i mirë për të ndryshuar kufij në këtë rajon, sepse kufijtë këtu janë të veçantë dhe kjo çështje është shumë më e ndjeshme sesa në rajone të tjera kudo në botë. Pothuajse fjalë për fjalë i thash kryeministrit Haradinaj se në momentin e parë që kam dëgjuar që disa njerëz po propozojnë ndryshimin e kufijve duke u bazuar në disa marrëveshje, unë u dëshpërova shumë. Por, në anë tjetër, jam ndjerë i lumtur nga qëndrimi i kancelares gjermane Angela Merkel dhe i koalicionit tonë qeverisës që e sqaruan se ne nuk mendojmë se është një hap i mirë për të ndryshuar kufijtë”, tha Rainer Wieland, duke shtuar se ndryshimi i kufijve mund të sjellë më shumë probleme se sa arritje pozitive.

Zëvendës-presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, gjatë vizitës në Kosovë foli edhe për liberalizimin e vizave, duke u bërë apel udhëheqësve politik kosovar që mos të premtojnë data për liberalizimin e vizave.

“Parlamenti Evropian vitin e shkuar e ka miratuar këtë, e ka votuar dhe me një shumicë dërrmuese, po ashtu në atë votim ka qenë edhe vota ime. Unë do t’ju mbështes juve, do t’iu përkrah që të mos ketë kushte të tjera që të shtohen përpos atyre kushteve që ju tashmë i keni pasur. Fatkeqësisht nuk mund t’ju premtoj se kur do të bëhet kjo, për arsye se ka disa qeveri që ende nuk janë të bindura për ta përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Rainer Wieland.

E përmes zotit Wieland, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dëshiron ta përcjell mesazhin tek qeveritë që po hezitojnë të thonë se Kosova e meriton liberalizimin e vizave.

“Theksova se për Kosovën është e rëndësishme, përkrahja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave. Në këtë frymë, si një shtet i vogël që jemi, Kosovës ka nevojë t’i dëgjohet e vërteta e saj dhe për këtë fakt, kërkova edhe ndihmën e zëvendës presidentit të Parlamentit Evropian”, tha kryeministri Haradinaj. Ky i fundit shprehet i zhgënjyer që Kosova nuk e mori liberalizimin e vizave gjatë vitit 2018 edhe pse i plotësoi kriteret e kërkuara nga BE-ja, ndërsa, thotë se në fund të muajit shkurt Kosova e ka edhe një rast ku Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të BE-së, mund të vendosë në favor të Kosovës që t’i hiqen vizat sa më shpejtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button