Ekonomia

AKEP urdhëron mbylljen e 476 adresave që ofrojnë baste online

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike ka urdhëruar kompanitë që ofrojnë shërbim interneti në Shqipëri të mbyllin 476 website të huaja dhe vendase që ofrojnë lojëra fati on-line.

Por, numri i lartë i kompanive që operon në mbarë botën e bën të pamundur mbylljen e aksesit përfundimtar.

Mbyllja e pikave të basteve dhe të kazinove është shoqëruar dhe me verifikimin e faqeve onlinë që ofronin këto shërbime kundrejt pagesave. Në total janë evidentuar 476 website, të cilat aksesohen përmes internetit dhe në Shqipëri. Për këto autoriteti i mbikëqyrjes së lojrave të fatit ka paraqitur pranë AKEP një listë të plotë duke kërkuar bllokimin.

“Çdo sipërmarrës pas marrjes së njoftimit nga AKEP, është i detyruar të veprojë menjëherë për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme, si dhe të njoftojë AKEP-in për mbylljen e aksesit të tyre”.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka urdhëruar kompanitë e shërbimit të internetit të bllokojnë menjëherë adresat e kompanive që ofrojnë lojëra fati dhe baste online.

Megjithatë, bllokimi i të gjithë faqeve do të jetë i vështirë, për shkak se numri i kompanive në mbarë botën është tepër i lartë. Ndërsa aksesi në to mund të realizohet përmes kërkimit në google.

Paralelisht me këtë në Shqipëri ka nisur verifikimi i subjekteve që organizojnë baste dhe lojëra të fatit. Vetëm në 24 orët e fundit janë evidentuar 2 raste, një në Tiranë dhe një tjetër në Klos të Burrelit. Dy të proceduarit janë të moshës 41 dhe 25 vjeç.

Më poshtë listat e sjella në AKEP nga AMLF, për të cilat është kërkuar bllokimi.

AMLF – Lista datë 04.01.2019 – Faqet web që duhen bllokuar

AMLF – Lista datë 07.01.2019 – Faqet web që duhen bllokuar

AMLF – Lista datë 10.01.2019 – Faqet web që duhen bllokuar

NJOFTIMI I PLOTË NGA AKEP-i
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në cilësinë e organit rregullator në fushën e komunikimeve elektronike, në ushtrim të kompetencave ligjore për mbikqyrjen, monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së sipërmarrësve të rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përmbushje të qëllimeve dhe objektivave rregullatore të përcaktuar në Ligjin Nr.9918, datë 19.05.2008, “Për komunikimet elektronike në RSH”, i ndryshuar, dhe aktet e tjera nënligjore të nxjerrë në zbatim të tij, ka administruar nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF) pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shkresat zyrtare:

1.Nr. 20 prot. (i MFE) datë 04.01.2019 (Nr. 11 Prot. i AKEP datë 04.01.2019)
2. Nr. 43 prot. (i MFE) datë 07.01.2019 (Nr. 33 Prot. i AKEP datë 08.01.2019)
3. Nr. 81 prot. (i MFE) datë 10.01.2019 (Nr. 43 prot. i AKEP datë 10.01.2019)

nëpërmjet të cilave janë përcjellë tre lista faqesh interneti me anën e të cilave ushtrohet veprimtari në shkelje të Ligjit nr. 155/2015 “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar me Ligjin nr. 75/2018 datë 09.11.2018.

Referuar gërmës e) të nenit 15 të Ligjit Nr.9918 datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar si dhe gërmës e), pika 1, e nenit 9 dhe pika 9 e Aneksit E të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë rigorozisht detyrimin ligjor për të marrë masat e duhura juridike dhe teknike për kufizimin e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.

AKEP me shkresat Nr. 11/1 prot. datë 04.01.2019, Nr. 33/1 prot.  datë 08.01.2019 dhe Nr. 43/1 prot.  datë 11.01.2019 ka njoftuar zyrtarisht të gjitha sipërmarrësit që ofrojnë shërbimin internet (ISP) për bllokimin e aksesit për të gjitha faqet web të dërguara nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF). Çdo sipërmarrës pas marrjes së njoftimit nga AKEP, është i detyruar të veprojë menjëherë për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme, si dhe të njoftojë AKEP-in për mbylljen e aksesit të tyre.

Shënim:
Në listen e parë të AMLF datë 04.01.2019, gjendej dhe faqja https://www.webhost.al/domain/bet111.al
Në një njoftim datë 07.01.2018, AMLF ka saktësuar që kërkesa e tyre është për mbylljen e domainit bet111.al, ndërsa domaini webhost.al ti lejohet aksesi nga të gjitha ISP-të dhe konfirmon se faqja www.webhost.al  nuk kryen aktivitet Lojra Fati.

Sa më sipër, AKEP me shkresën nr. 11/10 prot. datë 08.01.2019, ju kërkoi ISP-ve:

1.        Lejimin e aksesit të menjëhershëm për domainin webhost.al
2.        Bllokimin e menjëhershëm të aksesit për domainin bet111.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button