Kronika

Banka nuk ka as numrat e serisë të parave të reja që vinin nga Zvicra

Vjedhja e Thesarit

Hetuesit i kanë kërkuar BSH-së dokumentet. Përgjigjja: Ishin në kuti, shënohej sasia dhe kilogramët

Nga Sokol Çobo

thesariProkuroria e Tiranës nuk ka numrat e serisë së parave të vjedhura në Thesarin e Shtetit në Linzë. Hetuesit kanë kërkuar nga Banka e Shqipërisë t’u servirë dokumentet që të vërtetojnë për numrat e serisë, por kanë marrë përgjigje se këto numra nuk i kanë. Ata i kanë thënë prokurorisë së paratë e reja që vinin nga Zvicra ruheshin në koli, ndërsa akuza ka kërkuar më shumë të dhëna se çfarë numra serie kishin 50 mijëlekëshet e vjedhura nga Bitraj. Hetuesit pohojnë se nuk kanë asnjë dokument nga banka për këto të dhëna, të cilat po e vështirësojnë së tepërmi gjetjen e parave. Më parë, akuza ka konstatuar se edhe paratë që do të asgjësoheshin nuk u merrej numri i serisë, çka ka hedhur dyshimin se shuma e vjedhur në Thesar mund të jetë më e madhe sesa 700 milionë lekë. Me gjithë sekuestrimin e disa llogarive bankare të lojërave të fatit, akuza nuk mund të krahasojë 50 mijë lekëshet në këto llogari me numrat e serisë së parave të vjedhura, pasi nuk ka asnjë të dhënë të tillë.

Mangësitë e BSH-së

Hetimet për vjedhjen e Thesarit të Shtetit po futen në një qorrsokak për shkak të mangësive të theksuara në Bankën e Shqipërisë, e cila nuk ka funksionuar në bazë të rregulloreve dhe udhëzimeve të nxjerra nga Këshilli Mbikëqyrës. Prokuroria thotë se e ka të pamundur që të gjurmojë lekët e grabitura, nisur edhe nga këto mosveprime të punonjësve të BSH-së, që duhet të paktën të regjistronin paratë që futeshin në Thesar. Por, as këtë procedurë standarde nuk e kanë bërë, teksa zyrtarë të bankës kanë pohuar gjatë dëshmive në prokurori se nga sot e tutje të gjitha paratë që futeshin në Thesar do të regjistroheshin me numër serie, ndryshe nga më parë. Hetuesit e çështjes dyshojnë se Banka e Shqipërisë nuk po bashkëpunon siç duhet për këtë hetim, pasi nuk ka sjellë një sërë dokumentesh, apo ka refuzuar shumë të tjera. Mungesa e filmimeve të kohëve më parë dhe mosregjistrimi i numrave të serisë së parave të arkës stok apo asaj në veprim konsiderohen nga akuza një e metë më e madhe, teksa dyshojnë se vjedhja ka zgjatur për një kohë më të madhe dhe se të implikuar mund të jenë edhe persona të tjerë. Në lidhje me lekët e reja që vinin nga Zvicra, akuza thotë se janë vjedhur rreth 550 milionë lekë, të marra nga kutitë. Këto kuti kishin vetëm vlerën e saktë të parave që gjendeshin brenda, madje edhe të peshës së tyre, duke qenë se ka pasur disa prerje, 500, 1000 dhe 5000 mijë lekëshe. Për rrjedhojë, Bitraj futej në kasafortë dhe lekët që merrte nga këto kuti i zëvendësonte me libra, afërsisht të së njëjtës peshe që merrte edhe të hollat. Banka i ka dërguar disa informacione prokurorisë së ka vetëm numrat e kolive, ndërsa akuza i ka kërkuar më shumë dokumente.

Lekët për asgjësim

Prokuroria tha disa ditë më parë se vjedhja e Thesarit të Shtetit në Linzë ka qenë e organizuar dhe implikimi shkon deri tek administratorët kryesorë të Bankës së Shqipërisë. Grupi hetimor thotë se vjedhja mund të ketë zgjatur për më shumë se katër vite, ndërsa krahas Ardian Bitrajt, të dyshuar janë edhe punonjës të tjerë. Akuza thotë se parave që do të asgjësoheshin nuk i regjistrohej numri i serisë, duke e bërë të pamundur gjetjen e këtyre lekëve, tashmë të rihedhur në treg. Por, krahas kësaj problematike, akuza thotë se mund t’i shtrijë hetimet më shumë se katër vite, megjithëse sërish nuk mund të konstatonte vlerën e saktë të parave që janë vjedhur. Përgjatë këtyre viteve, asgjësimi bëhej me pako dhe jo me numra të serisë, ndërsa brenda këtyre pakove mund të ketë pasur shumë libra, apo sende të tjera, për të rregulluar peshën. Akuza thotë se në Departamentin e Emisionit në BSH ka rezultuar se nuk ka pasur asnjë rregullore apo urdhër për regjistrimin e numrave të serisë të lekëve që do të asgjësoheshin. Ardian Bitraj ka pasur të gjithë informacionin e këtyre mangësive në administrimin e Thesarit, pasi punon në këtë departament për më shumë se 20 vjet. Dhe, gjatë kësaj kohe, ka mësuar edhe skemat sesi mund të vidhej kasaforta, e cila, për nga rëndësia, duhet të ishte më e sigurta në Shqipëri. Mungesa e bazës ligjore ka sjellë çrregullim në funksionimin e këtij departamenti, i cili funksiononte me disa rregullore të vjetra, por që nuk mund të zbatoheshin aktualisht, pasi kishte një tjetër godinë dhe mënyra të reja të ruajtjes së arkave, kryesisht e asaj për veprim dhe stok.

Lekët e reja

Krahas lekëve që do të asgjësoheshin, prokuroria nuk ka as numrat e serisë të parave të reja që vinin nga Zvicra. Bitraj ka grabitur rreth 550 milionë lekë nga këto

Mosveprimet

Prokuroria thotë se e ka të pamundur që të gjurmojë lekët e grabitura, nisur edhe nga këto mosveprime të punonjësve të BSH-së, që duhet të paktën të regjistronin paratë që futeshin në Thesar

 

Asgjesimi

Rutina

Hetuesit kanë mësuar se lekët që dërgoheshin për asgjësim nuk u regjistrohej numri i serisë! Banka thotë se diçka e tillë ishte rutinë e përditshme e punës

Vjedhja

Prokuroria ka dyshime se, nisur nga këto të dhëna për regjistrimin e numrave të serisë së lekëve, nuk mund të gjejë dot kurrë sesa ka qenë vjedhja reale në Departamentin e Emisionit

Abuzimi

Praktika e asgjësimit të lejon të abuzosh, apo edhe të vjedhësh, pasi askush nuk e di se çfarë kanë brenda pakot që digjen. Grupet e kontrollit kanë hapur vetëm disa pako

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button