Rajoni

Putin në Beograd: Për stabilitet në Ballkan duhen kompromise

Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje të enjten (17.01) në Beograd për stabilitet në Ballkan. Kreu i Kremlinit po viziton Serbinë, një aleat kyç i Moskës në rajonin e paqëndrueshëm.

Presidenti rus Vladimir Putin u prit me ceremoni solemne në një atmosferë të ngrohtë në Beograd. Putin tha se Rusia do të mbështesë përpjekjet për të ruajtur qetësinë në rajon. “Rusia, si Serbia, është e interesuar që situata në Ballkan të mbetet e qëndrueshme dhe jo e rrezikshme,” u tha Putin gazetarëve në një konferencë të përbashkët të shtypit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Vizita e presidentit rus u shoqërua me një manifestim të dhjetëra mijëra serbëve që parakaluan përmes kryeqytetit në një paradë në nderi ndaj tij.

“Mirëseardhje President i nderuar, Putin, mik i dashur”, shkruhej në një nga pankartat e shumta nëpër qytet, ku valëviteshin flamujt rusë dhe serbë.

 Parada kulmoi në kishën e madhe të Shën Savës, një nga vatrat më të mëdha të celebrimit të besimit  ortodoks në Serbi. 

Megjithëse Serbia aspiron të bashkohet me Bashkimin Evropian, ajo mban lidhje të ngushta historike me Rusinë, “vëllanë e madh ortodoks”, me të cilin njerëzit ndajnë gjithashtu origjinën sllave.

Lidhja emocionale me Moskën është forcuar edhe nga mbështetja e palëkundur e saj në çështjen delikate të pazgjidhur të Kosovës, e cila u shkëput pas luftës në vitin 1998-99.

Serbia nuk e ka pranuar pavarësinë Kosovës dhe po ashtu Rusia e kundërshton atë duke përdorur fuqinë e vetos në Kombet e Bashkuara.”Pa Rusinë dhe për shkak të fuqisë së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është e qartë se nuk do të ketë zgjidhje” për Kosovën, tha Vuçiç.

Bisedimet e Beograd-Prishtinë të mbështetura nga BE për normalizimin e marrëdhënieve janë paralizuar prej disa muajsh.

Putin tha se për “arritjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit, ne duhet të gjejmë kompromise dhe kur të gjenden ato duhet të respektohen”.

Para ardhjes në Serbi, Putin akuzoi Perëndimin për “destabilizimin” e Ballkanit me përpjekjet për të zgjeruar NATO-n.

Për vlerësimin e mbështetjes së Moskës lidhur me Kosovën, Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare në tregti ndaj Rusisë gjatë aneksimit të Krimesë të vitit 2014.

Në rrugët e Serbisë lexohen grafiti se: “Kosova është Serbi, Krimeja është Rusi”.

Krahas lidhjes shpirtërore, mbështetjes politike edhe marrëdhëniet ekonomike mes Sebrisë dhe Rusisë janë gjithashtu intensive. Në kuadër të vizitës Putin tha se, “Gazprom planifikon të rrisë furnizimet e gazit në Serbi deri në vitin 2020.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button