Bota

Bolton në Ankara: Çfarë do të ndodhë me kurdët?

John Bolton, këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë ndodhet në Turqi për vizitë. Nga njëra anë ai do të qetësojë Ankaranë, nga ana tjetër të mbrojë kurdët. Një mision i vështirë thotë eksperti Serhat Güvenc.

Që nga koha kur presidenti amerikan, Donald Trump shpalli tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, në këtë vend kërcënon një ofensivë ushtarake turke kundër kurdëve, që ishin aleatë të amerikanëve në luftën kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Fjala është sidomos për kurdët sirianë të YPG-së, krahun e armatosur të Partisë së Unionit Demokratik, PYD, që u themelua si dega siriane e Partisë Punëtore Kurde, PKK. Të martën presidenti turk, Erdogan i dënoi kërkesat e John Boltonit për mbrojtje të kurdëve. “Nuk është e mundur që të kapërdihet mesazhi i Boltonit nga Izraeli”, tha Erdogan para deputeteëve të partisë së tij në Ankara.

Vizita e John Boltonit në Ankara nuk është e lehtë. Që më parë ai ka bërë të ditur, se Uashingtoni para tërheqjes së trupave kërkon garanci për kurdët që luftojnë në Siri. “Ne mendojmë, se turqit nuk duhet të ndërmarrin operacione, të cilat SHBA nuk i mbështet dhe që nuk janë koordinuar me SHBA.” Serhat Güvenc, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Stamboll shpjegon për Deutsche Welle-n gjendjen aktuale. 

Turqisë nuk i intereson as Asadi dhe as IS-i

Deutsche Welle: John Bolton ka përmendur temat që do të diskutojë me Turqinë. Mendoni se Bolton do të largohet i kënaqur apo e kënaqur do të jetë Ankaraja nga këto bisedime?

Serhat Güvenc: Mendoj se e kënaqur do të jetë Turqia. Që nga koha, kur “Shteti Islamik” në Siri ishte i fortë, Ankaraja mund të marrë nga Uashingtoni atë që dëshiron, pra që Turqia të ketë kontrollin mbi rajonin-. E që kur partia kurdo-siriane, PYD dhe milicët kurdë të YPG-s u bënë aktorë të fortë, Turqia i ka drejtuar Uashingtonit gjithmonë kërkesën: “Mos bashkëpunoni me YPG, por me ne. Na lini ne të jemi bashkë në anën tuaj në luftën kundër IS-it.” Ishte një kohë kur Uashingtoni kuptoi se YPG ishte një partner i vlefshëm dhe mbajti distancë kundrejt Turqisë. Vizita e tanishme tregon se era ka ndryshuar, dhe Turqia në Lindjen e Afërt, por sidomos në Siri shihet si një partnere, pra vizita tregon, se sa e rëndësishme është Turqia.

Bolton ka shkruar në twitter se SHBA “do të jetë në krah të atyre që luftuan bashkë me ne kundër IS-it.” Duket që me këtë ai nënkupton YPG-në. Si do ta sigurojë SHBA mbrojtjen e kurdëve me largimin nga Siria?

Kjo është pika më e kontestuar për takimin. SHBA nuk janë kundër që ushtria turke lufton kundër IS-it. Në të njëjtën kohë Uashingtoni do që aleatit të tij të mëparshëm të mos i shkaktohen dëme. Në këtë pikë SHBA do të përpiqen që të marrin garanci nga Turqia. Kjo është pika e dobët, në këtë mes, sepse për Turqinë, veçanërisht në lindje të Eufratit nuk janë prioritare Siria apo IS-i. Turqia nëse lufton kundër IS-it duhet që të bëjë gjithçka që të shkatërrojë YPG-në. Nëse SHBA kërkon garanci në këtë pikë, kjo nuk ka për të qenë e lehtë.

A mund t’i japë Turqia këto garanci? Apo mjafton që ajo të deklarojë se do të luftojë IS-in?

Për Donald Trump lufta kundër IS-it ka qenë parësore dhe ai ishte i lumtur që këtë detyrë mund t’ia delegonte Turqisë. Por në Uashigton ngritën zërin pas kësaj aktorë të tjerë. Tani ka një qëndrim të diferencuar: “IS-i duhet luftuar, por në të njëjtën kohë një mision i mundshëm ushtarak turk nuk duhet të çojë në shkatërrimin e YPG-së.” Pra nuk mjafton vetëm urdhri për të luftuar IS-in, por Uashingtoni nuk do të lerë në baltë aleatët e tij. Kjo nuk shpjegohet vetëm me simpati ndaj YPG-së. Nëse Uashingtoni ia la rajonin Turqisë, ka mundësi që Turqia të mos i përfaqësojë interesat amerikane, as sa do të dëshironte SHBA. Si pasojë ka mundësi në këtë kontekst që të bëhet fjalë edhe për ngushtimin e hapësirës së veprimit të Ankarasë.

Ankaraja duhet të bindë Damaskun dhe Moskën

Lidhur me YPG-në, mbeten SHBA i vetmi adresat për Turqinë? Apo pritet që me tërheqjen e trupave amerikane, Rusia, Irani apo udhëheqja e Damaskut të fitojnë influencë?

Nëse kujtojmë operacionet në Mandbixh, shohim që Turqia duhet të ndjekë me shumë interes si vepron regjimi në Damask apo Rusia. Nuk duhet të harrojmë që Rusia, Irani dhe Siria nuk e shohin YPG si një organizatë terroriste që duhet luftuar. Prandaj Turqia duhet të bindë si Damaskun ashtu edhe Moskën, e duhet të jetë shumë diplomatike për të kënaqur palët e ndryshme. Hapi i parë u bë para një javë. Një delegacion turk shkoi në Moskë, por deri më tani nuk duket se është arritur rezultati i kërkuar.

“Uashingtoni kërkon të rrethojë Iranin”

Le të mendojmë se Uashingtoni nuk arrin rezultatet e dëshiruara në bisedimet me Ankaranë, Turqia nuk heq dorë nga një operacion ushtarak kundër YPG-së. A do ta shtyjnë SHBA tërheqjen e trupave nga Siria?

Vështirë të spekulosh për këtë. Në SHBA nuk kemi të bëjmë me një aparat qeveritar që del me një qëndrim në politikën e jashtme. Varet se si rezulton matja e forcave politike në Uashington. Bolton është një aktor interesant politik. Ai është i vendosur kundër Iranit. Qëndrimi i tij ndaj Sirisë do të jetë i ndikuar patjetër nga bindja, se Irani duhet të rrethohet. Prandaj besoj se Bolton nuk do të jetë nga ata që patjetër këmbëngulin, që trupat të tërhiqen. Trump ka probleme me politikën e tij të jashtme në këtë moment. Kongresi i ri ka filluar nga puna. Për momentin mund të ndodhë, që Trump nuk këmbëngul në tërheqjen e trupave nga Siria, pra krahu që është kundër tërheqjes mundet të fitojë më shumë terren.

Nëse Uashingtoni ka plane për rrethimin e Iranit, a mundet që Turqia të jetë pjesë e këtyre planeve?

Izolimi i Iranit është për disa aktorë në Uashington shumë i rëndësishëm. Nuk ka dyshim që në këtë pikë ka pritshmëri ndaj Turqisë. Mendoj, se fillimisht po pritet, se deri në ç’masë Turqia mund të zëvendësojë trupat amerikane. Në mes të këtyre interesave është Irani, por edhe një vend tjetër, të cilin Turqia të paktën nga ana diplomatike nuk e ka shkelur. Turqia duhet të ridimensionojë marrëdhënien e saj me Iranin në një atmosferë konkurruese dhe të ngarkuar me konflikte. Prandaj negociatat me Ankaranë janë kaq të rëndësishme, ato mund të ndryshojnë dinamikën dhe ekuilibrin rajonal.

Serhat Güvenc ist profesor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button