Home / Kosova / Dialogu Kosovë-Serbi, përfundon takimi në Bruksel

Dialogu Kosovë-Serbi, përfundon takimi në Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar dje pasdite takimi ndërmjet delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, si dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.

Pas takimit, Mogherini tha se është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mogherini u kërkoi autoriteteve të Kosovës të shfuqizojnë taksën doganore ndaj produkteve nga Serbia.

Ndërkohë, dy bashkëdrejtuesit e delegacionit shtetëror të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti kanë theksuar se në takim kanë prezantuar rezolutën dhe “Ligjin për dialogun”, si dhe kanë sqaruar rolin e këtij delegacioni.

“Sipas Mogherinit, çdo marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët – por marrëveshje që përfaqëson vlerat e Bashkimit Europian – është e pranueshme edhe për BE-në. Pra nuk mund dhe nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra, sepse ajo nuk është vlerë e BE-së. Nuk mund të kemi kufij që ndajnë territore në vija etnike”, tha Ahmeti.

“Ne thamë aty se duhet të hiqen arsyet për të cilat ka ardhur taksa. Serbia duhet t’i ndalë të gjitha shkaqet përse ne e kemi vendosur taksën. Ka shumë kushte që Serbia duhet të plotësojë, që të tërhiqet taksa. Kjo nuk është e njëanshme”, tha Limaj.

Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Kocijançiç ka thënë më herët se ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është ftuar nga BE-ja për konsultime në Bruksel. Por, sipas saj, bisedimet në nivelin e lartë politik do të vazhdojnë ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: